Ismail Kadare
Ismail Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur në 70 vitet e fundit, Ismail Kadare. Vepra e tij është përkthyer në 45 gjuhë të huaja të botës dhe gjendet në 27 mijë biblioteka të shteteve dhe universiteteve të globit. Ai ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare më 1 korrik dhe në nderim të tij u shpallën dy ditë zije kombëtare, ndërsa më 3 korrik shqiptarët i dhanë lamtumirën e fundit kolosit të letërsisë. Në shenjë nderimi personalitetet më të larta shtetërore shqiptare, por dhe nga bota, media të shumta ndërkombëtare kanë vlerësuar figurën e lartë dhe ndikuese të Ismail Kadaresë. Shkrimtari, studiuesi dhe pedagogu i Universitetit Europian të Tiranës Ermir Nika në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës vlerëson Ismail Kadarenë si shkrimtarin më të shquar bashkëkohor shqiptar.
CMG:Ismail Kadare, një intelektual shumëdimensional, në një nga poezitë e tij të njohura shkruan:
“I menduar gjer në çast të fundit
Nga mosthënia, nga pengu tragjik
Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
Do t’u bëj të gjithëve e do ik”
Jeni shkrimtar, studiues dhe mik i Kadaresë. Në mediat sociale keni publikuar së fundmi një fotografi me shkrimtarin e shquar. Ishte ky një ritual që shumë shqiptarë e bënin. Çfarë shenje na ka bërë Ismail Kadare?
Ermir Nika: Me heshtjen e tij të kohëve të fundit. Ishte një ndër shenjat që ai po i jepte botës shkëputjen graduale nga jeta tokësore. Gjithmonë dukej sikur po bëhej më i lehtë dhe po i jepte më pak rol gravitetit tokësor. Kështu e shikoja kohët e fundit. Gjithmonë në bisedat e përditshme heshte dhe ndërhynte kur trajtoheshin tema nga më të larmishmet, kryesisht aty ku jeta e tij krijonte udhëkryqe, pikëtakime, kontradikta dhe sfida, të cilat ai i ka përballuar, siç njihen, por jo ashtu siç mund të interpretohen.
CMG: Këtë e dëgjova dhe në intervistën e përkthyesit rumun të Ismail Kadaresë, Marius Dobrescu, që është në krye të listës sa i përket përkthimeve të veprave të Kadaresë, i cili e ka takuar së fundmi
Ermir Nika: Ishim bashkë
CMG: Marius Dobrescu në intervistën për mediat shqiptare ka thënë të njejtën gjë, se kishte ndjerë heshtjen e Kadaresë në bisedë, e cila i kishte dhënë ndjesinë e largimit të tij.Ndërsa ju, në intervistat që keni dhënë këto ditë, keni theksuar se “Kadare ishte në paqe me vdekjen”. Nga ju erdhi kjo ndjesi?
Ermir Nika: Që pas vitit 2020 në muajt tetor, nëntor kur e takova kishte ndryshuar sjellje.
Studiuesi dhe shkrimtari Ermir Nika në intervistë për CMG
CMG: Kjo mund të jetë për shkak të moshës
Ermir Nika: Të moshës, por ai nuk po i jepte një lloj roli vetes më, apo një lloj protagonizmi që ne vetë ia krijonim. Gjithmonë e më pak zëri i tij mbizotëronte në biseda, ndonëse ndërhynte, bënte ndonjë koment apo saktësonte ndonjë datë, që do të thotë se ishte mjaft mirë nga memoria. Mendoj se që kur doli vepra “Kur sunduesit grinden” ka filluar tërheqja e tij.
CMG: Më duket shumë interesante kjo, ndonëse ne nuk japim asnjë zgjidhje apo gjykim në këtë rast. Është kaq e madhe pesha e Kadaresë, saqë duket si një ngatërresë e madhe për të gjithë ne, është apo nuk është fizikisht shkrimtari. Si e ndjenit veten kur Kadareja qëndronte pranë jush, edhe i heshtur?
Ermir Nika: E kontrolloja veten dhe nuk doja të flisja më shumë se ai.Ai ishte një njeri që respektonte, që i njihte mjaft mirë normat e bisedës dhe pranimin e tjetrit. Nuk e shikoja superior në bisedë, madje thoshte se “fama më ka bërë pak të izoluar”
CMG: Mjaft interesante. Kjo që thatë ju është theksuar edhe nga një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë kinezë Yu Hua. Falenderoj me këtë rast sinologun Iljaz Spahiu, i cili na i ka përgatitur këto materiale të mediave kineze, duke i përkthyer në shqip. Ai e ka përshkruar kështu takimin e tij me Ismail Kadarenë. “Në verën e vitit 1998, jam takuar me Kadarenë në Torino. Ishim ulur bashkë në restorantin e Teatrit të Torinos dhe bisedonim me anë të një përkthyesi, ndërsa në mungesë të tij hanim e pinim. Atë kohë Kadare banonte në Francë. Ai është shkrimtari më i rëndësishëm shqiptar dhe si shumë shkrimtarë nga vendet e Evropës lindore, dikur nuk mund të kthehej në atdhe. Kur u takuam ne, nuk ekzistonte më ky problem. Ai mund të kthehej kur të donte, por më tha se nuk kthehem shumë shpesh. Arsyeja është se, sa herë që kthehem ndjehem shumë i lodhur. Sapo kthehem, shtëpia e tij ziente nga njerëzit, tamam si një kafe-bar, ku mblidhen njerëz të njohur e të panjohur. Gjithmonë do të ishin të paktën 20 vetë”.
