Shtatë mënyra për të rigjeneruar Tokën
2024-07-03 15:25:21

Dy gratacelat e gjelbra ne Milano - foto pratinaturali.it

Disa strategji konkrete për të rigjeneruar Tokën, për të luftuar shkretëtirëzimin dhe për të parandaluar thatësirën. Një situatë alarmante, për të cilën ne vetë kemi kontribuar në krijimin e saj përmes shpyllëzimit, bujqësisë intensive, praktikave të paqëndrueshme bujqësore dhe ndryshimeve klimatike dhe që tani po e paguan çmimin me humbjen e produktivitetit, zhdukjen e trupave ujorë dhe bimësisë, pasigurinë e ujit dhe të ushqimit.

Sipas Kombeve të Bashkuara, çdo vit 100 milionë hektarë tokë prodhuese degradohen, sepse po humbet ujin që i lag ato dhe i bën pjellore, biodiversitetin që i banon dhe mbulesën e tyre bimore. Thatësirat janë në rritje dhe tre të katërtat e njerëzve të Tokës do të përballen me mungesën e ujit nga mesi i shekullit. Nevojiten masa konkrete për të rikuperuar vitalitetin e tokës, sipas motos së Ditës Botërore të Mjedisit 2024, #Restaurimi i Brezit. Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) propozon shtatë strategji: le t'i shohim së bashku!

1.  BUJQËSIA E QËNDRUESHME. Është e nevojshme të rikuperohen praktikat e qëndrueshme bujqësore, të cilat bazohen në njohuritë e popullatave indigjene të mësuara të jetojnë në vazhdimësi me pyjet dhe që shfrytëzojnë pasurinë e varieteteve të njohura të bimëve për të rritur bimë që janë më rezistente ndaj goditjeve klimatike. Konsumatorët duhet të rrisin konsumin e bimëve sezonale, ushqimeve me origjinë bimore dhe që nuk e shterojnë tokën nga burimet dhe lëndët ushqyese, si p.sh:  bishtajoret.

2. RUATJA E TOKËS. 60% e të gjitha specieve të gjalla grumbullohen në tokë dhe 95% e asaj që hamë rritet në të. Tokat e shëndetshme luajnë gjithashtu një rol themelor në zbutjen e klimës, sepse ato thithin karbonin.

Ne duhet të investojmë në teknikat bujqësore që respektojnë më shumë tokën, si ato pa plugim, të cilat shmangin punimin e tokës për të mos ndryshuar ekuilibrin dhe për të mos rikthyer karbonin në sipërfaqe, ose ato që i kundërvihen dukurisë së erozionit sipërfaqësor të tokës nga lëndët ushqyese duke mbuluar tokën me mbetje nga kulturat e mëparshme (mulçimi).

Shkretetira ne Nepal - Foto thegreensideofpink.com

Insektet ne sherbim te natyres - foto Focus

3. MBROJTJA E INSEKTEVE PLLENUES. Tre nga katër kulturat e frutave ose perimeve varen nga pjalmuesit për të shpërndarë farat e tyre. Ne e dimë mirë rënien e numrit të bletëve, por në punën e pjalmimit marrin pjesë edhe lakuriqët e natës, fluturat, zogjtë dhe brumbujt. A e dini se lakuriqët e natës janë thelbësore për pjalmimin e bananeve, avokados dhe mangos? Për të mbrojtur gjithashtu këto kafshë, është e rëndësishme të zvogëlohet ndikimi i ndotjes së ajrit, të minimizohet përdorimi i plehrave dhe pesticideve dhe të ruhen sa më shumë që të jetë e mundur livadhet, kënetat dhe pyjet ku strehohen pjalmuesit.

4. RIVENDOSJA E EKOSISTEMEVE TË UJËRAVE TË ËMBLA. Lumenjtë, përrenjtë, liqenet dhe kënetat ofrojnë ushqim, qetësojnë efektet e thatësirës dhe përmbytjeve, ofrojnë një habitat për bimët dhe kafshët, por kërcënohen nga ndotja, ndryshimet klimatike, minierat dhe peshkimi i tepërt. Monitorimi i cilësisë së ujërave të tyre, mbrojtja e tyre nga speciet pushtuese, përmirësimi i grumbullimit të ujërave industriale dhe shkarkimeve të ujërave të zeza janë të gjitha shembuj të veprimeve konkrete për mbrojtjen e rrugëve të ujërave të ëmbla.

5. RIPËRTËRITJA  E SIPËRFAQEVE TË ZONAVE BREGDETARE. Mangrovat, kënetat e kripura, pyjet e leshterikëve dhe shkëmbinjtë koralorë janë ekosisteme detare që ofrojnë mbrojtje, biodiversitet dhe burime për më shumë se tre miliardë njerëz në mbarë botën. Ne duhet t'i mbrojmë ato nga ndotja plastike dhe lëndët ushqyese të tepërta që vijnë nga ujërat e mbetura të pasura me plehra që arrijnë në dete nga fushat e kultivuara.

6. KTHIMI I NATYRËS NË QYTETE. Deri në vitin 2050, më shumë se dy në tre persona do të jetojnë në qytete, të cilat konsumojnë 75% të burimeve të planetit, prodhojnë mbi 50% të mbetjeve globale dhe gjenerojnë të paktën 60% të totalit të gazeve serrë. Lejimi i natyrës për të hyrë në qytete mund të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të saj: bimësia redukton ndikimin e ishujve të nxehtësisë urbane dhe përdorimin e ajrit të kondicionuar; kanalet dhe liqenet zbutin nxehtësinë dhe rrisin biodiversitetin, e po ashtu edhe kopshtet vertikale që do të ngrihen në çati dhe tarraca.

7. INVESTIMET NË NATYRË. Fondet e alokuara për rimëkëmbjen e ekosistemit duhet të trefishohen nga tani deri në vitin 2030, duke arritur shifrën ideale prej 542 miliardë dollarësh: një shumë e madhe parash që duhet të zbusë ndikimet e përshpejtuara të ndryshimeve klimatike dhe humbjen e biodiversitetit të nxitur nga investimet e shumta të cilat duhet të bëhen në sens të kundërt, me ato të bëra deri tani.

Mendoni për lumin e parave të derdhura deri tani në nxjerrjen dhe përpunimin e lëndëve djegëse fosile, në praktikat e paqëndrueshme bujqësore, peshkim dhe industri, në sektorët e ndërtimit dhe prodhimit të energjisë nga burimet ndotëse.

Përgatiti: N. Kraja