Takimi i 24-t i Këshillit të Kryetarëve të Vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana ka mbledhur më 3 dhe 4 korrik liderë të vendeve anëtare, vëzhgues dhe partnerët e dialogut, si dhe ka patur praninë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Gutierres. Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), e themeluar në vitin 2001 përbën institucionin rajonal më të madh dhe me popullsinë më të madhe në botë. Vendet anëtare të OBSh-së kanë një sipërfaqe të përgjithshme prej 36 milionë kilometrash katrorë, duke mbuluar tre të pestat e Eurazisë dhe një popullsi prej 3.4 miliardë banorësh, sa rreth 43 për qind e popullsisë së përgjithshme të botës. Qëllimi fillestar i OBSh-së ishte të luftonte kundër "tre forcave të së keqes": terrorizmit, separatizmit dhe ekstremizmit, që dikur shqetësonin rajonin, por me kalimin e viteve bashkëpunimi ndërmjet vendeve anëtare është zgjeruar me transportin, energjetikën, financat, investimet, bujqësia, teknologjia e informacionit, risitë dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Në këtë takim të 24-të të OBSH-së krerët e shteteve pjesëmarrëse kanë shkëmbyer biseda, është publikuar Deklarata e Përbashkët Kinë-Azerbajxhan për Vendosjen e Partneritetit Strategjik, u hap Rruga eTransportit të Shpejtë Kinë-Evropë të Trans-Kaspikut, si dhe janë zhvilluar takime të krerëve të shteteve pjesëmarrëse, veprimtari kulturore, arsimore dhe mediatike. Ndërkohë Kina bëhet vendi kryetar i radhës i OBSh-së për periudhën 2024-2025.
Analisti Dr. E. Ceko në intervistë për CMG
Analisti Dr. Enriko Ceko në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) analizon ecurinë e veprimtarisë së Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait ndër vite dhe potencialin e bashkëpunimit mes vendeve të kësaj organizate me ndikim jo vetëm në Azi, por dhe globale.
CMG: Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) e themeluar në vitin 2001 përbën institucionin rajonal më të madh dhe me popullsinë më të madhe në botë. Organizata është një partner strategjik i Kombeve të Bashkuara për çështjet politike, paqen dhe sigurinë. Cilat janë sipas jush objektivat e këtij takimi sivjet?
Dr. Enriko Ceko: Nëse do ta shohim në aspektin e konfigurimit territorial, ky është një rajon shumë i rëndësishëm në të gjithë rajonin e madh të Eurazisë, pasi është më i madh se Bashkimi Europian dhe më i madh se çdo vend tjetër i madh në botë. Brenda këtij territori ka shumë burime natyrore, financiare dhe njerëzore, jo thjesht që këto vende anëtare të pasurohen dhe të fitojnë popullaritet apo fuqi, por si një mundësi që duke zhvilluar këtë pjesë të globit të përfitojë dhe pjesa tjetër e tij.
Vendet anëtare të OBSH-së kanë partneritete shumë të rëndësishme ndërkombëtare jo vetëm midis njeri-tjetrit, por dhe me Europën, Afrikën, SHBA-në, Amerikën Latine apo Japoninë.
CMG: Duhet theksuar se OBSH është një partner i rëndësishëm i OKB-së dhe këtë e tregon edhe fakti që sekretari i përgjithshëm i saj, Antonio Guterres ishte i pranishëm në këtë Samit.
Dr. Enriko Ceko: Si organizatë para 23 vjetësh kur është krijuar OBSH është krijuar me qasjen për të patur më shumë siguri politike, ekonomike, kulturore dhe sociale për të luftuar “të keqen”, duke nënkuptuar luftën kundër separatizmit, terrorizmit dhe ekstremizmit, por për faktin se këto vende arritën sukses në objektivat e para që i vunë vetes, tani kemi qasjen që kjo organizatë po kthehet në një bazë të rëndësishme për zhvillim dhe për bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar, në aspektin e transnacionalizmit.
Liderë pjesëmarrës në Takimin e 24-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të OBSh-së, 4 korrik 2024, Astana, Kazakistan(Foto:Xinhua)
Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (OBSH) ka gjeneruar ide zhvillimore dhe për pjesën tjetër të botës, mjafton të kujtojmë iniciativat që ka ndërmarrë Kina për sigurinë globale dhe bashkëpunimin global, si dhe projektet e mëdha që ka ndërmarrë në kuadër të nismës së saj “Një brez, një rrugë”.
CMG: Nisma “Një brez, një rrugë” këtu e ka fillesën kur në 2013 presidenti Xi e shpalli këtë projekt në Kazakistan.
