Foto nga VCG
Me një pjesëmarrje të lartë në nivelin gati 60%, që nuk ishte vërejtur prej vitit 1986, francezët votuan në raundin e parë të zgjedhjeve për 577 anëtarët e Parlamentit, shkruan “RTSH”.
Sondazhet tregojnë se Grupimi Kombëtar ka marrë kryesimin me 34 për qind të votave, ndjekur nga të majtët e Frontit të Ri Popullor me 28.5%, ndërsa blloku qendror i presidentit Emanuel Macron ka dalë i treti me rreth 20.3% të votave.
Kryetarja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen, u bëri thirrje votuesve t'i japin partisë së saj mazhorancën absolute në Parlament, që kryeministri i vendit të caktohet brenda tetë ditëve. Ai pritet të jetë bashkëkryetari i Grupimit Kombëtar, Jordan Bardella.
Me rezultatet e tanishme, partia e ekstremit të djathtë mund të fitojë nga 240 në 270 vende në Parlament, por jo shumicën.
Bardella deklaroi se e majta ekstreme do të krijonte një krizë ekzistenciale dhe përbën rrezik real për Francën dhe gjithë popullin francez. (Fatosi)