Në Astana të Kazakistanit u mblodh samit i Organizatës për Bashkëpunim e Shangait. Në të morën pjesë liderët e vendeve anëtare, vëzhguese e partnere në dialog, përfshirë presidentin e Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe presidentin e Republikës së Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan. Ky samit nisi me datën 2 korrik dhe u mbyll me datën 6 të këtij muaji. Presidenti Xi vizitoi jo vetëm Kazakistanin, por edhe Taxhikistanin.
liderët e vendeve anëtare, vëzhguese e partnere të OBSh-it u mbledhën në samitin e OBSh-it në Astana të Kazakistanit/Xinhua
Ajo që ra në sy kishte të bënte më shumë me takimet bilaterale midis udhëheqësve të vendeve anëtare, të asocuara ose në partneritet të nismës kineze të Shangait. Pjesëmarrjen dhe qëllimet e vizitës së Presidentit Xi në Kazakistan e në samit i përmendi një ditë para fillimit të punimeve të samitit, ambasadori kinez në Astana, Zhang Xiao. Ai foli për China Global Television Network dhe sqaroi se pse presidentit i shtetit do të jetë i pranishëm në samitin e Këshillit të shefave të shteteve të OBSh-së. Ndërkohë që i kushtoi vëmendje të veçantë marrëdhënieve midis Kinës dhe Kazakistanit.
Presidenti Xi Jinping bëri në fakt vizitën e dytë në dy vitet e fundit në këtë vend dhe kjo shpreh një domethënie të veçantë të marrëdhënieve midis tyre. Duket qartë se Kazakistani dhe vendet e tjera të Kaukazit kanë rëndësi jetike për interesat kineze e sidomos në nismën e ndërtimit të Rrugës së Mëndafshit. Pekini ishe këto vende si urë lidhëse midis Azisë dhe Europës në iniciativën e tij “Një Brez – një Rrugë”!
Presidenti kinez Xi Jinping u takua me presidentin e Kazakistan-it Kassym-Jomart Tokayev/Xinhua
Kjo do të thotë se vizita e presidentit kinez në Kazakistan e shoqëruar me pjesëmarrjen në samitin e OBSh-së është domethënëse për marrëdhëniet fqinjësore Kinë-Kazakistan e gjithashtu për forcimin e paqes e të sigurisë në rajon. Në këtë kuptim edhe vetë Organizata e Bashkëpunimit të Shangait e themeluar para 23 vitesh shkon e orientohet edhe në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit të atij rajoni e më gjerë. Po të kemi parasysh faktin se vendet anëtare të kësaj organizate kanë në kufijtë e tyre 40 përqind të popullsisë së botës, atëherë është e lehtë të kuptohet jo vetëm forca e gravitetit të saj, por edhe fakti se ajo është më e madhja organizatë në glob pas OKB-së.
Në një botë turbulente e në konflikte, të cilën e shohim sot, organizimi i njerëzimit në organizata të tilla shërben dhe do të shërbejë për rritjen e kohezionit, bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe përdorimit të mjeteve të paqes për zgjidhjen e konflikteve. Kjo do të thotë se diversiteti i organizimeve rajonale për çështjet e bashkëpunimit, sigurisë, paqes dhe stabilitetit, tregtisë, ekonomisë dhe shkëmbimeve kulturore, e forcon rendin e sotëm botëror, sa kohë që ato i përmbahen Kartës së OKB-së dhe rregullave ekzistuese. Ky është rasti me OBSh-në.
Në këtë kuptim Organizata për Bashkëpunim e Shangait vepron si organizëm i gjallë në ruajtje të stabilitetit, pavarësisht të qenit anëtar i kësaj organizate. Në fund të fundit samite të tilla shërbejnë për uljen e tensioneve, sepse askush në atë samit katër ditor nuk predikoi konfliktin ose luftën. Përkundrazi, pati propozime për ndërmjetësimin e paqes dhe të uljes në bisedime.
Presidenti kinez Xi Jinping mbajti fjalim në Takimin e 24-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait(OBSh)/Xinhua
Pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait janë edhe vende, të cilat duket se nuk kanë interesa të njëjta me disa vende të tjera. India dhe Turqia p.sh janë dy vende të fuqishme, të cilat janë kyçur në këtë organizatë me qëllim që të bëhen pjesë e projektit për paqe e bashkëpunim, edhe pse ka raste që ato nuk pajtohen me qëllimet e veprimet politike të ndonjë vendi tjetër. Por unë shoh se Republika Popullore e Kinës është dhe mbetet i vetmi vend i kësaj organizate me më pak konflikte me vendet e tjera anëtare, të asocuara ose partnere në dialog.
Zgjerimi i organizatës në dhjetë vende anëtare, kërkesat e tjera të shteteve të ndryshme, deri te Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara, për të vëzhguar dhe dëgjuar se çfarë përfaqëson Organizata e Shangait, si dhe interesi i shtuar për këtë, thonë shumë për autoritetin në rritje të saj. Pjesëmarrja e Turqisë si partnere në dialog, e cila është njëkohësisht anëtare e NATO-s, e bën shumë të besueshëm faktin se Organizata e Bashkëpunimit e Shangait ndjek synime të pastra për t’i dhënë botës më shumë stabilitet, paqe e siguri. Pa një garanci të tillë nuk do të afroheshin pranë kësaj organizate vende të tilla si India, Turqia, vendet e Kaukazit, ato arabe e të Lindjes së Mesme, shumë prej të cilave ruajnë marrëdhënie preferenciale me Perëndimin.
Ndaj dhe samiti i Astanasë në Kazakistan duhet parë si një ngjarje në dobi të njerëzimit. Në fund të fundit janë vendimet që merren në samite të tilla, ato që përcaktojnë kualitetin dhe frymën e vetë organizatës. Ashtu si më parë, edhe këtë samit e përshkoi përgjegjësia për paqen e sigurinë, për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në dialog dhe si i tillë ai ishte i suksesshëm.