Një moment i artë për veriun e Kinës
2024-07-02 10:12:53

Foto nga China Daily

Në vitin 1018, një princeshë e dinastisë Liao të Kinës (916-1125) vdiq në moshën 18-vjeçare dhe u varros pranë burrit të saj, pothuajse 20 vjet më i madh se ajo, i cili vdiq një vit para saj, rreth dy vjet pas martesës së tyre.

Ata prehen për gati një mijëvjeçar në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme në Kinën veriore.

Kur varri i tyre u zbulua nga arkeologët në vitin 1986, çifti, të dy ndër fisnikëritë më të larta të klasës sunduese të dinastisë Liao, u gjetën edhe sende që u përkisnin, duke përfshirë edhe dy maska ari që mbulonin fytyrat e tyre.

Një nga maskat, e mbajtur nga princesha, u ekspozua në Muzeun e qytetit Suzhou, në provincën Jiangsu të Kinës lindore, në një ekspozitë të titulluar “Bukuroshja në Tokën e Veriut”.

“Këto maska u përkisnin bukurosheve princesha dhe bashkëshorte mbretërore, statusi i lartë i të cilave nënkuptonte shumë më tepër se një mënyrë jetese luksoze”,- deklaroi Xu Xincheng, kuratori i ekspozitës.


Me mbi 100 ekspozita të organizuara nga Instituti i Kërkimeve të Relikteve Kulturore dhe Arkeologjisë të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme, Xu synon të tregojë historitë pak të njohura të këtyre grave fisnike, që të gjitha pothuajse kishin rol mbështetës dhe ruanin vazhdimin e një aleance politike që shtrihej në zemër të sundimit perandorak të Liaos.

Kjo mënyrë veprimi daton që në fillimet e dinastisë Liao, perandori i parë i së cilës, Yelyu Abaoji, mori mbështetje vendimtare nga gruaja e tij po aq ambicioze, Shulyu Ping, dhe familja e saj.

Më pas, u përdor mbiemri Xiao, i ndryshuar në Xiao He, krahu i djathtë i Liu Bang, themeluesi i dinastisë Han (206 p.e.s.-220), periudhë që ka jetuar dhe Abaoji. “Që atëherë, të gjitha perandoreshat e Liaos, gratë e para të perandorëve Liao, morën mbiemrin Xiao, me vetëm një përjashtim të dukshëm. Nuk është ekzagjerim të thuhet se pothuajse çdo Yelyu ishte martuar me një Xiao dhe anasjelltas. Marrëdhëniet familjare rezultuan të ishin absolutisht të frikshme nga një perspektivë moderne”,- thotë Xu, duke iu referuar martesës mes princeshës, gjyshi nga babai i së cilës ishte perandori i pestë i Liaos dhe burri i saj, Xiao Shaoju, i cili ishte gjithashtu daja i princeshës.

Nga varri i princeshës, e njohur si Princesha e Shtetit e Chen, u zbulua një kuti grimi prej argjendi, me një dragua të stampuar, ku u gjetën brenda disa kuti argjendi më të vogla, disa prej të cilave kishin përbërje nga pudra për fytyrën.

Sende të ngjashme, të zbukuruara me dragonj, feniksë dhe luanë, u gjetën në një varr në Mongolinë e Brendshme, që i përkiste një zonje, që disa studiues sugjerojnë se ishte një motra e Abaojit, një anëtare e popullit nomad Khitan.

“Objektet prej ari dhe argjendi ishin tepër të përdorura në jetën aristokratike të shoqërisë Liao, siç ndodhi me grupet e tjera nomade”,- deklaron Gai Zhiyong, zëvendësdrejtor i Institutit të Kërkimeve të Relikteve Kulturore dhe Arkeologjisë të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme, i cili u përfshi në gërmimin e disa varreve të shquara të dinastisë Liao.

Foto nga China Daily

Foto nga China Daily

Liao kishte rënë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të dinastisë Tang dikur të fuqishme (618-907), e cila në vitin 648 e bëri tokën tradicionale Khitan protektoratin e saj. Kur pasuria e Tang filloi të zbehej, Abaoji, i cili kishte bashkuar fiset e ndryshme Khitan, u ngrit për të shfrytëzuar mundësinë, duke vendosur sundimin e Liaos në vitin 916.

