Rëndësia ekonomike e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë
2024-07-05 10:47:33

Viti 2024 përkon me 75 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës. Këto 75 vite shpalosin shumë arritje të bashkëpunimit kulturor, miqësor dhe ekonomik midis të dyja vendeve tona.

Gjatë këtyre shtatë dekadave e gjysëm bashkëpunim, si populli kinez, dhe ai shqiptar, kanë ushqyer simpati dhe respekt për njeri-tjetrin.

Janë dy popuj, të cilët, në situata të komplikuara të periudhës së Luftës së Ftohtë kanë qenë afër njeri-tjetrit dhe janë përpjekur të bashkëpunojnë dhe ndihmojnë njeri-tjetrin.

Sot vëllimi tregtar mes të dyja vendeve i ka kaluar të 1 miliardë dollarët dhe Kina përfaqëson partnerin e dyte tregtar të Shqipërisë. Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT, kemi importuar 940 milionë dollarë mallra nga Kina, ose afro 11 përqind të totalit.

Importet nga ky vend mik shënuan një rritje të ndjeshme me 21 përqind, në krahasim me vitin 2022. Produktet kryesore që marrim nga Kina janë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, me 48.5 përqind të totalit.

Në Shqipëri sot automjetet elektrike kineze, të bukura, cilësore, komode dhe me çmim të përballueshëm, janë kthyer në një realitet të prekshëm për disa prej nesh dhe të dëshirueshëm për shumë kush prej nesh.

Forcimi i bashkëpunimit Shqipëri-Kinë (Foto Tirana Diplomat)

Forcimi i bashkëpunimit Shqipëri-Kinë (Foto Tirana Diplomat)

Vitin e kaluar, Kina u ngjit si partneri i dytë i Shqipërisë, përsa i përket importeve. Grupi i dytë i importeve nga Kina përbëhen nga tekstile dhe këpucë, me 15 përqind të totalit, të ndjekura nga materiale ndërtimi dhe metale, me 14 përqind.

Eksportet e Shqipërisë në Kinë, pavarësisht se vijnë nga një bazë e vogël, janë në rritje. Vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT, ne eksportuam 101 milionë dollarë në ekonominë e dytë më të madhe të botës, ose 3.2 përqind më shumë se në vitin 2022.

Kina është vendi i 6-të në botë, tek i cili eksportojmë, për nga vlera në treg e eksporteve tona. Kryesisht, ne eksportojmë ferro-lidhje, xeherorë dhe koncentrate bakri, si dhe xeherorë dhe koncentrate kromi, pasi industria kineze është gjithnjë e etur për lëndë të tilla të para.

Kina është treg i madh dhe kompanitë shqiptare duhet të bëhen bashkë, si dhe të integrohen edhe në oferta rajonale, për t’i bërë të interesuara kompanitë importuese kineze, si shteterore dhe ato private. Rritja e eksporteve të produkteve bujqësore është pjesë e strategjisë për nxitjen e eksporteve, e cila ndiqet nga qeveria shqiptare.

Investimet kineze në ekonominë shqiptare, pavarësisht potencialit të tyre të lartë, të shprehur gjerësisht në rajon, përmes nismës së përbotshme shumë të suksesshme kineze “Një Brez, Një Rrugë”, nuk janë ende në nivelin e duhur.

Në këta 75 vite, ndërmjet të dyja vendeve tona janë lidhur mbi 60 marrëveshje ekonomike. Qeveria kineze përkrah dhe inkurajon kompanitë kineze për të investuar në Shqipëri në fushat e energjisë, infrastrukturës, shfrytëzimit të pasurive natyrore, etj.

Në janar 2023, të dyja qeveritë nënshkruan një marrëveshje për heqjen e vizave të hyrjes për qytetarët e tyre. Kjo marrëveshje i ka dhënë nxitje rritjes së ndjeshme të turistëve kinezë në Shqipëri, gjatë dy viteve të fundit.

Mundësitë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës janë të hapura dhe të gjera, në të gjitha fushat e ekonomisë.

Eksperti Eduard Gjokutaj 5 korrik 2024 Fatosi

Eksperti Eduard Gjokutaj 5 korrik 2024 Fatosi

CMG: Z. Gjokutaj, Kina sot është partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë në importe. Pse kanë rëndësi mallrat kineze për zhvillimin tonë ekonomik sot dhe në të ardhmen?

Eduard Gjokutaj: Kanë rëndësi të madhe. Besoj se asnjë biznes i mesëm apo edhe i vogël në Shqipëri, nuk ka marrëdhënie me Kinën në nivel individual.

Kjo, pasi ne kemi shumë blerje, që vijnë nëpërmjet teknologjisë së lartë kineze, por kemi edhe blerje, që vijnë sipas mënyrës së marrëdhënieve tradicionale të biznesit.

Më së shumti ndikojnë në importet nga Kina çmimet konkurruese të mallrave kineze, por edhe  fuqia e ulët blerëse e vendit tonë, e cila reflektohet tek çmimet që paraqiten ne tregun shqiptar. Dhe natyrshem, këto e gjejnë më së miri veten.

CMG: Në nivel të investimeve të Kinës në ekonominë tonë, për fat të keq, mundësitë në kuadër të Nismes “Një Brez, Një Rrugë” nuk janë shfrytëzuar si duhet deri tani. Shikoni oportunitet që këto investime, të cilat në disa vende të rajonit tonë kanë ecur shumë mirë, të ndihmojnë edhe Shqipërinë?

