Aksi rrugor Thumanë-Kashar ofron siguri të lartë për automjetet
2024-07-08 10:45:17

Aksi rrugor Thumane- Kashar (Foto ATSH )

Aksi rrugor Thumane- Kashar (Foto ATSH )

Hapja e qarkullimit në aksin Thumanë- Kashar është mirëpritur nga shumë qytetarë dhe ka dhënë menjëherë efekt në çlirimin e trafikut. Zv.kryeministrja Belinda Balluku është shprehur se “kjo është  dallëndyshja e parë e kategorisë A për Korridorin Blu, më pas vazhdon Thumanë-Miloti”. Ekspertët rrugorë vlerësojnë  cilësinë që gëzon aksi i inaguaruar me standard të kategorisë A.

Aksi rrugor Thumanë-Kashar ofron siguri të lartë për automjetet

Është hapur pasditen e 30 qershorit qarkullimi në aksin rrugor Thumanë- Kashar, i cili është segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë-Milot, Kashar-Lekaj dhe Lekaj–Fier. Hapjen e këtij aksi e bënë automjete të vjetra dhe retro. Zv.kryeministrja Belinda Balluku u ndal tek standardi i lartë që gëzon ky arter i rëndësishëm.

“Ky është standard i kategorisë A, është kategoria më e lartë e kritereve evropiane të korridoreve, të trafikut rrugor. Unë besoj në të gjitha parametrat, pasi ne kemi qenë shumë insistues në efektin e kohës, kishim një kërkesë  që ta kapnim këtë sezon dhe të mos i lejonim edhe një herë të vuanin trafikun e tmerrshëm të Fushë-Krujës, jo vetëm shqiptarët, por edhe turistët e huaj, kështu që efekti i kohës ka qenë i rëndësishëm për ne, por nga ana tjetër nuk kemi toleruar në cilësi. Është kategori A, kështu janë autostradat e reja evropiane sepse nuk janë të gjitha autostradat evropiane të kategorisë A, nëse kujtojmë një pjesë të Italisë apo pjesë të tjera, janë edhe ato të amortizuara nga vitet. Ky është një kriter i vendosur vitet e fundit në Evropë, që do të implementohet në të gjithë Korridorin Blu.”- tha Balluku në intervistën për Tv Klan.

Zv.kryeministrja shpjegon edhe projektet e afërta.

“Ne do të hapim garën për rrugën Milot-Balldren që është shumë e rëndësishme, është pjesa ku ndahet Shkodra me Lezhën dhe më pas për ta çuar deri në kufi. Në pjesën jugore kemi dy lote shumë të rëndësishme, të cilat do të fillojnë menjëherë nga puna që është nga rrethrrotullimi ku mbaron kjo rrugë ku ne jemi sot që shkon deri në drejtim të Lekajt. Lekaj nuk është vendndodhje shumë e dëgjuar për drejtuesit e automjeteve, kështu që unë po e quaj Rrogozhinë, pra është lidhja me Rrogozhinën, është një rrugë totalisht e re që do të hapet nga fillimi në fund, nuk ekziston. Ajo vazhdon në drejtim të Citypark-ut dhe del në kodrat e Kuç quhet zona atje, kodrat e Vorës dhe më pas ndjek gjithë rrugën e Ndroqit. Ka qenë një gjurmë e vjetër e ushtrisë të cilën është ndjekur deri diku dhe tashmë vazhdon e bëhet projekti. Del e shkurtuar, ajo do të jetë më komplekse por kjo ka qenë gjeologji më e mirë dhe më fushore.”

Segmenti do të ketë disa vepra.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit(Foto TiranaNews)

Zv.kryeministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit(Foto TiranaNews)

“ Është një segment më kompleks sepse do të ketë ura, disa tunele të vogla, gjeologjia e Tiranës nuk është gjeologji e mirë, pasi është shtuf dhe është shumë e vështirë të ndërtosh vepra infrastrukturore që kërkojnë qëndrueshmëri në zonë, por jam e sigurt që kompanitë shqiptare tashmë e kanë aftësinë për të ndërtuar vepra të mëdha, duket edhe nga rruga ku ndodhemi sot. Më pas, nga Rrogozhina do të vazhdojë në drejtim të bajpasit të Fierit.”

Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do varet nga lloji i mjetit, por nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro. Kjo tarifë do të përllogaritet çdo vit  dhe kompania private do mund ta rrisë atë në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro.