Kadare është identifikuar herët me krijimin. Falë jetëgjatësisës së tij ai ka patur fatin të përjetojë ngjarje të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, të ringjallë mite dhe legjenda ballkanike, të ndajë opinionet e tij për aktualitetin shqiptar e më gjerë. Bazuar në jetën dhe veprën në dy kohë të Kadaresë, me vijëndarëse vitet 90-të, a mund të flasim për dy Kadare?
Ermir Nika: Përsa i përket veprës letrare mendoj që kemi një Kadare sepse ai nuk e ka ndryshuar konceptin e tij për letërsinë, por thjesht e ka vijuar. Por po të shohim vepra të ndryshme të tij si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” apo “ Përbindëshi” ai nuk i ka konceptuar dot klishetë dhe nuk i ka pranuar skemat.Edhe nëse i referohemi romanit “Dasma” ai ka vulën e kohës dhe nuk mundet kurrësesi që nga aj kohë të mos kishte asnjë gjurmë apo ndikim. Realizmi socialist u imponua, por ekziston si një rrymë letrare dhe ka kolosët e tij si Gorkin, Shollohovin dhe autorë të tjerë të mëdhenj, të cilët kur e konceptuan fillimisht nuk e menduan si një skemë që do t’iu imponohej.Kadare ka jetuar në atë sistem, si shkrimtar, si njeri dhe në pjesën më të madhe që e mbizotëron janë romane që ndryshuan shoqërinë shqiptare, duke i dhënë një shenjë Europës drejt realitetit shqiptar, duke e pranuar Shqipërinë e pas viteve 90-të edhe nëpërmjet veprës së Kadaresë.
Studiuesi dhe shkrimtari Ermir Nika me Ismail Kadarenë (Foto Facebook)
CMG: Kadareja është bërë ndër vite një autor i dashur për lexuesit shqiptarë dhe botërorë. I përkthyer në 45 gjuhë të botës, me veprat e tij në 27 mijë biblioteka të botës, Kadare bëhet autori shqiptar, ndoshta dhe rajonal më i njohur globalisht. 17 vepra të Kadaresë janë përkthyer në kinezisht “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është përkthyer nga origjinali nga Zheng Enbo, përkthyes edhe i veprave të Dritëro Agollit. Ndërsa nga gjuha frënge janë përkthyer “Prilli i thyer” dhe “Pallati i ëndrrave” nga Gao Xing, “Darka e gabuar” nga Yu Zhongxian, “Kronikë në gur” dhe “Kush e solli Doruntinën” nga Li Yumin.
Sa ka ndikuar vepra e Kadaresë në vendosjen e Shqipërisë në hartën letrare botërore?
Ermir Nika: Ka qenë një rol i dorës së parë, sepse nëse kemi patur deri diku pikëtakime apo shenja paralajmëruese të humanistëve të mëdhenj shqiptarë, për të vijuar me vitet 30-të, sepse letërsia kombëtare e Rilindjes i takonte ngritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe më pas e sjell këtë proces deri të Petro Marko. Ai është autori që e ingranoi letërsinë shqipe në rrjedhën e letërsisë së pas Luftës së Dytë Botërore, por akoma nuk i kishim dhënë një model botës. Nëse me Petro Markon krijuam lidhjen me botën, me Kadarenë krijuam një model. Ai krijoi këtë model dhe për herë të parë Shqipëria iu qas botës me vepra letrare pasi kishte kaluar procese të tjera.
Ndërkohë Kadare ka shkruar për Migjenin, Asdrenin, Naimin dhe Çajupin si dhe ka shkruar dhe për “autorët e ndaluar”, Lasgush Poradecin e risolli Kadare me “Ikjen e shtërgut”, me pasazhet e “Ftesë në studio”, apo Zef Zorbën. Martin Camajn, Frederik Reshpjen, që e risolli si një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë. Edhe në këtë pikë Kadare nuk e ka parë veten jashtë habitatit letrar dhe rolin ia ka dhënë kritika, lexuesit dhe botuesit.
