Tan Xianjie fitoi Çmimin Kombëtar të Progresit të Shkencës dhe Teknologjisë të Shkallës së Dytë / foto nga “pumch.cn”
Më 24 qershor u mbajt në Pekin Konferenca Kombëtare e Çmimeve të Shkencës e Teknologjisë. Tan Xianjie, kryemjeku i Qendrës së Tumoreve Gjinekologjike në Spitalin e Kolegjit Mjekësor Union të Pekinit, fitoi Çmimin Kombëtar të Progresit të Shkencës dhe Teknologjisë të Shkallës së Dytë, për librin e tij "Fjalët e Pallatit të Jetës" (vëllimet e sipërme dhe të poshtme), i cili është e vetmja vepër e popullarizimit të shkencës mjekësore, ndër veprat e vlerësuara me çmime.
54 vjeçari Tan Xianjie u lind në një fshat të krahinës Chongqing të Kinës Jugperëndimore. Në fëmijëri ai ishte një bari bagëtish pranë Lumit Jance. Nëna e tij vdiq nga një tumor gjinekologjik kur ai ishte 12 vjeç. Pikëllimi i humbjes së njeriut të dashur, e bëri Tan Xianjie të vendoste për ndjekjen e një karriere në mjekësi. Atij i vjen ndërmend se kur ishte dhjetë vjeç, mamaja i tregoi se ana tjetër e lumit Jance kishte një spital të madh që mund të shëronte çdo sëmundje. Por nëna nuk mund të shkonte tek ai spital i madh, ndaj vdiq në një spital të vogël pranë familjes. "Nuk doja të isha vetëm një mjek. Doja të bëhesha mjek në një spital të madh, që mund të shërojë çdo sëmundje, siç thoshte nëna ime."
Më vonë, Tan Xianjie u regjistrua në Universitetin e Mjekësisë të Kinës Perëndimore. Pas diplomimit me nota të shkëlqyera u pranua në spitalin Union, një nga qendrat spitalore më të mira në Pekin dhe në Kinë. Kur ishte ende i vogël, ai dinte vetëm që nëna e tij vdiq nga sëmundja. Më vonë mësoi se nëna vdiq nga një tumor gjinekologjik, ndaj ai zgjodhi të hynte në departamentin gjinekologjik dhe obstetrik. Vitet 1993 - 2012, 20 vitet e para të karrierës së Tan Xianjies si mjek, ishin ata që përmbushën premtimin e tij ndaj nënës për tu bërë "mjeku ideal në një spital të madh".
foto nga “chinanews.com”
Gjatë praktikimit të mjekësisë, Tan Xianjie gjithmonë donte të mjekonte sa më shumë pacientë dhe të bënte sa më shumë kërkime shkencore. Të dyja rastet ndikuan tek ai që të niste rrugën e popullarizimit të shkencës.
Në gusht të vitit 2012, Tan Xianjie udhëtoi në spitalin e grave "Brigham", pranë Shkollës Mjekësore të Universitetit të Harvardit, si studiues vizitues. Ai zbuloi se mjekët atje përdornin një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme me pacientët. Nuk flisnin kurrë me fjalor teknik të vështirë. Në fund të mjekimit, ata gjithashtu i jepnin pacientëve një kartë me linkun e një faqeje web, ku mund të konsultonin artikujt përkatës të popullarizimit të shkencës. Kjo gjë ia la përshtypje të thella.
Një rast tjetër vjen sërish nga nëna dhe vdekja e saj, pasi ai e kishte të vështirë të çlirohej. Në mënyrë të pavetëdijshme, ai shmangte analizimin se nga çfarë lloj tumori vuante e ëma. Por gjatë studimeve jashtë vendit, për herë të parë ai kishte hapësirë shpirtërore të përdorte përvojën e një onkologu gjinekolog, për të shqyrtuar dhe analizuar gjendjen e nënës së tij - ajo duhej të kishte tumor endometriumi.
"Një tumor i tillë ka shenja paralajmëruese. Nëse do të ishte vizituar në kohën e duhur prej mjekut, sëmundja mund të ishte shëruar." Tan Xianjie nuk mund të mos mendonte se nëse familja do të kishte disa njohuri mjekësore, nëna do ishte vizituar më herët, ndaj ekzistonte mundësia të mos largohej kaq shpejt. Ai e kuptoi se nëse gratë do të mund të mësonin më shumë rreth sëmundjeve gjinekologjike dhe t'i diagnostikonin ato në kohë, rezultatet do të bënin një ndryshim të madh.
Pasi u kthye në Kinë, ai nisi rrugën e popullarizimit shkencor në mënyrë të vendosur.
foto nga “bjwmb.gov.cn”
Që nga publikimi i eseve të popullarizimit shkencor deri te pjesëmarrja në programe, postimet e artikujve dhe video të shkurtra në rrjetet sociale përkatëse, Tan dëshiron të provojë sa më shumë mënyra dhe stile, që sa më shumë njerëz të informohen me njohuritë e duhura. Sot, Tan Xianjie ka tërhequr më shumë se 1.3 milionë ndjekës në rrjetin social kinez "Weibo" dhe më shumë se 480,000 ndjekës në "Douyin" (versioni kinez i TikTok-ut).
Si mjek klinik, Tani e ka të vështirë t'i kushtojë vëmendje të barabartë kërkimit shkencor dhe popullarizimit, por ai është shumë mendjehapur. "Në punën e vërtetë mjekësore, shpresoj se 99 nga 100 shkencëtarë do të përpiqen për kërkimet më të fundit shkencore e teknologjike, por ju lutem lini një person për të bërë popullarizimin shkencor, për të përhapur njohuritë bazë mjekësore, për të përmirësuar nivelin e njohjes së publikut me shëndetin, në mënyrë që novacioni të jetë më i motivuar dhe më me gjallëri."
Tan Xianjie është i gatshëm të jetë ai personi që do të merret me popullarizimin e shkencës dhe dëshiron të këmbëngulë në këtë rrugë. (Wang Lei/ Elona)
Libri i Tan Xianjie-së "Fjalët për Pallatin e Jetës"