Eduard Gjokutaj: Duhet thënë që këto janë nisma politiko-ekonomike dhe luan më shumë rol ajo çfarë është politika e vendit, në momentin që flasim për qeverisjen në Shqipëri.

Këtu përfshihen ato projekte të mëdha infrastrukturore, projekte të mëdha të industrisë apo edhe projekte të mëdha të ekonomisë, që lidhen me zhvillimin agroturistik. 

CMG: Zonat e lira ekonomike janë një model biznesi që ndiqet nga të dyja vendet tona, pavarësisht se në Shqipëri nisma të tilla nuk kanë patur shumë sukses. A mund të përfitojmë ne nga përvoja kineze? A i shikoni zonat e lira ekonomike si të suksesshme në ekonominë tonë në të ardhmen?

Eduard Gjokutaj: Nisur nga vetë titulli i kësaj bisede, për marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Kinë, në këtë 75-vjetor të marrëdhënieve diplomatike dhe më gjerë, fillimisht duhet t’i referohemi historikut të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, të cilat nisën si marrëdhënie politike, por patën impakt të madh ekonomik në Shqipëri.

Duhet patur parasysh që Kina gjithmonë ka mbajtur marrëdhënie mirënjohëse karshi Shqipërisë, në vitet e vështira kur ajo ishte shtet i pakonsoliduar.

Këtë mirënjohje e ka kthyer mbrapsht, me investimet e saj në metalurgji, në hidrocentrale dhe në gjithë ata sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, që kishte ambicie atëhere qeveria shqiptare. Kjo u reflektua në fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar.

Tashmë Kina ka të tjera ambicie karshi vetevetes dhe botës, por mos të harrojmë vitet 2020-të, kur Kina ishte ndër shtetet e para që u  përgjigj për vaksinat.

Serbia dhe Mali i Zi janë pararoja e vendeve në Ballkan, që kanë pranuar investimet kineze dhe kjo lidhet me historikun e tyre. Mos të harrojmë që ishin pjesë e ish- Jugosllavisë, që ishte vendi më i paangazhuar, në aspekt të pakteve politike.

Ndërkohë, Jugosllavia ishte përfituesi më i madh në Ballkan i investimeve nga jashtë gadishullit. Kjo, pasi para politikës duhet të jetë ekonomia.

Tek ne sot, investimet kineze mbështeten kryesisht tek industria e nxjerrjes së naftës, përmes kompanisë Bankers.

Pak më përpara ishte aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, si dhe një pjesë e vogël e industrisë përpunuese.

Për të gjitha këto, duhet të merret modeli i zhvillimit të këtyre zonave ekonomike kineze, që janë në sinkron me modelin e tyre të zhvillimit, por të parafruara drejt eksportit.

Kjo, pasi zonat e lira ekonomike nuk prodhojnë përbrenda vendit. Ato janë  të stimuluara në Kinë, për të qenë të lidhura me eksportin, në raport me pjesë të tjera të ekonomisë, pasi eksporti duhet të jetë kryefjala e çdo qeverisjeje.

Shqipëria duhet të ruajë parametrat dhe  të ndalojmë ngurrimet që kemi në politikë, pasi është ekonomia ajo që e mban gjallë çdo lloj qeverisje.

CMG: Ende, megjithë interesimin e firmave kineze shtetërore dhe private për produktet tona të eksportit dhe potencialin, eksportet tona drejt Kinës janë në një nivel shumë modest. Si mund të rriten ato ndjeshëm në të ardhmen, duke parë interesin dhe gatishmërinë maksimale për bashkëpunim nga qeveria dhe kompanitë kineze?

Eduard Gjokutaj: Deri më sot, eksportet tona drejt Kinës kanë qenë të orientuara në industrinë minerale të këtij vendi të madh. Kryesisht minerale që kanë shkuar në gjendje të papërpunuar.

Pra, ekonomia kineze është e interesuar për pjesën minerale, që i shërben industrisë së saj. Është e interesuar për ekspansion, për shkak të turizmit, si dhe për të fituar pozicion gjeostrategjik.

Nga ana tjetër, eksportet tona duhet të përshtaten me teknologjitë që përdor Kina, pasi ky vend ka arritur në nivele shumë të larta.

Eksportet tona duhet të kristalizohen në ato lloj marrëdhëniesh, që t’i shërbejnë konkurrueshmërisë, si dhe të shfrytëzohet gjithë potenciali, për të bërë një simbiozë më të mirë.

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kinë (Foto CMG)

CMG: Si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës?

Eduard Gjokutaj: Besoj që marrëdhënia  tregtare është e orientuar sipas interesave të tregut.

Fakti që Kina është bërë partneri i dytë në importet shqiptare, tregon që mallrat kineze kanë çarë tregun me sasinë, çmimet e konkurrueshme, por edhe me cilësinë, për t’u futur në një treg si Shqipëria, nisur nga standartet e tregut tonë.

Marrëdhëniet e tjera do të mbahen kështu siç janë, pasi është historia që nuk i lejon të shkojnë më poshtë.

Por ne duhet të rrisim marrëdhëniet, në raportet e industrive të mëdha.

Kina shfaqi interes në infrastrukturë, tek hidrocentralet. Pse jo, duhet të intensifikohen marrëdhëniet edhe tek industria ushtarake, edhe pse janë konfidenciale, por që kanë tashmë një partneritet.

Marrëdhëniet duhen shtuar edhe në ato fusha që lidhen me agroturizmin, pasi Kina ka ecur shumë në bio-inxhinjeri.