Dr. Enriko Ceko: Këto projekte nuk i përkasin thjesht Kinës apo vendeve të tjera, por kanë një karakter global zhvillimor. Azia Qendrore si rajon ka pothuajse gjysmën e popullsisë së globit, 3.4 miliard banorë, me një sipërfaqe prej 36 milion km katrorë, plot burime natyrore. Nëse do t’i referohemi pikëpamjes që ekziston sot në botë për hapjen e tregjeve, ku më shumë se në këtë rajon tregjet duhet të jenë të hapura për një fluks më të madh të kapitalit
CMG: Nëse bëjmë një retrospektivë, historikisht ky rajon ka patur një bashkëpunim dhe ndërveprim të shprehur qartë 2 mijë vet më parë me Rrugën e Lashtë të Mëndafshit.
Dr. Enriko Ceko: Pavarësisht se vendet e Europës Perëndimore, si dhe Japonia e SHBA popullsia ka të ardhura të larta, vendet e këtij rajoni të paktën 10 vitet e fundit kanë një dyfishim të të ardhurave si individë. Marrim Kazakistanin që është vendi pritës i Samitit të OBSH-së, bëhet fjalë për 14-15 mijë dollarë për frymë, pra të ardhura reale që përpara 10 apo 15 vjetësh as që bëhej fjalë.
CMG: Interesant është fakti se në mediat sociale në Shqipëri shihen shpesh oferta të agjencive turistike për të vizituar Kazakistanin.
Dr. Enriko Ceko: Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Gutierres ka hedhur dy piketa shumë të rëndësishme që ky samit mund të jetë një mekanizëm për t’u përballur me efikasitet me sfidat globale, sepse është një organizëm me një shumëpolaritet në botë. Multilateralizmi si pikëpamja kryesore që mbizotëron vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim sot është një pikëpamje gjithashtu sipas së cilës bota mund të zhvillohet shumë më mirë nëse ka shumë qendra të zhvillimit të saj.
Një fermë fotovoltaike e prodhimit të elektrikut nëpërmjet bashkëpunimit me Kinën, Kapchagay, Kazakistan (Foto:Xinhua)
CMG: Në një intervistë për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua, presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev tha se viti 2024 është shpallur Viti i Ekologjisë së kësaj organizate dhe Dokumentet ndërkombëtare në ekologji, mbrojtjen e territoreve natyrore, ekoturizmin, luftimin e ndryshimeve klimatike janë zhvilluar dhe janë planifikuar të miratohen. Në qendër të samitit është Strategjia e Zhvillimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait deri në vitin 2035. A është mjedisi një imperativ për vendet anëtare të OBSH-së?
Dr. Enriko Ceko: Vendet anëtarë të OBSH-së janë të parat që kanë përqafuar objektivin për reduktimin e dyoksidit të karbonit në atmosferë, si dhe vendet e para që kanë nënshkruar marrëveshje në Traktatin e Rios, Marrëveshjen e Lisbonës dhe Traktatin e Parisit, të cilat janë tre traktatet më të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen e mjedisit në botë. Nuk është rastësore që këto si grup vendesh që në fillim kanë nënshkruar këto marrëveshje dhe kur flasim për reduktimin e emetimit të dyoksidit të karbonit duhet të kemi parasysh që bëhet fjalë për financa të gjelbra, për zhvillim të mëtejshëm të teknologjisë nëpërmjet AI dhe digjitalizimit, duke reduktuar konsumin e energjisë për prodhimin e produkteve dhe shërbimeve, por nga ana tjetër duke shtuar prodhimin e energjisë sepse bota ka më shumë nevojë për produkte dhe shërbime të reja, inovative.
Vendet që bëjnë pjesë në OBSH janë lider në fushën e krijueshmërisë, inovacionit dhe standardeve. Për kuriozitet, Kazakistani zë vendin e parë në botë për numrin e standardeve ISO, të certifikatave të lëshuara për numër kompanish, sipas studimeve të vitit të fundit.
Ndërsa vendet e tjera bëjnë pjesë në 10 apo 20 të parat me më shumë krijueshmëri, inovacion, standarde dhe pronësi intelektuale, ndër to Kina, Irani, Pakistani përbëjnë motorin e pronësisë intelektuale
CMG: Në vitin 2013 pikërisht në Kazakistan presidenti kinez Xi shpalli nismën “ Një brez, një rrugë”, që ka funksionuar si “Rruga e re e mëndafshit” përmes rrjeteve të tregtisë globale dhe zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë Azinë, Evropën dhe Afrikën. Sa ka ndikuar ecuria tashmë 11 vjeçare e kësaj nisme për bashkëpunimin mes vendeve anëtare të OBSH-së ?
Taksi elektrike të markave kineze në Taxhikistan, Dushanbe, 2023(Foto:Xinhua)
Dr. Enriko Ceko: Ne i themi projekti “Një brez, një rrugë” por 2-3 vitet e fundit fjala projekt sikur i rri ngushtë dhe tani nisma është kthyer në një mekanizëm zhvillimor. Objektivi kryesor i këtij mekanizmi nuk është thjesht ai i ndërtimit dhe i projekteve infrastrukturore por si i tillë ndikon në mirëqenie, stabilitetin dhe begatinë në botë, duke krijuar mundësi për më shumë bashkëpunim. Në këtë drejtim duhet përmendur dhe energjitika si pjesë e nismës “Një brez, një rrugë”, ndër të tjera gazsjellësi Az Qendrore-Kinë, Korridori që përfshin Pakistanin dhe Kinës si dhe një tjetër projekt i madh, i cili ka gjetur dhe mbështetjen e Bashkimit Europian për ta kthyer Turqinë në një element në të cilin korridoret e gazsjellësve të kenë mundësi të investohen.
