Tuneli i Llogarasë (Foto Youtube)
Më 5 korrik 2024, u hap për qarkullim Tuneli i Llogarasë, 5.9 km i gjatë, një ndër tunelet më të gjatë në Ballkan. Ai u ndërtua me fonde të Buxhetit të Shtetit dhe po kushton 207 milionë euro.
Tuneli përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore të Shqiperise, një investim historik, i cili e transformon qarkullimin rrugor drejt Jugut të Shqipërisë, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit dhe vendit në tërësi.
Tuneli i Llogarasë është tuneli më i gjatë rrugor në vend. Ai lidh Vlorën, kryeqendrën e Jugut të Shqipërisë, me Rivierën Shqiptare, një perlë të natyrës, me bukuri të pashoqe dhe plazhe të shumtë e të virgjër, përgjatë bregdetit.
Tuneli shmang kalimin në Qafën e Llogarasë, 1027 metra mbi nivelin e detit, duke eliminuar kështu rreth 600 metra lartësi, kalimet e ngushta, me shumë kthesa dhe tejet të pjerrëta të rrugës aktuale të Qafës së Llogarasë, si dhe amortizimin e shpejtë të makinave.
Tuneli i Llogarasë, me shpejtësi maksimale të lejuar 80 km në orë, shkurton distancën nga Vlora në Palasë, nga 1 orë në vetëm 20 minuta.
Me këtë akses më të shpejtë në Rivierën Shqiptare, sipas parashikimeve të ekspertëve të tregut imobiliar, të 48 mijë apartamentet në Rivierë nga Palasë e deri në Ksamil, do ta shohin të rritur vleren e tyre të tregut me të paktën 30-50 euro për metër katror, ose mbi 280 milionë euro.
Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, ka qenë një proces i gjatë, por i mirëstudiuar, me dy gara ndërkombëtare. Fillimisht ka qenë gara ndërkombëtare e studimit dhe e projektimit të detajuar.
Më pas, ka ardhur faza e ndërtimit të këtij tuneli, e cila ka zgjatur tre vjet. Ndërtimi ka patur sfida jo të vogla, përsa i përket gjeologjisë së mjedisit shkëmbor ku është punuar.
Sipas INSTAT, Riviera Shqiptare, bregdeti i detit Jon nga Vlora deri në Sarandë, ka patur gjatë vitit 2023 mbi 5.8 milionë vizitorë vendas dhe të huaj. Për këtë vit, operatorët turistikë mendojnë se Riviera Shqiptare, edhe për shkak të lehtësimit të aksesit përmes Tunelit të Llogarasë, do të presë të paktën 30 përqind më shumë vizitorë.
Aksesi më i shpejtë në Rivierë, përmes Tunelit të Llogarasë, do t’i japë një impuls të ri turizmit, sidomos atij në periudhën e verës, duke e shtuar, në tërësi, me qindra milionë euro vlerën e dhjetra mijëra ndërtimeve, apartamenteve, dyqaneve dhe hoteleve, nga Palasa nga ku del tuneli, e deri në Ksamil, në jug të Sarandës.
Këtë vit, Tuneli i Llogarasë do të jetë i hapur nga data 5 korrik deri në datën 30 shtator 2024, nën monitorimin e policisë rrugore, por me parametrat e plotë të sigurisë. Kalimi për këtë vit do të kryhet pa pagesë.
Planimetria e Tunelit të Llogarasë (Foto A2CNN)
Në tetor 2024, tuneli do të mbyllet për qarkullim, për t’u kompletuar ndërtimi i tij në pranverë të vitit 2025.
Kjo vepër përbën krenarinë e rrugëve shqiptare. Tuneli i Llogarasë do t’i shërbejë shumë Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke i mundësuar udhëtarit që vjen prej tij, që të jetë në Rivierën Shqiptare 40 minuta më shpejt se më parë.
Pamje nga Tuneli i Llogarasë (Foto Konica.al)
Të dyja këto veprat infrastrukturore do të shërbejnë për njohjen më të madhe të Shqipërisë dhe për zhvillimin e qendrueshëm të turizmit, industrisë numër një të vendit.
Parashikimet nga operatorët turistikë janë që Tuneli i Llogarasë dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do ta shtojnë turizmin shqiptar me një të pestën e vëllimit të tij për vitin 2025 dhe në vijim.