“Kemi marrë një vendim, kur nisëm pikërisht këtë rrugë të parë sepse kjo është rruga e parë që është përdorur instrumenti i pas rikoncensionit, kur nisëm këtë rrugë, ka qenë një negociatë e gjatë, e bazuar mbi një fakt të vetëm fillestar dhe të patolerueshëm që çdo koncesion i cili do të ngrihet në Republikën e Shqipërisë me pagesë, duhet të ketë si shoqëruese rrugën dytësore. Pra çdo koncesion, të gjitha segmentet e tjera si dhe ky shoqërohet me rrugët dytësore. Jo thjesht ato rrugë që jemi mësuar t’i quajmë lidhëse për komunitetin majtas dhe djathtas, por rrugë dytësore, që t’i jepet e drejta çdo drejtuesi automjeti të zgjedhë, të paguajë para në një rrugë shpejtësie të kategorisë A me 130 km/h apo kushte sigurie shumë të larta, apo të ndjekë një rrugë kombëtare që zakonisht janë të kategorisë C, që do të jetë në shërbim të qytetarëve.”- tha Balluku.

Ndërkohë Balluku bën të ditur se do të ketë edhe rrugë alternative dhe kalimi do të jetë pa pagesë për qytetarët.

“Rruga dytësore është pa pagesë dhe është zgjedhje e plotë e qytetarëve. Ka njerëz që duan të ecin  avash se nuk do të ketë më të njëjtin trafik edhe rruga dytësore sepse shumica e automjeteve edhe për shkak se çmimi është shumë i volitshëm, ky segment do të jetë 2.1 euro ose ndryshe 2100 lekë të vjetra. Ka një kategorizim, ne po flasim për automjetet private ndërkohë  kamionët, automjetet e rënda që krijojnë një impakt tjetër në rrugë,  pra amortizimi që i krijojnë automjetet e  rënda është shumë i madh, do të kenë një çmim tjetër.”

Nga ana tjetër, në intervistën për Tv Klan,  ministrja theksoi se do vijojnë punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, si dhe për rrugën Ndroqit.

“Tiranë-Durrësi nga sheshi “Shqiponja” deri në Durrës shkon me 3 korsi. Kontratat e para nisin menjëherë, kantieri do të mobilizohet në shtator sepse nuk duam të krijojmë problematika tani dhe do të kemi një rrugë që do të ketë 3 korsi, plus korsinë e emergjencës, pra në total 4 korsi nga të dyja krahët. Tiranë-Durrësi do të adresohet shumë shpejt.”

Planimetria e rrugës Thumanë -Kashar (Foto ATSH)

Planimetria e rrugës Thumanë -Kashar (Foto ATSH)

Me marrjen e zhvillimit, rruga e Ndroqit pritet të nxisë edhe sektorin e agroturizmit.

“Ajo është shumë e bukur dhe ne aty kërkojmë të nxisim agroturizmin sepse ka shumë ferma, ka produkte dhe besojmë që duke rehabilituar atë rrugë, gjurma do të qëndrojë e njëjtë përveç disa vendeve ku do të eliminojmë kthesat për arsye sigurie dhe ne mendojmë që do të nxisim të tjera ferma që do të ngrihen në atë zonë sepse është zonë jashtëzakonisht pjellore, me njerëz shumë punëtorë dhe ne mendojmë që mund të kthehet në një pol tjetër të Tiranës sa i përket pjesës së agroturizmit. Planet janë të mëdha.”

Ndërohë eksperti i sigurisë rrugore, Arben Luzi në një intervistë në Ora News u shpreh se rruga e Thumanës ishte me shumë problem dhe se duhet kushtuar më shumë vëmedje infrastrukturës.

“Që në kategorizimin e rrugës, e cila është rrugë e kategorisë A, atëherë ajo është autostradë me të gjithë parametrat e autostradës në Shqipëri. Është ndër tre rrugët e veçanta që ka Shqipëria dhe janë autostradë dhe ka shpejtësinë maksimale sipas ligjit shqiptar. Këto kanë patjetër edhe sigurinë më të lartë të ecjes së mjeteve. Është një rrugë që të gjithë e kemi vuajtur, e kemi pritur me shumë durim. Një rrugë nga Thumana ose aty ku mbaronte rruga e Kombit që ishte pjesa nga Thumana deri në Fushë Milot ka akoma disa të meta dhe nuk po kalon në kategorinë e autostradës.”- tha  eksperti Luzi.