Presidenti Xi thekson veçantinë e partneritetit Kinë-Kazakistan
2024-07-03 16:43:12

Presidenti kinez, Xi Jinping, deklaroi të martën se Kina dhe Kazakistani kanë krijuar një partneritet unik të përhershëm strategjik gjithëpërfshirës, në një deklaratë me shkrim pas mbërritjes në Astana, për një vizitë shtetërore në Kazakistan, ku do të marrë pjesë edhe në Takimin e 24-t të Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH), shkruan “Xinhua”.

Presidenti kinez u shpreh i kënaqur që vizitonte Kazakistanin me ftesë të homologut të tij, Kassym-Jomart Tokayev, duke shtuar se, në emër të qeverisë kineze dhe popullit kinez, ai përcolli përshëndetje të sinqerta dhe urimet më të mira për homologun Tokajev dhe popullin mik kazak.

Kina dhe Kazakistani ndajnë një traditë të gjatë miqësie, vuri në dukje presidenti Xi, duke theksuar se mbi 2000 vjet më parë, Rruga e lashtë e Mëndafshit lidhi ngushtë të dy vendet, duke shënuar fillimin e një historie shkëmbimesh miqësore.

“Gjatë 32 viteve të fundit, qëkur Kina dhe Kazakistani vendosën lidhje diplomatike, marrëdhënia i ka rezistuar provës dhe sfidave të kohës, duke evoluar në një partneritet unik të përhershëm strategjik gjithëpërfshirës”,- deklaroi kreu i shtetit kinez.

Ai tha gjithashtu se miqësia e përjetshme e dy kombeve është forcuar me kalimin e kohës dhe është shembull i solidaritetit, përfitimit reciprok dhe suksesit të ndërsjellë mes vendeve fqinje.

Presidenti Xi kujtoi se 11 vjet më parë, ai për herë të parë parashtroi iniciativën për ndërtimin e përbashkët të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit në Kazakistan, duke shtuar se, sot, bashkëpunimi “Një brez, një rrugë” midis Kinës dhe Kazakistanit ka dhënë rezultate të frytshme.

“Bashkëpunimi dypalësh ekonomik dhe tregtar, si dhe shkëmbimet mes njerëzve dhe ato kulturore kanë arritur pika të reja kulmore, po ashtu edhe bashkëpunimi ndërkombëtar mes palëve ka qenë i ngushtë dhe efikas, gjë që jo vetëm ka përmirësuar mirëqenien e të dy popujve, por dhe ka injektuar më shumë stabilitet dhe energji pozitive në situatën ndërkombëtare dhe rajonale”,- bëri të ditur presidenti Xi.

Ai tha se gjatë vizitës do të ketë bisedime me presidentin Tokayev dhe do të ketë një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh për marrëdhëniet Kinë-Kazakistan, bashkëpunimin e gjithanshëm dhe çështje të tjera ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët, në përpjekje për të bërë plane dhe marrëveshje të reja për zhvillimin e partneritetit të përhershëm strategjik gjithëpërfshirës Kinë-Kazakistan.

Tre avionë luftarakë të Forcave Ajrore kazake u ngritën për të shoqëruar avionin e presidentit kinez Xi Jinping pasi ai hyri në hapësirën ajrore të vendit.

Presidenti kazak mbajti një ceremoni madhështore në aeroport për të pritur homologun e tij kinez. (Elona)