Xi dhe Rahmon zhvillojnë bisedime në sferë të gjerë
2024-07-05 21:40:15

Të premten pasdite sipas orës vendore, presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime në sferë të gjerë me homologun e tij të Taxhikistanit Emomali Rahmon, në rezidencën presidenciale në Dushanbe.

Gjatë bisedimeve, Xi Jinping-u tha: "Po e vizitoj vendin tuaj edhe një herë pas pesë vjetësh dhe pashë një Taxhikistan më të begatë. Si fqinjë miqësorë dhe partnerë strategjikë gjithëpërfshirës, gëzohemi për këtë nga zemra. Besoj se, nën udhëheqjen tuaj, Taxhikistani do të arrijë patjetër objektivat kombëtare të zhvillimit."

Më tej ai shtoi: "Ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Taxhikistan, me miqësi brez pas brezi, me solidaritet në të gjitha rrethanat dhe me përfitime të përbashkëta është një vendim politik i marrë nga ne së bashku, që është në përputhje me prirjen e përgjithshme të kohës dhe me interesat e përbashkët të të dy vendeve e dy popujve. Në rrethanat e reja, Kina është e gatshme të punojë me Taxhikistanin për të zhvilluar një partneritet të gjithanshëm strategjik në epokën e re dhe për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta Kinë-Taxhikistan nga një pikënisje më e lartë."

Pala kineze do të vazhdojë të nxisë pa u lëkundur bashkëpunimin miqësor dhe me përfitime të ndërsjella midis Kinës e Taxhikistanit dhe do të mbështesë fuqishëm ndjekjen e një rruge zhvillimi nga Taxhikistani në përshtatje me gjendjen e tij konkrete, përpjekjet e Taxhikistanit për të ruajtur pavarësinë, sovranitetin e tërësinë territoriale dhe masat politikee të zhvillimit të ndërmarra nga presidenti Rahmon, duke kundërshtuar me vendosmëri ndërhyrjen në punët e brendshme të Taxhikistanit prej çfarëdo force të jashtme që nën çfarëdo preteksti. Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, Kina do të jetë gjithmonë një vend mik i besueshëm, një partner mbështetës dhe një vëlla i ngushtë i Taxhikistanit, theksoi Xi Jinping-u. (Wang Lei/ Artan)