CMG: Turqia është një pikë e rëndësishme në takimin midis Europës dhe Azisë
Dr. Enriko Ceko: Sigurisht, qoftë në aspektin tokësor dhe ujor, por dhe në transportin intramodal dhe pikërisht këto zona bëjnë të mundur lehtësimin e zinxhirit të furnizimit. Gjatë periudhës së pandemisë u kuptua që në botë mungonin këto mekanizma, të cilat lehtësonin transportin intermodal. Kina hodhi idenë që nëpërmjet projektit “Një brez, një rrugë” të piketonte vendet ku bota ndjehej në vështirësi në logjistikë dhe të investonte në projekte për të lehtësuar përcjelljen e produkteve dhe shërbimeve.
CMG: Kina ka treguar një vemendje të shtuar ndaj rajonit të Azisë Qendrore. Një hap i madh në këtë proces ishte mbledhja e samitit të liderëve Kinë-Azinë Qendrore në maj 2023 dhe krijimi, në mars 2024, i një Sekretariati të përhershëm për të koordinuar mekanizmin Kinë-Azi Qendrore. Vizitat e presidentit Xi në Kazakistan dhe Taxhikistan a pritet të shtojnë bashkëpunimin mes Kinës dhe këtyre vendeve?
Dr. Enriko Ceko: Bashkëpunimi i Kinës jo vetëm me këto dy vende, por dhe me vendet e tjera është parë nga drejtuesit e këtij vendi si një mundësi përfitimi reciprok dhe shumëpalësh. Marrëdhëniet tregtare midis Kinës dhe Kazakistanit janë tek rreth 40 miliard dollarë dhe Kazakistani është një vend me sipërfaqe rreth 2,7 milion km katrorë dhe 20 milion banorë. Është interesante se edhe pse popullsia e përgjithshme është e madhe në kryeqytet banojnë vetëm 1.5 milion banorë. Kjo tregon një menaxhim të mirë burimesh natyrore dhe financiare.
Një tren i mallrave Kinë-Europë nis nga qyteti Jinhua i Kinës për në Azi Qendrore, 2021(Foto:VCG)
Shkëmbimet mes Kinës dhe Kazakistanit janë përqendruar në industrinë e rëndë dhe transport sepse Kina ka në këtë vend 45 projekte, nga të cilat 26 përfundojnë këtë vit ose vitin tjetër dhe pjesa tjetër në vazhdimësi. Priten dhe projekte të tjera ku Kina në Kazakistan do të transferojë teknologji dhe njohuri. Nga ana tjetër ka shumë mundësi që Kazakistani të bëhet eksportues i disa produkteve dhe shërbimeve të nevojshme për tregun kinez.
Ekonomia e Taxhikistanit dallon nga ajo e Kazakistanit sepse ka një prirje më industriale, por dhe për zhvillim rural.
CMG: Ka gjithashtu shkëmbime të shumta njerëzore mes Kinës dhe këtyre vendeve. Në fushën e arsimit këtë e tregon fakti se 10 mijë studentë kazakë frekuentojnë universitetetet kineze.
Dr. Enriko Ceko: Në 10 vitet e fundit në 100 universitetet më të mira në botë numri i universiteteve kineze është shtuar, sipas rankimit të universiteteve në botë.
CMG: Kina ka marrë presidencën e radhës së OBSH-së për periudhën 2024-2025 dhe autoritetet kineze janë shprehur se janë të gatshëm të punojnë me të gjitha palët për të ndjekur “Frymën e Shangait” dhe për të çuar përpara zhvillimin me cilësi. Brenda organizatës ka diskutime të ndryshme, madje dhe konkurrencë
Dr. Enriko Ceko: Këtu duhet parë efekti pozitiv i bashkëpunimit, te përplasja e mendimeve.
CMG: Edhe prania në Samit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së i cili e shikon këtë organizatë të rëndësishme në përparimin e veprimtarisë së saj do të sjellë shumë të reja
Dr. Enriko Ceko: OBSH është pranuar si vëzhguese në OKB që në krijimin e vet dhe nga viti 2010 për çdo vit në takimet me OKB-në bashkëpunimi me vendet anëtare të OBSH-së ka qenë pikë kryesore. Këtu bëhet fjalë për vendosjen e disa rregullave në globalizimin ekonomik dhe është e rëndësishme që edhe OKB dhe OBSH nuk e qasin veten si organizata politike, por janë zhvillimore dhe synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Në këtë kuadër edhe elementi i gjithëpërfshirjes, i cili mund ta çojë botën përpara.
Intervistoi Eda Merepeza