Publiku i Madridit shijon spektaklin plot ngjyra të traditës Wu
2024-07-05 11:07:32

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Me kombinimin e saj të muzikës, vallëzimit dhe dramës, Opera Wu e vënë në skenë nga një trupë nga provinca Zhejiang e Kinës u prit me entuziazëm nga audienca në kryeqytetin spanjoll, Madrid, fundjavën e kaluar.

Rreth 2,000 njerëz ndoqën dy shfaqje të paraqitura nga Qendra Kërkimore e Operas Wu, Zhejiang.  Publiku vlerësoi shkathtësinë e artistëve, dramën, lëvizjet e tyre, spektaklin shumëngjyrësh dhe poezinë e zhanrit operistik rajonal, i cili është shfaqur për rreth 500 vjet. Në skenë, ky zhanër shpërfaq një karakter dhe stil të veçantë. Inskenimi është gjithashtu mahnitës, me koreografi shpërthyese, muzikë tingëlluese dhe kostume të mrekullueshme.

"M’u duk shumë interesante. Kombinimi i muzikës ishte kaq i pazakontë, Pastaj ishin akrobacitë, gjestet dhe lëvizjet. Mendoj se ishte një shfaqje e gjallë, plot ngjyra dhe unike",- tha Patricia Garcia, një mësuese muzike, pasi ndoqi shfaqjen.

Ajo tha se publiku ishte i pasionuar dhe i përfshirë që në fillim. "Mendoj se ishte një shfaqje shumë tërheqëse dhe ndryshe nga çdo gjë tjetër. Një shfaqje që pati atë efektin që m’u duk sikur më transportoi në Kinë",- shtoi ajo.

Gjatë shfaqjes, e cila zgjati për një orë e gjysmë, publiku u njoh me shembuj të ndryshëm të Operës Wu, si Dragoi i Segmentuar në 9 Pjesë, solo suona (një instrument frymor me dy kallama), si dhe pjesë satirike, të tilla si “Udhëtimi me sedan” dhe “Tre triumfe ndaj demonit skeletor”.

Amaya Niz Azpiroz, një mbikëqyrëse në kompaninë “Lufthansa Airlines”, tha se është shumë e interesuar për kulturën dhe artin kinez dhe kjo ishte hera e parë që ndiqnte nga afër një shfaqje të Operës Wu.

“Më pëlqeu për shkak të ngjyrave. Më pëlqeu që ishte shumë e  thjeshtë për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Por ashtu për gjestet dhe ekspresivitetin”,- tha ajo, duke shtuar se shpresonte të ndiqte më shumë shfaqje në të ardhmen.

Concepcion Gutierrez, një profesioniste në pension, tha se dragoi i bëri veçanërisht përshtypje.

"Vajza që shpërndante lulet ishte kaq delikate. Dhe pastaj, sigurisht, ishte gatishmëria e përgjithshme e interpretuesve, si dhe ngjyrat",- tha ajo.

Mes publikut të gjerë që ndoqi shfaqjet kishte edhe nga ata, si Rebeca Mato, që kishin ardhur nga larg. Rebeca ka qenë violonçeliste për 33 vjet në Orkestrën Filarmonike të Universitetit Kombëtar Autonom të Meksikës dhe qëlloi të ishte me pushime në Spanjë në ditët kur u vunë në skenë shfaqjet.

Mato tha se regjistri muzikor i Operas Wu është i ndryshëm nga ekuivalentët perëndimorë dhe performanca prodhoi emocione të ndryshme. Sipas saj, interpretuesit treguan një koordinim të jashtëzakonshëm. "Ata bënë shumë akrobaci, ata kërcenin... ata janë artistë të mirë", - tha ajo.

Opera Wu, e njohur gjithashtu si Jinhuaxi, është zhanri i dytë i madh operistik rajonal në provincën Zhejiang të Kinës. Ajo është një formë e teatrit tradicional kinez që ndërthur muzikën, performancën vokale, kërcimin dhe artet marciale.

Fillimisht ky zhanër fitoi popullaritet në dhe rreth Jinhua. Më pas u quajt pas Wuzhou, emri i kohës për Jinhua moderne.