Raporti vjetor për ndihmat shtetërore, mbi 613 milionë euro në pesë vjet
2024-07-10 15:06:10

Keshilli i ministrave (Foto Urbannews.al)

Keshilli i ministrave (Foto Urbannews.al)

Këshilli i Ministrave në Shqipëri miratoi raportin vjetor për ndihmat shtetërore të vitit 2023. Sipas këtij raporti, shuma e ndihmave shtetërore gjatë viteve 2019-2023 është vlerësuar në rreth 63.099 milionë lekë, ose 613.93 milionë euro, prej të cilave 83.34 milionë euro, që përfaqësojnë 0.37% të PBB-së, janë dhënë në vitin 2023, shkruan “Panorama”.

Në totalin e ndihmës së dhënë për vitin e kaluar, vendin kryesor (rreth 61.58%) e zënë ndihmat horizontale, ndërsa ndihma sektoriale përbën 38.42% të ndihmës gjithsej.

“Pjesa më e madhe e skemave që japin ndihmë shtetërore nuk e tejkalon kufirin minimal të Bashkimit Europian dhe, si të tilla, nuk paraqesin problem në këndvështrimin e tregtisë ndërkombëtare. Instrumentet kryesore të ndihmës shtetërore në Shqipëri gjatë vitit 2023 janë grantet dhe përjashtimi nga taksat, rimbursimi apo reduktimi i shkallës tatimore. Në zbatim të nenit 32, të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, raporti vjetor për ndihmat shtetërore për vitin 2023 do t’i përcillet Komisionit Europian”,- thuhet në vendimin e qeverisë që ka hyrë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. (Elona)