Të enjten paradite, presidenti kinez Xi Jinping mori pjesë në Takimin e 24-t të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) të zhvilluar në Astana të Kazakistanit.
Takimin e drejtoi presidenti i Kazakistanit, vendi kryetar i radhës i OBSh-së, Kassym-Jomart Tokayev. Në të morën pjesë presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko, presidenti i Kirgizistanit Sadyr Japarov, kryeministri i Pakistanit Muhammad Shahbaz Sharif, presidenti i Rusisë Vladimir Putin, presidenti i Taxhikistanit Emomali Rahmon, presidenti i Uzbekistanit Shavkat Mirziyoyev, presidenti në detyrë i Iranit Mohammad Mokhber, përfaqësuesi i Indisë dhe sekretari i përgjithshëm i OBSh-së.
Para takimit, Xi Jinping-u dhe udhëheqësit e shteteve të OBSh-së bënë një fotografi në grup.
Në fjalimin e mbajtur në takim, presidenti Xi Jinping vlerësoi lart përpjekjet dhe kontributin e Kazakistanit gjatë mandatit si vend kryetar për promovimin dhe përmirësimin e sistemit të funksionimit të OBSh-së dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Ai mirëpriti pjesëmarrjen për herë të parë të Bjellorusisë në samitin e OBSh-së me statusin e vendit anëtar.
Xi vuri në dukje më tej se tani situata ndërkombëtare po ndryshon shpejt dhe shoqëria njerëzore qëndron sërish në udhëkryqin e historisë. OBSh-ja qëndron gjithmonë në anën e barazisë e të drejtësisë dhe kjo ka rëndësi të madhe për botën.
Kreu i shtetit i Kinës u shpreh gjithashtu se, përballë kërcënimeve të mendësisë së Luftës së Ftohtë, OBSh-ja duhet t'i përmbahet konceptit të sigurisë së përbashkët, të gjithanshme, në bashkëpunim e të qëndrueshme, duke u përballur me sfidat e sigurisë me dialog e bashkëpunim, për të ndërtuar një botë të sigurt me paqe të përhershme.
"Përballë rreziqeve të bllokadës perëndimore, ne duhet të mbrojmë të drejtën e zhvillimit, të promovojmë së bashku risitë tekniko-shkencore dhe të ruajmë qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë e furnizues, për të gjallëruar ekonominë rajonale, duke arritur objektivin e zhvillimit të përbashkët. Ne duhet të forcojmë unitetin për t'i qëndruar së bashku ndërhyrjes së jashtme dhe duhet ta përkrahim njëri-tjetrin duke zgjidhur siç duhet mosmarrëveshjet e brendshme, për të marrë në dorë fatet tona dhe për të mbrojtur paqen rajonale," theksoi Xi Jinping.
Udhëheqësit pjesëmarrës vlerësuan aktivisht rolin konstruktiv të OBSh-së në mbrojtjen e paqes e të sigurisë rajonale dhe u shprehën se do të forcojnë shkëmbimet e bashkëpunimin në fushën e tregtisë, transportit, energjisë, financave, bujqësisë, ekonomisë digjitale, inovacionit tekniko-shkencor, arsimit, kulturës, turizmit, rinisë etj. Ata ishin të mendimit se, me ndryshimin e situatës politike e ekonomike botërore dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, OKB-ja duhet të luajë një rol koordinues për të promovuar krijimin e një sistemi botëror më përfaqësues, më demokratik e më të drejtë shumëpolar dhe globalizimin ekonomik. OKB-ja duhet të respektojë shqetësimet e arsyeshme të vendeve të ndryshme për sigurinë, të promovojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis vendeve në mënyrë paqësore, si edhe të kundërshtojë sanksionet e njëanshme dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera. Udhëheqësit ranë dakord për përsosjen e sistemit të përballimit të kërcënimeve e sfidave ndaj sigurisë të OBSh-së dhe për të goditur me vendosmëri terrorizmin, separatizmin e ekstremizmin, trafikun e drogës dhe krimet e organizuara ndërshtetërore. Ata po ashtu përkrahën përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e paqes e të zhvillimit në Afganistan dhe për promovimin e zgjidhjes së gjithanshme e të drejtë të problemit të Palestinës sipas projektit të "dy shteteve".
Udhëheqësit e shteteve anëtare nënshkruan dhe publikuan gjithashtu "Deklaratën e Astanasë të Këshillit të Krerëve të Shteteve të OBSh-së". (Fani)