CMG-ja: Propozimi i Kinës tregon kursin për përballimin e ndryshimeve nga OBSh-ja
2024-07-05 23:13:34

foto nga Xinhua

Mbledhja "OBSh+" në Astana / foto nga Xinhua

Bjellorusia u pranua si vend anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), u mbajt për herë të parë mbledhja e modelit "OBSh+" dhe u paraqit nisma për të nxitur bashkërisht drejtësinë, harmoninë dhe zhvillimin në botë...... Të enjten u zhvilluan takimi i 24-t i Këshillit të Krerëve të OBSh-së e Samiti i Astanës "OBSh+", dhe një sërë arritjesh e konsensusesh kanë tërhequr vëmendjen e opinionit. 

Përballë një bote kaotike, OBSh-ja jo vetëm që ka shfaqur gjallërinë e saj të madhe, por i ka treguar gjithashtu botës se ajo është në gjendje të luajë një rol më të madh në mbrojtjen e sigurisë dhe zhvillimit botëror, komentoi Grupi Mediatik i Kinës (CMG) në një artikull.

Presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë në këto dy takime të rëndësishme të OBSh-së dhe theksoi nevojën për të vazhduar të mbahet lart "Fryma e Shangait", për të stabilizuar bashkërisht kursin e zhvillimit të OBSh-së dhe për të ndërtuar një vatër të përbashkët me solidaritet e besim reciprok, paqe e qetësi, lulëzim e zhvillim, fqinjësi miqësore dhe barazi e drejtësi. 

Li Yongquan, kryetari i Shoqatës së  Kinës për Rusinë, Evropën Lindore e Azinë Qendrore, i tha CMG-së se propozimi i rëndësishëm i presidentit Xi Jinping nuk bazohet vetëm te OBSh-ja, por edhe orientohet drejt botës, duke i treguar OBSh-së kursin për përballimin e ndryshimeve të kohës. 

Ish-ambasadorja e Kirgizistanit në Kinë Kanaiym Baktygulova beson se një sërë nismash dhe propozimesh të rëndësishme të presidentit Xi Jinping kanë treguar edhe një herë rolin kryesor të Kinës në zhvillimin e OBSh-së.

foto nga Xinhua

Krerët e vendeve anëtare të OBSh-së / foto nga Xinhua

Pas zhvillimit 23-vjeçar, OBSh-ja tani ka 10 vende anëtare zyrtare, dy vende vëzhguese e 14 partnerë dialogu dhe "familja e OBSh-së" mbulon tre kontinente: Azinë, Afrikën dhe Evropën. 

Pse "rrethi i miqve" i saj po bëhet gjithnjë e më i madh? Çelësi qëndron në ndjekjen e një rrugë të re zhvillimi me partneritet e mosangazhim dhe me dialog e pa kundërvënie, duke u përmbajtur gjithmonë "Frymës së Shangait", e cila karakterizohet prej besimit të ndërsjellë, leverdisë së përbashkët, barazisë, konsultimeve, respektimit të shumëllojshmërisë së qytetërimeve dhe kërkimit të zhvillimit të përbashkët, komenton më tej CMG-ja.

Në këtë samit "OBSh+" morën pjesë krerët  e disa organizatave ndërkombëtare, si sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres etj. Kjo është një njohje dhe pranim i ndikimit të OBSh-së e "Frymës së Shangait" dhe tregon se OBSh-ja është shndërruar gradualisht nga një organizatë rajonale në një forcë të rëndësishme me ndikim global.

Aktualisht, struktura botërore po evoluon me një ritëm të përshpejtuar. Nga njëra anë, sistemi ndërkombëtar po ecën drejt drejtësisë dhe shumëpolarizimit dhe nga ana tjetër, politika e forcës është në rritje dhe kundërvëniet e konfliktet gjeopolitike po intensifikohen.

foto nga CFP

Si t'u përgjigjemi këtyre ndryshimeve? Si të krijojmë një situatë të re dhe të ndërtojmë një vatër më të mirë të OBSh-së? Presidenti Xi Jinping paraqiti një propozim prej pesë pikash për të ofruar një "rrugëzgjidhje kineze" për përmirësimin e cilësisë së bashkëpunimit të OBSh-së, nga ana e vlerave, e sigurisë politike, e zhvillimit ekonomik, e shkëmbimeve njerëzore dhe e  qeverisjes globale.

Promovimi i sigurisë së përbashkët është rrënja e qëndrimit të OBSh-së ndërsa fokusimi në bashkëpunimin pragmatik është forca nxitëse  e zhvillimit të kësaj organizate.

Në këtë samit u publikuan Deklarata e Astanasë, Nisma mbi Solidaritetin për Nxitjen e Drejtësisë, Harmonisë e Zhvillimit të Botës, si dhe Deklarata e Parimeve të Fqinjësisë së Mirë, Besimit të Ndërsjellë dhe Partneritetit, duke bërë thirrje për "zgjidhjen e dallimeve dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut e konsultimeve" dhe "nxitjen e formimit të një tipi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit", gjë që tregon guximin e madh të OBSh-së për mbrojtjen e paqes e të qëndrueshmërisë së botës, përfundon komenti i CMG-së. (Wang Lei/ Artan)