Kinë, vazhdon të lehtësohet mjedisi për investimet e huaja
2024-07-05 15:24:33

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në raportin e punës së qeverisë kineze për vitin 2024 është shpallur që Kina do të “vazhdojë të shkurtojë listën negative për hyrjen e investimeve të huaja në tregun vendas dhe do të anulojë të gjitha masat kufizuese për investimet e huaja në sektorin e prodhimit”.

 

Në Forumin e Davosit Veror që u zhvillua kohët e fundit në Dalian të Kinës Verilindore, shumë përfaqësues të ndërmarrjeve të huaja vlerësuan përpjekjet e Kinës për hapjen me nivel të lartë për investimet e huaja. Kryezyrtari për strategjinë i kompanisë KPMG në Kinë, Cai Wei, u shpreh që “Kina po pakëson pandërprerë kufizimet ndaj investimeve të huaja dhe po ngre nivelin e liberalizimit për investimet e huaja”.

 

Pjesëmarrësit në këtë forum ishin gjerësisht të mendimit që në sektorët me interes për ndërmarrjet e huaja, si shëndetësia dhe telekomunikacioni, janë formuar pikat eksperimentale për investimet e huaja. Kjo tregon sinqeritetin e Kinës për thellimin e hapjes, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Kjo ka krijuar gjithashtu kushte konkrete për bashkëpunimin dhe investimet e ndërmarrjeve të huaja në Kinë.

 

Krahas kësaj, edhe kompania e famshme për konsultimet e menaxhimit “Kearney”, në raportin e saj global për treguesin e besimit të investimeve të drejtpërdrejta të huaja, e ka ngritur renditjen e Kinës në vendin e 3-të, nga i 7-ti që ishte në vitin 2023. Vlen të përmendet që në listën e tregjeve të reja Kina renditet në vendin e parë.

 

Këto janë rezultatet konkrete të hapjes së Kinës ndaj tregut global.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në shtator 2013 u krijua zyrtarisht zona pilot e tregtisë së lirë e Shangait dhe u publikua lista e parë negative e Kinës për hyrjen e investimeve të huaja. Në vitin 2016, ky model me listë negative është përhapur nga zonat pilot në mbarë vendin. Pikërisht me këtë model të ri, sistemi i Kinës mbi menaxhimin e investimeve të huaja ndryshoi nga lista pozitive në listën negative. Me këtë ndryshim, shqyrtimet në mbarë procedurën e investimeve që kishin zgjatur për mbi 30 vjet, janë zëvendësuar nga shqyrtimet në një sferë të caktuar dhe regjistrimi me paranjoftim, duke u shndërruar më pas në sistemin e njoftimit për informacionet e investimeve të huaja.

 

Në fakt, lista negative quhet zyrtarisht “masë e posaçme menaxhimi për hyrjen e investimeve të huaja”. Në fillim, në këtë listë kishte 190 pika të detajuara, ndërsa tani kjo shifër në versionin kombëtar të listës është vetëm 31 dhe në versionin e zonave pilot të tregtisë së lirë është ulur në 27.

 

P. sh., në sektorin e prodhimit, është realizuar hapja e gjithanshme në sektorin e zakonshëm në mbarë Kinën dhe në zonat pilot të tregtisë së lirë, lista negative është pakësuar në “zero”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Kompania “Tesla” është një shembull i gjallë. Në fillim të vitit 2019, filloi ndërtimi i megafabrikës së saj në Shangai dhe i gjithë procesi i ndërtimit dhe vënies në funksionim u bë brenda një viti. Këto vitet e fundit, kjo fabrikë ka realizuar prodhimin e mbi 2 milionë makinave. Kjo është shpejtësia e kësaj kompanie të huaj, si edhe shpejtësia e hapjes së Kinës.

 

Një tjetër sektor është financa. Në vitin 2020, në listën negative u hoq kufizimi i përqindjes së investimeve të huaja në kompanitë e obligacioneve, menaxhimit të fondeve, kontratave me zbatim të ardhshëm dhe sigurimit të jetës.

 

Kjo ka përshpejtuar hapat e investimeve të kompanive financiare në tregun kinez. Tani masat kufizuese që kanë të bëjnë me investimet e huaja në sektorin financiar janë zvogëluar pothuajse në zero.

 

Të dhënat e publikuara prej Administratës Shtetërore të Mbikëqyrjes Financiare të Kinës tregojnë që, në fund të vitit 2023, vlera e përgjithshme e aseteve të bankave të huaja në Kinë arriti në 3.86 trilionë juanë dhe vlera e përgjithshme e aseteve të kompanive të huaja të sigurimeve ishte 2.4 trilionë juanë, duke zënë 10 % të aseteve të përgjithshme të sektorit të sigurimeve në mbarë Kinën.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Studiuesja e Institutit Studimor pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës Nie Pingxiang bëri të ditur që, sivjet, lista negative do të fokusohet te hapja e gjithanshme në sektorin e prodhimit dhe do të lehtësohen më tej kufizimet në sektorin e telekomunikacionit dhe të shëndetësisë.

 

“Zvogëlimi i mëtejshëm i kësaj liste tregon vendosmërinë e Kinës për rregullat ndërkombëtare me standard të lartë dhe për hapje të pandryshueshme. Në të njëjtën kohë, nxitja e thellimit të reformës nëpërmjet hapjes me nivel të lartë do të vazhdojë të injektojë një gjallëri të fortë për zhvillimin me cilësi të lartë dhe modernizimin e stilit kinez,” vuri në dukje studiuesja Nie. (Jiang Lei)