Publikohet libri ‘Lidershipi’ nga Prof.Nazmi Xhomara dhe Prof. Fleura Shkembi
2024-07-03 15:17:29


Nazmi-Xhomara ( foto universiteti luarasi)

Fleura Shkembi ( foto telegraf)

Libri Lidershipi ( foto personale)

Në botimin “Lidershipi” me autorë profesorët Nazmi Xhomara Fleura Shkembi trajtohet lidershipi si një kompetencë që ka një ndikim të thellë në jetën akademike dhe të biznesit. Kjo e bën librin të rëndësishëm për të gjithë profesionistët dhe udhëheqësit në fusha të ndryshme. Çdokush duhet të ketë aftësi lidershipi për të qenë i suksesshëm në jetë. Sidoqoftë, e veçanta që dallohet gjatë leximit të librit është se ai bazohet në thellimin e dhjetëra kërkimeve dhe referencave të fushës, të cilat janë analizuar me mjeshtëri dhe kompetencë nga autorët dhe paraqiten me koherencë të qartë. Ky është një kërkim shkencor me vlera të rëndësishme aplikative dhe një libër i rëndësishëm për botën akademike. Për këtë botim kanë shprehur opinionet e tyre dekani i Fakultetit Juridik Admir Belisha, prof. Fleura Shkembi dhe prof. Nazmi Xhomara si dhe studiuesi Afrim Osmani

Profesor Afrim Osmani( foto personale)

CMG: Ju si dekan i Fakultetit Juridik, si e shihni këtë botim ?

Admir Belishta: Ky libër është një vlerë tashmë. Të gjithë ata që do ta lexojnë dhe përdorin në praktikë do të mbeten të impresionuar. Gjithashtu, do të jenë të kënaqur me trajtimin profesional të këtij teksti. Përmbajtja e librit bazohet në kërkime, referenca dhe përvoja që promovojnë praktika dhe ide lidershipi që vijnë përmes fakteve dhe hulumtimeve ndërkombëtare, dhe që ndërthuren me përvojën e gjatë të autorëve të këtij libri.  Ky libër jep një analizë që zbatohet në situatat e jetës reale. Libri mund të përdoret nga kompanitë e biznesit për të ndihmuar në zhvillimin e aftësive në biznes, si dhe për të ndihmuar të gjithë studentët gjatë ciklit të tyre.

CMG: Profesore Fleura, jeni autore e një botimi të rëndësishëm, çfarë ju shtyu të publikoni këtë libër?

Fleura Shkembi: Profesori më motivoi. Ai është lider në fushën akademike dhe më bëri që të jem sot këtu. Ka qenë nisma e tij për librin dhe është vërtet një aset për të gjithë ne. Një kërkim që është si një burim emocional i brendshëm i profesorit, që nuk di të ndalojë kurrë. Bashkëpunimi im me profesorin ka nisur shumë herë dhe kemi dashur të sjellim diçka me vlerë. Ne kemi standardizuar tekstin e personalitetit. Psikologjia, edukimi, biznesi, juridiku etj. Kështu që ne e standardizuam tekstin ‘Big Five’ dhe tekstin e inteligjencës emocionale dhe puna jonë vijon.Te gjithë komponentët janë pjesë e së tërës dhe duam të sjellim më afër pjesën e qenies njerëzore. Bill Campbell është një nga njerëzit më të fuqishëm sipas meje, i cili ka qenë ‘Truri i Trurit’ sepse ka ndikuar tek të gjithë liderët dhe i ka trajnuar ata. Pika kryesore e tij ishte dashuria. Ai dinte që gjithçka t’i rridhte nga një cep i zemrës së tij. Elementet kryesore të një lideri janë të jetë njerëzor, të ketë inteligjencë emocionale dhe të ketë personalitet. Një lider është ai që qëndron në sallë në qetësinë e vet dhe mbi të gjitha ka pjesën e të dëgjuarit si art më vete. Lider sot mund të bëhet kushdo, por me personalitetin e vet të nxjerrë më të mirën dhe të dëgjuarit, komunikimi dhe dhembshuria janë vlerat më të larta të një njeriu.

Momente gjate promovimit te librit Lidershipi ( foto personale)

CMG: Prof. Xhomara kujt i vlen më tepër ky libër ?

Nazmi Xhomara: Së pari u kushtohet studentëve dhe pedagogëve në fushën kërkimore të lidershipit dhe së dyti të gjithë atyre që e vendosin në praktikë lidershipin. Fusha sociale, ekonomike, politike dhe çdo lloj marrëdhënieje tjetër. Të gjitha konceptet që ne i kemi ofruar për t’i sjellë zbatohen në të gjitha fushat

CMG: Si do ta vlerësonit ju si ekspert në fushën e lidershipit këtë libër ?
Afrim Osmani: Më në fund erdhi momenti që të mos zhvillojmë më lidership me instinkt, por të bazuar në studime shkencore. Pra, ka ardhur momenti për lidership vizionar dhe inovativ. Këto libra vijnë përmes teorive dhe kërkimeve dhe ajo që është më e rëndësishme vijnë përmes të dhënave që bëjnë krahasimin në kohë dhe i shërbejnë në formë të jashtëzakonshme të gjitha zhvillimeve në biznes.

Intervistoi: Megi Latifi