Aeroport ne Itali (Foto Atsh)
Një sondazh i kryer nga “Ipsos” tregoi se rreth 85% e të rinjve italianë të anketuar janë të prirë që të largohen nga shtëpia për një punë më të mirë. Vetëm 15% nuk kanë ndërmend të lëvizin.
Sondazhi tregon se të rinjtë italianë midis 18 dhe 30 vjeç besojnë se brezi më i lumtur në vend është ai i prindërve të tyre, ose i gjyshërve, shkruan “ATSH”.
Sipas opinionit të tyre, ata kishin mundësi më të mëdha punësimi, perspektiva për të ardhmen dhe madje edhe një cilësi më të mirë të marrëdhënieve sociale, pavarësisht mungesës së mediave sociale dhe internetit.
Megjithëse 74% e të rinjve e konsiderojnë veten të lumtur me jetën e tyre, vetëm dy nga pesë kanë një vizion pozitiv për të ardhmen dhe 71% e të anketuarve e gjykojnë jetën e tyre si mjaft ose shumë të largët nga ideali i tyre.
Nga ky zhgënjim vjen një tërheqje drejt jetës private, e dëshmuar nga hierarkia e faktorëve që kanë ndikimin më të madh në përmbushjen personale: shëndeti (34%), familja (32%) dhe jeta emocionale (27%), e ndjekur nga paraja (22%) dhe puna (21%).
Pavarësisht rritjes së vendeve të punës, të rinjtë po emigrojnë nga Italia në përmasa edhe më të mëdha se në vitet e errëta të krizës financiare.
Mosha mesatare e të punësuarve në një nga vendet me rënien më të madhe demografike në botë po rritet më shumë se mosha mesatare në tërësi.
Megjithatë, pakënaqësia me mundësitë që ofron vendi nuk përkthehet në dëshirën për të rritur angazhimin social dhe politik. (Elona)