Nga 1 korriku 2024, paga mesatare në shtet rritet në 900 euro
2024-07-02 10:36:53

Më 25 qershor 2024, Keshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë miratoi disa vendime për nisjen e fazes së dytë të programit qeveritar të rritjes së pagave në administratën shtetërore.

Duke filluar nga 1 korriku 2024, qeveria vendosi një fond shtesë prej rreth 11 miliardë lekë, ose 110 milionë euro, deri në fund të këtij viti, për shtimin e pagave për 135 mijë punonjës të administratës shtetërore.

Ky fond i rritur për dhjetra mijëra familje shqiptare që kanë anëtarët e tyre që punojnë në administratën shtetërore, nënkupton siguri më shumë në vendin e punës dhe konsum të shtuar, çfarë jep një sinjal pozitiv për ekonominë sot dhe në të ardhmen e afërt.

Rritja e pagës së administratës publike (Foto MIA)

Rritja e pagës së administratës publike (Foto MIA)

Shumica e fondit të shtuar prej 110 milionë euro do të shkojë në shpenzime të rritura të këtyre familjeve për blerje mallrash dhe shërbimesh të nevojshme, për elektroshtepiake më shumë apo më moderne, pushime më cilësore dhe jetë më aktive shoqërore.

Një vit e një muaj më parë, më 25 maj 2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë prezantoi në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin për rritjen e pagave për administratën shtetërore. I kthyer në ligj dy ditë më vonë, më 27 maj 2023, ai synoi një reformë të plotë dhe të thellë të pagave në shtet, të cilin qeveria po e realizon.

Reforma kërkon ta kthejë administratën publike në sa më profesionale dhe tërheqëse në tregun e punës, duke nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë. Qeveria mori përsipër që, brenda një viti e dy muajsh, deri në korrik 2024, të realizojë një shtim pagash deri pak vite më parë të pamenduar në këto nivele të larta, duke e çuar pagën mesatare të punonjësit publik në nivelin e 90 mijë lekëve në muaj, ose 900 euro.

Gjatë nëndë viteve 2013-2021, duhet theksuar se paga mesatare bruto(pa taksat dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore) është rritur ngadalë në Shqipëri.

 Nga 45 mijë lekë që ishte në vitin 2014, viti i parë që INSTAT raporton pagën mesatare, ajo arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh, në vitin 2022, me një rritje të paindeksuar me inflacionin.

Sipas Institutit të Statistikave, në maj 2023, kur nisi reforma, paga mesatare në vend ishte po aq, 66 mijë lekë. Vendimi për të rritur pagën në administratën publike me 45 përqind, nga niveli i majit 2023, brenda pak më shumë se një viti, ishte një vendim sa kurajoz, aq edhe pozitiv i qeverisë.

Niveli i pagave (Foto Java News)

Niveli i pagave (Foto Java News)

Kjo qasje ishte e pritur prej shumë kohësh, pasi paraqitej e domosdoshme për të gjitha kategoritë e punës dhe strukturën e pagave në sektorin publik. Vendi po përballej me një emigracion konstant, i cili po shkaktonte vështirësi të mëdha në sektorin privat dhe në shtet, për gjetjen e fuqisë së duhur dhe të kualifikuar të punës.

Në komunikimin me mediat për vendimet e Këshillit të Ministrave të 25 qershorit 2024 për rritjen e pagave në administratën shtetërore, Ministri i Financave Ervin Mete theksoi se “Sot në Këshillin e Ministrave, miratuam vendimet specifike që synojnë rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e parashikuara edhe në Buxhetin e këtij viti.

Me miratimin e vendimeve ditën e sotme, avancojmë fazën e dytë të politikës së rritjes së pagave, nisur në vitin 2023, nga e cila përfitojnë rreth 135 mijë punonjës të administratës. Përmes zbatimit të kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë lekë.

Ministri Ervin Mete (Foto Abc News)

Ministri Ervin Mete (Foto Abc News)

Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me nje kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6-mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh.

Nga kjo politikë, përfitojnë punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, punonjësit e sistemit shëndetësor, punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit, si policia e Shtetit, policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi, si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.

Gjithashtu, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026, dhe siguron që rritja e pagave të jetë vijuese me normën e inflacionit”.

Administrata publike punëson sot rreth 180 mijë punonjës, në sektorë si arsim publik, shëndetësi publike, administratë publike qendrore dhe vendore, në polici, ushtri, ndërmarrje shtetërore aksionere, etj.

Shtimi i ndjeshëm i pagës mesatare në shtet, per institucionet dhe ndermarrjet qe varen drejtpersedrejti nga Buxheti i Shtetit, do të shërbejë si presion pozitiv edhe për rritjen e pagës mesatare në ekonominë shqiptare, përmes stimujve në sektorin privat. Sektori privat, i cili jep mbi 80 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit, punëson më shumë se një milion punonjës në Shqipëri. Një pjesë e mirë e punonjësve në sektorin privat, rreth 40 përqind, janë të vetëpunësuar në bujqësi.

Tek ne, prej vitesh ka pasur një hendek lidhur me nivelin e pagave minimale dhe mesatare, krahasuar me vendet e rajonit, të afërta me nivelin e fuqisë blerëse të vendit tonë, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Gjatë vitit 2022, pagat u rritën me shtim dyshifror, nga presioni i inflacionit të lartë dhe nga presioni i mungesës së punonjësve, me pothuajse të gjitha bizneset që raportonin vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë, deri në nivele 55 mijë-60 mijë punonjës në mungesë dhe në kërkim për t’i gjetur.

Reforma e pagave synoi dhe po arrin të përmirësojë edhe hierarkinë e pagave, për të tërhequr e mbajtur në administratë punonjësit e kualifikuar.

Reforma realizon një lidhje të drejtpërdrejtë midis pozicionit të punës dhe përgjegjësisë përkatëse, me pagën që punonjësi do të marrë këtej e tutje në shtet. Ajo përbën një ndryshim thelbësor në politikën buxhetore dhe fiskale të Shqipërisë, pasi e sjell politikën buxhetore më shumë pranë dhe në shërbim të qytetarëve.

Për çdo dy lekë të ardhura të mbledhura nga taksat dhe tatimet, nëpërmjet reformës, një lek shkon për transferta direkte, paga, pensione dhe ndihmë ekonomike. Gjysma e parave të buxhetit të shtetit shkon drejtpërdrejtë të qytetarët, ndërsa gjysma tjetër për përmirësimin e shërbimeve, investime, etj.

Me këtë reformë, paga në arsimin publik në korrik shtohet me 72 përqind dhe në shëndetësinë publike me 99 përqind, pra praktikisht dyfishohet.

Me shumë rëndësi është edhe vendimi i qeverisë për indeksimin e pagave në administratën shtetërore çdo dy vjet, çka eliminon periudha të gjata kohore pa rritur pagat në Shtet.

Fatos Çoçoli