Që nga fillimi i sezonit të shirave, krahinat e ndryshme në të gjithë Kinën kanë përjetuar reshje të dendura dhe të zgjatura, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona, duke rritur rrezikun e prishjes së digave.
Foto:VCG
Sektorët qeveritarë kinezë të meteorologjisë, rezervave ujore, burimeve natyrore dhe zhvillimit urban e rural, kanë ofruar udhëzime për kontrollin e përmbytjeve për 18 krahina të prekura nga reshjet, duke përfshirë provincat Hu’nan, Shandong, He’nan dhe Shaanxi. Qeveritë lokale janë përqendruar në monitorimin e reshjeve dhe përmbytjeve, duke krijuar plane emergjente reagimi dhe duke përforcuar pajisjet e kontrollit të përmbytjeve.
Kina aktivizoi të dielën një reagim emergjent të nivelit IV ndaj përmbytjeve në provincat Shandong dhe Sichuan. Shirat e rrëmbyeshëm parashikohen të zgjasin nga 7 deri më 13 korrik në gjithë pjesën jugore të Shandongut. Ndërkohë, nga 8 deri më 14 korrik, reshjet e dendura do të forcohen në të gjithë pellgun e Sichuanit. Kina ka një sistem reagimi emergjent me katër nivele për kontrollin e përmbytjeve, me nivelin I që është ndaj situatës më të ashpër.
Që nga nata e së dielës, 3631 njerëz në Linyi, një qytet në provincën Shandong, u prekën nga përmbytjet e shkaktuara nga shirat. 1939 prej tyre u transferuan në vende të sigurta.
Gjatë një mbledhjeje të mbajtur të dielën, Ministria e Menaxhimit të Emergjencave të Kinës u kërkoi autoriteteve lokale në 10 rajone të goditura nga përmbytjet, të intensifikojnë patrullimet përgjatë digave dhe rezervateve, për të zbutur rreziqet e mundshme.
Foto:VCG
Provinca Hunan e Kinës Qendrore është aktualisht vendi më i goditur, me një çarje të dukshme të digës të premten e kaluar në liqenin Dongting, liqeni i dytë më i madh i Kinës me ujëra të ëmbla. Çarja, e cila fillimisht ishte rreth 10 metra e gjerë, u zgjerua në mbi 200 metra në ditë, duke përmbytur 4764 kilometra katrorë tokë. Ndërkohë u krye evakuimi urgjent i 7680 banorëve vendës.
Pas fatkeqësisë natyrore, mijëra shpëtues, zjarrfikës, hidrologë, vullnetarë, policë, më shumë se 700 ushtarakë nga forcat ajrore të Komandës së Teatrit Jugor të ushtrisë kineze, si edhe një ekip pune nga Ministria e Menaxhimit të Emergjencave, u vunë në dispozicion në zonë, për të kryer aksionet e shpëtimit dhe ndihmës. Falë përpjekjeve të përbashkëta, Liqeni Dongting u mbyll në orën 22:31 të së hënës.
Shpëtuesit punojnë në çarjen e digës së liqenit Donting(Foto:VCG)
Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës, deklaroi të dielën se ka alokuar 200 milionë juanë (rreth 28.05 milionë dollarë) nga buxheti i shtetit, në ndihmë të lehtësimit dhe trajtimin të pasojave të fatkeqësive natyrore në provincat Hu’nan dhe Jiangxi të goditura nga përmbytjet. Fondet do të përdoren për të financuar rimëkëmbjen emergjente të shkollave, spitaleve, objekteve të kontrollit të përmbytjeve, si edhe objekteve të tjerave të dëmtuara nga përmbytjet në të dyja provincat.
Për më tepër, në zonat e prekura u dërguan furnizime emergjente për banorët e evakuuar, duke përfshirë 470.000 njësi nga ndërmarrjet dhe 80.000 nga organizatat shoqërore.
Më shumë se 700 banorë të prekur, u strehuan në një konvikt të shkollës profesionale në kontenë Huarong. Përveç kësaj, shumë studentë dolën vullnetarë për t'u çuar fshatarëve gjërat e nevojshme si ushqime dhe pajisje ushqimore.
“Falë vizitave derë më derë dhe paralajmërimeve me altoparlantë në fshat, unë dhe bashkëshorti im u evakuuam me kohë”, tha Ye Yanjiao nga fshati Tuanbei, e cila është në të 70-at. "Ne ndihemi të sigurt duke qëndruar këtu," shtoi ajo.
Sipas stafit në pikat e evakuimit, mbi 120 vullnetarë po punojnë fort për të ofruar shërbime dhe mbështetje në shkollë.(Zhang Yan/Elona)