Shfrytëzimi i tokës bujqësore për ndërtimin e impianteve agrifotovoltaikë dhe eolikë
2024-07-03 14:18:07

Agrivoltaik (Foto Scan tv)

Panelet fotovoltaike (Foto ATSH)

Ndërtimi i impianteve si fotovoltaike por edhe eolikë kërkon sipërfaqe të konsiderueshme toke, diçka që mund të përshtatet më së miri edhe në tokat  e destinuara për aktivitet bujqësor. Një vendim i fundit i qeverisë përcakton kriteret që duhet të ketë toka që mund të përdoret për instalimin e impianteve dhe njëkohësisht të mos e ndikojë aspektin e prodhimit bujqësor.

Abdulla Diku, ekspert për çështjet e mjedisit tha në një intervistë për mediat se kjo do të ishte një mundësi pozitive sidomos për tokat që nuk kanë rendiment të lartë prodhimi në bujqësi dhe mund të japin maksimumin në drejtim të prodhimit të energjisë.

“Së pari dua të them që në rast se tokat kanë rendiment të ulët apo prodhimtari të ulët sigurisht që mund të ndryshohet përkohësisht destinacioni i tyre, ndërsa tokat të cilat janë dhe quhen të pafrytshme apo inproduktive duhen shfrytëzuar maksimalisht potencialet e tyre, për qëllime të tjera. Pra në rastin kur është e mundur gjithë tokat e pakthyeshme duhet të përdoren për një qëllim tjetër alternativ, ndryshe nga ai i prodhimit bujqësor, ndërsa nga ana tjetër duhet të punohet maksimalisht që tokat, të cilat kanë një prodhimtari apo rendiment të ulët, t’iu përmirësohet ky rendiment.“- tha Diku.

Shfrytëzimi i tokave që nuk përdoren do të sillte një kontribut të rëndësishëm në prodhimin e energjisë dhe kthehet në përfitim për individë të ndryshëm.

“Ideja është se është aseti më i vlefshëm natyror i planetit, kështu që duhet përdorur në mënyrë sa më optimale, por edhe në mënyrë të qëndrueshme gjithashtu. Pra ndërtimi i strukturave të tilla në tokat bujqësore, tokat me thelb bujqësor nuk është ndonjë lajm i mirë, për sa kohë që ne kemi sipërfaqe të konsiderueshme kodra boshe të djegura, të shkatërruara, që mund të përdoren për këtë qëllim. Nëse është tokë bujqësore duhet të lihet për prodhim bujqësor. Aty ku është e pamundur të sigurohet prodhimi bujqësor mundet që panelet fotovoltaike të përdoren apo të lejohet ky lloj biznesi. Keni parasysh një gjë, në Divjakë për shembull në tokat ku dikur nuk prodhohej asgjë, është futur një kompani e huaj e cila kultivon shegë. Ato janë ngritur në nivelin e detit në formë tarracash dhe rrënjët nuk kanë kontakt me sipërfaqen e kripës dhe aty ka plantacione masive me shegë. Në pamje të parë duken sikur janë toka të pafrytshme por në realitet, teknologjia ka treguar që nuk ka toka të tilla.” u shpreh Diku

Eksperti Abdulla Diku (Foto Ina Media)

Nga kjo nismë do të ketë përfitim ekonomia.

“Shqipëria është në një trajektore, e cila po e orienton zhvillimin e vet kryesisht drejt turizmit. Turizmi kërkon  energji dhe produkte bujqësore. Kështu që nuk i duhet lënë evazivitetit, duhet një planifikim më i saktë dhe më i gjatë. Së pari mendoj që do të ishte e udhës që të shfrytëzoheshin gjithë mundësitë e tjera për instalimin e paneleve fotovoltaike, ish tarracat e hapura dikur, sipërfaqe të djegura apo të degraduara, të cilat është e pamundur që të kenë një funksion tjetër. Pastaj ne duhet t’i kthejmë sytë nga këto toka, të cilat quhen të pafrytshme për ne shqiptarët, por që rezultojnë që janë shumë të frytshme për të tjerët.”

Për Abc News, eksperti Diku analizon avantazhet.

“Përfitimi është i madh pasi shtohen burimet energjetike, Shqipëria është një vend ku pozicioni gjeografik e bën shumë të favorshëm përfitimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, siç është energjia diellore apo energjia e erës kështu që impakti në mjedis për çdo lloj aktiviteti  është minimal. Pak më i madh është në mjedis pasi poshtë paneleve nuk zhvillohet ndonjë bimësi apo ndonjë gjallesë tjetër e rëndësishme, sigurisht që ka gjallesa por habitati natyror prishet. Nëse e krahasojmë me përfitimin, ai sigurisht është më i madh. Thashë gjithmonë në rastin kur nuk kemi të bëjmë me toka mirëfilli bujqësore, por me toka të cilat është e sigurt që nuk mund të kenë destinacion tjetër përveç prodhimit të energjisë diellore.”- shprehet  eksperti  Diku.

Ekspertët thonë se mund të bëhen panele diellore dhe poshtë tyre të mbillen kultura, të cilat i përshtaten.

“Është e mundur dhe duhet teknologji e avancuar, duhet modernizimi proceseve teknologjike për prodhimin e energjisë, por edhe i kulturave bujqësore, por ne nuk jemi në këtë fazë. Për sa kohë ne vazhdojmë të kemi toka të lira, të cilat nuk kanë ndonjë destinacion tjetër mund të fillojmë t’i kthejmë në parqe voltaike. Më pas kur shohim se nuk ka ndonjë mundësi tjetër atëherë kthejmë sytë nga këto toka të pafrytshme apo zona, të cilat në një të ardhme të afërt mund të jenë fare mirë ferma bujqësore dhe mund të përdoren për prodhimet bujqësore. Turizmi, së pari kërkon prodhime vendase dhe nëse vazhdojmë të kthejmë tokat bujqësore në parqe fotovoltaike apo eolike e erës do t’i kthejmë sytë nga importi, pasi tregu vendas nuk do të jetë në gjendje të përballojë kërkesat në rritje të industrisë së turizmit. Pra duhet planifikim i gjatë, i saktë, i detajuar, duhet të dimë se ku po shkojmë dhe çfarë duhet të bëjmë.”

Vendimi përcakton që prodhimi bujqësor të mos jetë më i vogël se 70% para instalimit të paneleve ose rendimentit të referencës, i cili llogaritet duke përdorur mesataren trevjeçare, në rang bashkie. Në rastet e mungesës së të dhënave të prodhimit bujqësor, përdoren të dhënat që publikohen nga agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor dhe të konfirmuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar në bonitetin e tokës bujqësore.