“Një nga gjërat që Liao kishte trashëguar nga Tang ishte tradita e prodhimit të arit dhe argjendit, e cila, falë lulëzimit të tregtisë së Rrugës së Lashtë të Mëndafshit gjatë periudhës së dinastisë Tang, kishte huazuar forma të shumta stilistike të zonës”,- tha Gai.

Megjithatë, sipas Xu, është fryma e internacionalizmit që duhet të llogaritet si trashëgimia e vetme më e rëndësishme e Tang për Liao. Duke treguar byzylykët e agatit dhe gjerdanët e qelibarit, si dhe kristalet dhe enët e qelqit, që shfaqen në ekspozitë, kuratori thotë: “Disa prej tyre mund të kenë ardhur nga rajoni i Detit Baltik, Lindja e Mesme ose Perandoria Bizantine. Shumë nga këto shkëmbime u kryen përgjatë asaj që sot njihet si Rruga e Mëndafshit e Stepës, e cila, duke u shtrirë në perëndim përgjatë stepës euroaziatike, lidhi Liaon me kultura të tjera përgjatë rrugës”.

Kurora e argjendtë e praruar që u gjet në varrin e Princeshës së Shtetit të Chen përmban një hyjni taoiste në majë, ndërsa vathët prej ari të motrës së supozuar të Abaojit kishin formë e makarasë, një kafshë mitike me kokë dragoi, me trup peshku, e futur në Kinë së bashku me budizmin. Kjo e fundit besohej të ishte një shaman femër, bazuar nga shiriti i artë i kokës, që zakonisht mbahej nga priftërinjtë shaman Liao.

Dyzet e katër vjet pas krijimit së Liaos, dinastia Song veriore (960-1127) doli nga i gjithë kaosi pas rënies së Tang, për të fituar sipërfaqe të mëdha toke në jug të sundimit Liao.

Një shoqëri bujqësore e zhytur në konfucianizëm dhe e populluar kryesisht nga kinezët Han, grupi etnik më i madh i Kinës, dinastia Song veriore për pothuajse të gjithë kohëzgjatjen e saj u përball me një kërcënim serioz nga fqinji i saj Khitan.

Në fakt, konflikti Song-Liao dominoi narrativën e historisë kineze në atë mënyrë që shumë shikues të ekspozitës aktuale janë të befasuar nga bollëku i provave materiale që tregojnë nivelin e shkëmbimit mes palëve.

Midis tyre ka sende celadoni nga furrat e famshme Yue në Kinën lindore, të cilat ndodheshin brenda kufijve të dinastisë Song veriore.

Një komplet çaji celadon, skajet e filxhanit dhe të pjatës të zbukuruara me argjend, tregon se si këto sende dikur çmoheshin nga personi që i përkisnin, një konkubinë mbretërore e një perandori Liao, i cili quhej Xiao.

Në mesin e viteve 1990, një dhomë varrimi prej guri e një zonje aristokrate Khitan u zbulua në qytetin Chifeng të Mongolisë së Brendshme, që daton në periudhën e hershme të dinastisë Liao.

“Është padyshim një zgjedhje e qëllimshme që muret veriore dhe jugore të dhomës kishin piktura me figura që përqendroheshin te gratë nga historia kineze”,- thotë Xu.

Në murin verior, konkubina mbretërore më e shquar e dinastisë Tang, Yang Yuhuan, paraqitet para disa shkrimeve budiste, vështruar nga papagalli i saj. Përballë saj gjendet një tjetër murale e frymëzuar nga një grua e quajtur Su Hui, e cila jetoi në Kinën e shekullit të katërt, një kohë ndarjesh dhe trazirash të mëdha. E shqetësuar për mungesën e burrit të saj, i cili ishte dërguar në tokën e largët të shkretëtirës në Kinën e sotme perëndimore, Su ka thurur një poezi në një copë pëlhure brokade që iu dërgua bashkëshortit të saj.

“Të dyja kishin të ngjarë të ishin tema të njohura gjatë kohës së Liaos, duke i ngritur gratë si për devotshmërinë dhe besnikërinë e tyre sa dhe për arritjet e tyre, letrare apo të tjera. Duke pasur parasysh traditën baritore të Liaos dhe luftërat e përsëritura me fqinjët e tyre, nuk është e pazakontë që një bashkëshort Khitan të ishte larg shtëpisë për periudha të gjata kohore. Duke pasur parasysh këtë, historia e Su ndoshta goditi më shumë se të tjerat”,- thotë Xu.