Pronat e shqiptarëve sipas Censit 2023
2024-07-10 11:34:26

Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se 82,5 %  janë pronarë të shtëpisë ku jetojnë ose janë në proces të marrjes së aktit ligjor të pronësisë. Por ndryshe është tendenca në Europë ku sipas të dhënave nga Eurostat mesatarja europiane ku qytetarët janë pronarë të një shtëpie ku jetojnë arrin në 70% .Në total në  Shqipëri rezultuan se janë 1 milion e 82 mijë banesa. Në një intervistë për mediat Eliona Zhonga, eksperte e pasurive të paluajtshme dhe investimeve komenton këta tregues ku  mbi 82 %  shqiptarëve jetojnë në një shtëpi të tyre, ndërsa pjesa tjetër me qira. Kjo dëshmon tendencën e tregut më shumë drejt blerjes së një banese se sa marrjes me qira.

“Nisur nga transaksionet që janë kryer në vite, nga statistikat që unë kam patur në agjencitë e pasurive të paluajtshme, raporti mes transaksioneve të shitjes dhe transaksioneve të qirave ka lëvizur gjithmonë në përqindje 70 me 30. Do të thotë kërkesa për të blerë dhe transaksionet e mbyllura të shitjes kanë qenë 70% dhe pjesa e mbetur. Gjatë gjithë kohës tregu ka patur tendencën më tepër drejt blerjes sesa drejt qiramarrjes. Treguesi i pronësisë së banesës ku ne jemi, tregon së pari që pronat e paluajtshme i kemi likuide, pra mundësia për t’i kthyer në likuiditet dhe për t’i blerë gjithashtu është shumë herë më  e lartë sesa në vende të tjera. Është një karakteristikë kjo e Evropës Lindore përgjithësisht. Po t’i hedhim një sy statistikave të Eurostat-it do të vëmë re që vendet e Evropës Lindore ku edhe ne bëjmë pjesë, ndër to dhe Kosova dhe Rumania e ka të lartë këtë përqindje të qytetarëve që banojnë në banesat e tyre.”

Ekspertja Eliona Zhonga (Foto Business Magazine)

Ekspertja Eliona Zhonga (Foto Business Magazine)


Ndërkohë, sipas ekspertes,  tendenca është ndryshe në Gjermani dhe Austri.

“Në njërën anë ne kemi Rumaninë si një nga vendet me përqindjen më të lartë të pronarëve që jetojnë në shtëpitë e tyre dhe nga ana tjetër është Austria dhe Gjermania që këto i kanë në shifra tejet të ulta. Ky është një tregues në gjykimin tim, së pari për koston e lartë të transaksionit në këto vende, pra në vendet e zhvilluara, ndërsa tek ne, tek Evropa Lindore, por dhe tek ne meqë nuk jemi pjesë e Bashkimi Evropian, kosto e transaksionit të blerjes së një pasurie të paluajtshme është më e lehtë. Ne nuk paguajmë shumë taksa, procesin e kemi të kollajtë, një pronë rri më pak në treg se krahasuar me vendet e zhvilluara. Akseset që ne kemi për ta blerë një pronë janë më të kollajta, më të lira, pra.”- tha ekspertja.

Kjo sipas ekspertes është një nga arsyet e këtyre shifrave.

“Kjo ka prodhuar këtë lloj shifre, por gjithashtu edhe çmimet që nuk kanë qenë shumë të larta duke marrë shkas edhe nga  vitet e mëparshme. Censi ka nxjerrë statistika jo të pronave që mund të jenë blerë para 6 muajsh, por mjafton që ne jetojmë në një shtëpi që e kemi blerë vetë. Çmimi i këtyre pronave, ka qenë jo shumë i lartë, i përballueshëm. Përballueshmëria nga ana e blerësit të këtyre çmimeve ka qenë e mirë. Tregues të tjerë mund të jenë zhvillimi i turizmit dhe  i infrastrukturës. Edhe tendenca që kanë njerëzit e huaj për ta depozituar likuiditetin e tyre në pasuritë e paluajtshme. Nga një tjetër e dhënë globale, gati 86% e pasurisë neto globale është e depozituar në pasuri të paluajtshme.”

Vila (Foto Burssines Magasine)

Vila (Foto Burssines Magasine)

Problem në shfrytëzimin e pronave të blera është shfrytëzimi i sipërfaqeve të përdorshme thotë ekspertja Zhonga për Tv Scan.

“Është një problematikë që lidhet me pjesën e shfrytëzimit të hapësirave brenda një apartamenti, brenda një prone. Rasti tipik është kur ne blejmë një pronë dhe një sipërfaqe të madhe e zënë ballkonet, sipërfaqet e përbashkëta dhe verandat gjithashtu, është kjo tendenca që unë nuk dua të kem vetëm si blerës hapësirë për të jetuar së brendshmi, por një pjesë të stilit të jetës i s’postoj edhe në verandë. Ndoshta po them njerëzit që janë përgjigjur në këtë pikë mund të kenë patur parasysh, 46% duke matur vetëm ato metra katrorë të shkelshëm, që e quajmë në gjuhën tonë të përditshme të transaksioneve.”

Mbi 170 mijë apartamente në Shqipëri kanë rezultuar të pabanuara.

“Shumica e  të huajve, ose dhe emigrantë, por edhe rezidentët shqiptarë e shikojnë pasurinë e paluajtshme si një depozitor kryesor të pasurisë së tyre. Mes investimit në depozita apo në formate të tjera likuide, ata zgjedhin këtë.”

Pallate (Foto Monitor)

Pallate (Foto Monitor)

Gjithsesi ekspertët thonë se duhen studiuar më mirë pronarët e vërtëtë të këtyre banesave të pabanuara për të kuptuar burimin e të ardhurave.

“Që të jem e saktë unë mendoj që duhen parë akoma edhe më thellë rezultatet e censit, për sa kohë ne akoma nuk i kemi të gjitha rezultatet e publikuara. Këto ditë Instituti i Statistikave do t’i nxjerrë dhe do kemi mundësinë t’i shikojmë akoma dhe më në thellësi. Që do të thotë, përqindja e apartamenteve që janë të papërdorura me çfarë ka lidhje? Pronar kush janë? Janë emigrantë, që nuk jetojnë në Shqipëri, janë banesa të dyta, që janë blerë nga rezidentët, apo posedohen nga të huajt. Duhet parë realisht se nga na vijnë këto prona, kush janë pronarët e tyre të vërtetë.”

Sipas statistikave, banesat private mbizotërojnë në Shqipëri dhe sipas të dhënave të mbledhura në terren përsa i përket karakteristikave të shtëpive është se  47 % e tyre janë individuale dhe rreth 40%  janë apartamente në pallate. Pjesa më e madhe e banesave në vend thuhet se është ndërtuar  në periudhën 20 vjeçare 1981-2000.