Presidenti kinez Xi Jinping zhvillon bisedime me homologun kazakistanas Tokayev
2024-07-03 18:41:12

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologun e vet kazakistanas Kassym-Jomart Tokayev në Astana/Xinhua

Të mërkurën paradite presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologun e vet kazakistanas Kassym-Jomart Tokayev në Astana.

Xi Jinping-u u shpreh gjatë bisedimeve se ai është shumë i gëzuar që viziton Kazakistanin e bukur.  "Erdha këtu për të parë vetë zhvillimin dhe lulëzimin e Kazakistanit. Besoj se, nën udhëheqjen tuaj, populli kazakistanas do të ndërtojë me siguri një 'Kazakistan të ri' të fortë e të begatë. Miqësia Kinë-Kazakistan i ka rrënjët në Rrugën mijëravjeçare të Mëndafshit dhe është forcuar nëpërmjet bashkëpunimit 32-vjeçar qysh nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, duke arritur në një nivel të lartë të partneritetit të përhershëm të gjithanshëm strategjik. Miqësia ndërmjet brezave dhe besimi reciprok i nivelit të lartë janë bërë temat kryesore të marrëdhënieve kino-kazakistanase," tha Xi.

Kreu i shtetit kinez ritheksoi se, pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, Kina do të mbetet e palëkundur në aspiratën e saj fillestare për të ruajtur miqësinë me Kazakistanin, në këmbënguljen e saj për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm, në vendosmërinë e saj për të mbështetur njëri-tjetrin në çështjet mbi interes thelbësor për secilën palë dhe në besimin e saj për arritjen e objektivave të tyre përkatëse kombëtare të zhvillimit. 

Takimi mes presidentit Xi Jinping dhe presidentit kazakistanas Kassym-Jomart Tokayev/CFP

"Dëshiroj të punoj së bashku me Ju për të ndërtuar një komunitet me fate të përbashkëta më kuptimplotë e më dinamik Kinë-Kazakistan, dhe për të sjellë më shumë energji pozitive në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e rajonit e të botës," i tha presidenti kinez Xi Jinping homologut të vet kazakistanas Tokayev.