CMG: Kadare është diskutuar dhe për çeshtjen e Çmimit Nobel në letërsi. Ne si shqiptarë jemi të ndjeshëm ndaj kësaj, që atij nuk iu dha ky vlerësim. Në këto ditë të mortit të Kadaresë media kineze i ka kushtuar një vemendje të veçantë Ismail Kadaresë. E kanë cilësuar Kadarenë si “ pretendenti më i zëshëm i Çmimit Nobel, ndërkohë që portali i letërsisë dhe kulturës “Phoenix”, me qendër në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hongkong-ut në një artikull kushtuar ndarjes nga jeta të Kadaresë ka shkruar “Për fat keq, Çmimi Nobel e humbi Kadarenë”.
Ermir Nika: Saktësisht brilant!
CMG: A nuk ju duket një nga vlerësimet më të sakta ky, referuar faktit se në 40 vjet Ismail Kadare është nominuar 15 herë për Çmimin Nobel?
Ermir Nika: Kur bisedoja me Kadarenë për Nobelin ai thoshte “ma kanë bërë legjendë, sikur e kërkoj, çmimi jepet, nuk kërkohet”. E rëndësishme është që letërsia shqipe nominohej në një nga çmimet letrare më prestigjoze të botës. Eshtë një juri me influencat, gjykimet dhe lobimet e saj, por nëse shikojmë që ka autorë botërorë që nuk e kanë Nobelit, ky bëhet një problem i çmimit, jo i autorëve. Humb prestigjin vetë çmimi, kur një autor i tillë largohet nga kjo botë, duke qenë e përbotshëm dhe në rekordet e tij janëë autorë të tjerë që nuk e kanë përhapjen e tij planetare, siç janë autorët Kazanzakis, Caragiale e të tjerë. Ata gjithësesi mbeten në majat e letërsisë, duke mos iu numëruar çmimet, por veprat.
CMG: Ka ndonjë lajm të mirë nga krijimtaria juaj si shkrimtar?
Ermir Nika: Romani im “Robi i lartësive”, që ka në qendër një personazh si Chen Paoy ka nisur të përkthehet dhe besoj që do të botohet brenda këtij viti apo në fillim të vitit që vjen në Itali, nga shtëpia botuese “Bonanno”. Do të doja shumë të botohej dhe në Kinë, por mendoj që është çeshtje marketingu.
Unë mendoj se letërsia ka një rol të madh dhe më vjen mirë që për Kadarenë në Kinë është shkruar dhe është vlerësuar ashtu si dhe ai e ka vlerësuar kulturën kineze.
Ai e ka dashur kulturën kineze dhe e ka njohur mirë, e ka studiuar dhe ka një vëllim me poezi nga autorë të njohur kinezë.
Veprat më të lexuara të Ismail Kadaresë (Foto Facebook)
CMG: Kadare e ka vizituar Kinën në vitin 1967 dhe më pas viteve 90-të ka dhënë një intervistë për median kineze. Një mesazh-homazh përcjell me rastin e ndarjes nga jeta të të madhit të letrave shqipe gazetarja e seksionit shqip të Grupit Mediatik të Kinës Zhang Yan (Zana) dhe në emër të kolegëve të departamentit të gjuhës shqipe pranë kësaj medie, duke e cilësuar Ismail Kadarenë “monarku i letërsisë shqipe”
Mediat kineze shkruajnë për Ismail Kadarenë
“The Paper”, platformë mediatike me qendër në Shangai, në një informacionin të gjatë për Kadarenë shkruan se, më 1 korrik u nda nga jeta shkrimtari më i njohur shqiptar, fituesi i parë i Çmimit Man Booker, prej disa vitesh me radhë pretendenti më i zëshëm i Çmimit Nobel. Pasi flet për jetën dhe krijimtarinë letrare të Kadaresë, ajo numëron disa nga veprat e tij të përkthyera e botuara në Kinë si dhe çmimet e shumta që ai ka merituar në vende të ndryshme të botës.
Portali Letërsisë dhe Kulturës “Phoenix”, me qendër në Hongkong, duke njoftuar ndarjen nga jeta të Kadaresë, përmend disa nga veprat më përfaqësuese të tij dhe nënvizon se kritika letrare e ka krahasuar shpesh atë me Kafkën dhe Kunderën. Romanet e tij me përshkrime në dukje absurde, pasqyrojnë artistikisht realitetin shoqëror. Për fat keq, shkruan ky portal, Çmimi Nobel e humbi Kadarenë.
Qendra e Studimeve Albanologjike në Fakultetin e Gjuhës shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Pekin, në shkrimin me titull “Ndërron jetë Kolosi i Letrave shqipe”, thekson se Kadare është shkrimtari shqiptar me ndikimin më të madh në botë.
Intervistoi Eda Merepeza