Presidenti kinez dhe homologu i tij kazakistanas takohen me gazetarët
2024-07-03 19:53:16

CFP

Xinhua

Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij i Kazakastanit Kassym-Jomart Tokayev u takuan të mërkurën në Astana me gazetarët, pas bisedimeve ndërmjet tyre.

Ndër të tjera presidenti Xi Jinping tha: "Kjo është vizita ime e pestë në Kazakistanin fqinj mik dhe takimi im i dytë me presidentin Tokayev në nëntë muaj. Zhvillova bisedime të përzemërta, miqësore e të frytshme me presidentin Tokayev dhe arritëm konsensus të gjerë. Ne nënshkruam së bashku Deklaratën e Përbashkët ndërmjet Republikës Popullore të Kinës e Republikës së Kazakistanit dhe planifikuam bashkërisht drejtimin e rëndësishëm të bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve të ardhmen. Gjithashtu, dëshmuam shkëmbimin e shumë dokumenteve të bashkëpunimit ndërqeveritar e ndërdepartamentar mes dy vendeve, që mbulojnë fushat kyçe si ekonomia dhe tregtia, ndërlidhja, energjetika, bujqësia, shkenca e teknologjia dhe shkëmbimet njerëzore, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit me cilësi të lartë të marrëdhënieve mes Kinës e Kazakistanit. ”

Xi Jinping-u vuri në dukje më tej se Kina dhe Kazakistani do të ndërtojnë së bashku "Një brez, një rrugë" me cilësi të lartë dhe do të thellojnë më tej bashkëpunimin e ri konkret dypalësh.

"Të dy palët vendosën objektivin e ri të dyfishimit të vëllimit të tregtisë dypalëshe sa më parë të jetë e mundur, ranë dakord të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushat tradicionale si ekonomia dhe tregtia, investimet, kapacitetet prodhuese, ndërlidhshmëria e energjetika, të nxisin arritjen e fryteve prej më shumë projekteve të bashkëpunimit në kapacitetet prodhuese dhe të përshpejtojnë ndërtimin e Rrugës Ndërkombëtare të Transportit të Trans-Kaspikut dhe hekurudhës së tretë ndërkufitare Kinë-Kazakistan," vuri në dukje presidenti kinez.

Xinhua

Xinhua

Xi Jinping-u u shpreh më tej se Kina mbështet pranimin e Kazakistanit në mekanizmin e bashkëpunimit të BRICS-it.

Presidenti i Kazakastanit Kassym-Jomart Tokayev tha se marrëdhëniet kazakistanase-kineze kanë qenë gjithmonë të bazuara në respektin e besimin reciprok dhe nuk ka çështje të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve. Gjatë historisë, Kina nuk ka dëmtuar kurrë interesat e Kazakistanit dhe miqësia mes dy popujve është e pathyeshme dhe do të përcillet brez pas brezi. "Kina është partnerja më e madhe tregtare e Kazakistanit dhe vendi më i rëndësishëm i investimeve të huaja në Kazakistan. Investimet dhe bashkëpunimi i ndërmarrjeve kineze në Kazakistan kanë nxitur në mënyrë efektive zhvillimin kombëtar të Kazakistanit," vuri në dukje Tokayev. Ai shtoi se Kazakistani është i angazhuar për të forcuar vazhdimisht bashkëpunimin e gjithanshëm miqësor dhe me dobi të ndërsjellë me Kinën, mirëpret më shumë sipërmarrje kineze të investojnë në Kazakistan dhe do të ofrojë për to të gjitha kushtet e nevojshme të favorshme.