Gjatë udhëtimit në Kinë, Presidentja e Perusë Dina Boruarte deklaroi vazhdimisht se do të forcojë bashkëpunimin me Kinën, veçanërisht në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Gazetarja Zou Yun: Ditët e fundit vizituat disa kompani kineze, përfshirë BYD dhe Huawei. Nëntorin e kaluar, kur u takuat me Presidentin e Kinës Xi Jinping, gjatë takimit jo zyrtar të udhëheqësve të APEC, ai vuri në dukje se ne duhet të kultivojmë bashkëpunime të reja si ekonomia dixhitale dhe zhvillimi i gjelbër. Pasi vizituat ditët e fundit këto ndërmarrje kineze të teknologjisë së lartë, a keni ndonjë frymëzim të ri?
Dina Boruarte: Gjatë vizitës në Huawei kuptuam që ata përmes teknologjisë dixhitale janë përfshirë në fusha të ndryshme, si mjekësia, bujqësia, arsimi dhe zgjidhja ekonomike e tregtare. Kjo gjë është e mahnitshme!
Në të vërtetë, ashtu si edhe Kina, ne i kushtojmë vëmendje të madhe transformimit energjetik. Aktualisht, struktura energjetike e Perusë ka nevoja urgjente për ndryshim, ndaj ne përshëndesim kompanitë e prodhimit të automobilave në Shenzhen, që janë në gjendje të prodhojnë pothuajse 100% automjete elektrike. Këto automjete elektrike nuk lëshojnë praktikisht asnjë emetim karboni, gjë që duhet ta bëjmë të gjithë për të mbrojtur vendin tonë dhe planetin e vetëm që kemi. Kjo nuk është vetëm për mirëqenien e popullit peruan dhe kinez, por edhe për të ardhmen e gjithë njerëzimit.
Gazetarja Zou Yun: Në Kinë, ju jo vetëm vizituat shumë kompani dhe provuat hekurudhën me shpejtësi të lartë, por provuat edhe automjetet me energji të re, e kështu me radhë. Kolegët tanë kanë ndjekur itinerarin tuaj gjatë ditëve të fundit. Ne kemi prodhuar posaçërisht një video të shkurtër.
Dina Boruarte: Po, pothuajse kam thyer vezët e thëllëzës. Natyrisht, unë nuk jam kirurg, por pata mundësinë të operoj me një robot kirurgjik me precizion të lartë, që është një nder i madh! Telemjekësia përmes robotëve mund të shpëtojë jetë me saktësi, pa marrë parasysh distancën. Këta robotë dixhitalë mund të kryejnë operacione në distancë në zemër dhe mushkëri, duke shpëtuar jetë në zonat rurale, ku shërbimet mjekësore janë të vështira për t'u arritur.
Për më tepër, ne vizituam fabrikat e prodhimit të makinave dhe u mahnitëm me shpejtësinë e montimit të tyre. Mbaj mend që pashë procesin e plotë të montimit, nga ndërthurja e komponentëve deri në fazën e makinës së përfunduar që dilte jashtë linjës. Madje më dhanë një makinë model, i cili ishte ende i ngrohtë, si bukë e sapopjekur.
Makinat elektrike të paraqitura nga BYD janë pikërisht ato që na duhen. Ministri ynë i transportit tashmë po komunikon, duke shpresuar t'i paraqesë këto automjete elektrike në Peru, përmes tregtisë dhe bashkëpunimit dypalësh në modelin "nga Chancay në Shanghai", veçanërisht për përdorim në industrinë e taksive.(Xu Guang)