Alp Isufi është një këngëtar i ri, i talentuart nga Kosova me një zë të veçantë. Ai ka filluar të merret me muzikë që në moshë të vogël. Fillimisht ka qenë pjesë e asnamblit me çifteli, dhe prej tetë vitesh është fokusuar më shumë në muzikën popullore dhe atë moderne. Alpi ka publikuar së fundi këngën “Damsa”, një produksion muzikor që është pritur mirë nga publiku. Gjatë sezonit veror ai bashkë me grupin e tij muzikor marrin pjesë në dasma dhe gëzime të tjera familjare. Gjithashtu ai është pjesë e koncerteve në diasporë, ku performon me grupin e tij muzikë popullore të trevave të ndryshme. Në një intervistë për Radio Ejani Alp Isufi tregon për fillimet e tij muzikore, aktivitete brenda dhe jashtë si dhe projektet në vazhdim.
Alp Isufi duke kenduar (Foto personale)
CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja në muzikën popullore?
Alp Isufi: Unë kam filluar të merrem me muzikë si çdo muzikant ose këngëtar dhe fillimisht e kam nisur karrierën në ansambël me çifteli. Pastaj kam vazhduar me muzikë popullore, sepse kam dashur të përparoj më shumë në këtë profesion. Gjithashtu kam edhe vëllain që më shoqëron prej vitesh me sinda, por hapat e parë kanë qenë me çifteli.
CMG: Sapo ke publikuar këngën e re “Dasma”. Si është pritur kjo këngë nga publiku?
Alp Isufi: Ky projekt muzikor është pritur shumë mirë nga publiku, sepse është një këngë për dasma dhe gëzimet familjare. Kjo këngë nuk lidhet vetëm me dasmën, por mund të këndohet dhe në fejesa e gjithçka që është për gëzim.
CMG: Cila nga këngët e publikuara është pritur më mirë nga artdashësit?
Alp Isufi duke perormuar (Foto personale)
Alp Isufi: Besoj se kënga më e pëlqyer nga publiku është “Ike”, tekstin dhe vijën melodike e kam bërë vetë dhe deri sot është kënga më e sukseshme.
CMG: Me cilët nga kolegët e muzikës keni bërë duete?
Alp Isufi: Deri tani kam bërë duet me Naile Halilin, një këngë që e kemi bërë për xhirimet e vitit të ri dhe është pritur mirë. Këtë këngë e ka realizuar Ermal Krasniqi.
CMG: Cilat nga trevat e Shqipërisë preferon të lëvrosh më tepër si këngëtar?
Alp Isufi: Besoj se të gjitha trevat, sepse angazhimi im dhe i vëllait në muzikë ka qenë që të përfaqësojmë të gjitha trevat e Shqipërisë dhe Kosovës. Në repertor kemi këngë për secilën trevë dhe nuk e kemi shumë problem këtë gjë.
CMG: Ke bërë ndonjë duet me vëllain?
Alp Isufi: Vëllain vetëm i bie sindit. Ai këndon për qejf në shtëpi, por më shumë luan me sind.
Alp Isufi gjate nje eventi me grupin (Foto personale)
CMG: Këngën e ke të trasheguar nga ndonjë pjestar i familjes?
Alp Isufi: Babai ka kënduar pak, por më shumë për qejf me shoqëri. Gjyshi i ka rënë kavallit, por ata nuk kanë qenë profesionistë, vetëm bënin muzikë në shtëpi ose me shoqëri. Ne më shumë talentin na e ka dhënë Zoti dhe përkushtimi ynë ka bërë të arrijmë deri këtu.
CMG: Ke një zë të veçantë dhe këngët i përcjell bukur dhe ëmbël.
Alp Isufi: Faleminderit shumë për komplimentin. Unë kam punuar në atë drejtim, që mos të kopjoj dikë tjetër. Dua të jem Alpi në interpretimin e këngëve.
CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksione muzikore?
Alp Isufi: Deri sot kam punuar me shumë studio. Aktualisht po bashkëpunoj vetëm me Blerim Hazirin, një producent shumë i mire, i cili ka bërë shumë këngë që sot janë hite muzikore. Zakonisht tekstet i shkruaj vetë dhe vijën melodike e nis gjithmonë unë në studion time.
Alp Isufi gjate nje programi muzikor (Foto personale)
CMG: Ke ndonjë këngëtar idhull, qoftë të Kosovës apo Shqipërisë?
Alp Isufi: Unë i dëgjoj të gjithë këngëtarët, secilin këngëtar shqiptar që ja vlen ta dëgjosh. Ymer Bajramin e kam pak më qejf dhe që më kënaq zemrën kur këndon.
CMG: Si do jetë për ty ky sezon veror në lidhje me gëzimet familjare dhe aktivitetet e tjera muzikore?
Alp Isufi: Sivjet është më mirë se vitin e kaluar. Ne shpresojmë gjithmonë që çdo vit të vijë duke u rritur. Këtë vit është pak më mirë dhe ndjehem shumë i lumtur që na kanë zgjedhur ne. Është përgjegjësi e madhe të jesh pjesë e dasmës dhe duhet me qenë shumë i koncentruar dhe i përpiktë në secilën dasëm.
CMG: Ke marrë pjesë dhe në koncerte apo festa familjare për bashkëatdhetarët që jetojnë jashtë?
Alp Isufi: Kam qenë në disa koncerte në diasporë, sivjet ishim në Gjermani dhe Zvicër. Në Gjermani kam qenë në tre dasma, kurse në Zvicër kam punuar në një klub nate me muzikë live. Jemi pritur mjaft mirë edhe nga bashkëatdhetarët që jetojnë në Gjermani e Zvicër. Ndërkohë po presim aktivitete të tjera në muajin nëntor në Zvicër e Gjermani, pasi të përfundojmë sezonin këtu.
CMG: E ke veshur ndonjëherë kostumin popullor tradicional?
Alp Isufi ne nje event (Foto personale)
Alp Isufi: Kostumin popullor e kam veshur shumë shpesh, gjatë kohës që kam qenë në ansambël. Unë i dua shumë veshjet popullore dhe ndjehem shqiptar kur jam i veshur me to. Besoj se veshjet tona popullore janë më të mirat dhe më të bukurat në botë.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Alp Isufi: Kam katër këngë të papërfunduara. Janë vetëm ideja dhe tekstet që i kam shkruar vetë, por njëra prej tyre po na pëlqen pak më shumë. Unë marr mendimin e krejt familjes dhe vendosim se cila na pëlqen më tepër. Kështu që këngën që na ka pëlqyer më shumë do ta përfundoj dhe ta publikoj së shpejti. Projekte kam shumë, si xhirimet në fundvit, projekte me folklor dhe shumë projekte të tjera këtë vit.
Intervistoi: Gazmend Agaj