Urim Mezini (Foto personale)
Urim Mezini me mbesen (Foto personale)
Urim Mezini me familjen (Foto personale)
Urim Mezini prej disa vitesh jeton me familjen në Torino të Italisë. Ai ka mbaruar studimet e larta për inxhinieri elektro-mekanike në Universitetin e Tiranës. Para disa vitesh emigroi prej 9 vitesh në Greqi dhe u kthye në Shqipëri në vitin 2000, për të punuar më pas në Komunën e Ishmit në detyra të ndryshme deri në vitin 2011. Gjithashtu vitet e fundit ai ka punuar si specialist në impiantin e trajtimit të ujërave në Gjirin e Lalzit dhe pas kësaj iu bashkua familjes në Itali.
Urim Mezini përveç pasionit për punën, ka shkruar qindra poezi, të botuara në gazeta dhe revista të ndryshme. Malli për vendlindjen ka bërë që Urimi të vijë shpesh në Shqipëri, për të takuar miqtë dhe kolegët e punës, por dhe për t’u çmallur me vendlindjen. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për jetën në Itali, pasionin për poezinë dhe projektet letrare në vazhdim.
CMG: Kur keni ikur në Itali dhe si u integruat me jetën atje?
Urim Mezini: Në fakt në Itali unë kam vite që vij sepse kam pasur familjen këtu që jetonte prej shtatë vitesh. Gjatë kohës që punoja si inxhinier në impiantin e hidratimit të ujrave në Gjirin e Lalzit vija herë pas here në Itali. Përfundimisht shkova ne Itali në vitin 2022, për shkak të një ndërhyrje në këmbë dhe në zemër. Kështu që për shkak të shëndetit u detyrova të shkoja në Itali, sepse unë e doja shumë profesionin tim. Madje akoma ruaj marrëdhëniet me stafin dhe kam komunikim të herëpashershëm. Prandaj erdha në Itali të gëzoj familjen dhe fëmijët e mi.
CMG: Tani që jeni larguar nga puna ju mungojnë kolegët dhe profesioni që bëje në Shqipëri?
Urim Mezini: Më mungojnë shumë dhe shkoj shpesh në Shqipëri sepse nuk rri dot pa vendin tim. Unë vetëm vjet kam qenë 11 herë dhe po ta llogarisësh kohën afërsisht 79 ditë i kam kaluar vjet në Shqipëri, përveç muajit gusht ku qëndrojmë afërsisht 15 ditë. Sa herë vij në Shqipëri shkoj te stafi i punës, takohemi për kafe dhe bisedojmë rreth punës. Unë interesohem shpesh për ecurinë e impiantit të trajtimit të ujrave, dhe kur ka pasur ndonjë defekt që nuk kanë mundur ta bëjnë kolegët më kanë marrë në telefon dhe i kam ndihmuar. Pra jam në komunikim të vazhdueshëm me stafin dhe ruajmë marrëdhënie të mira.
CMG: Pasioni për profesionin dhe punën ka bërë që mos të shkëputeni nga ky pasion edhe pse jeton larg?
Urim Mezini: Normalisht që po, sepse kam qenë që në fillimet e mia atje dhe ishte një impiant me shumë pajisje ku punohej 24 orë. Aty merrej ujë nga të gjitha resortet që operojnë në Gjirin e Lalzit dhe gjithë lokalet në vijën bregdetare. Ne merrnim ujin e ndotur, e pastronim dhe e nxirrnim të pastër. Kështu që ishte një pasion që më mbante 24 orë në komunikim me stafin për çdo defekt që mund të ndodhte.
CMG: Si u përshtatët me jetën në Itali?
Urim Mezini: Përshtatja ka qenë shumë e vështirë, sepse në Shqipëri isha një njeri që gëzoja respekt dhe kisha një staf shumë të mirë në punë. Ndërsa kur erdha në Itali e vetmja gjë që më gëzonte ishte familja, ndërsa këtu nuk të njeh njeri dhe nuk komunikon dot. Unë nuk di italisht, por komunikoj në anglisht kur shkoj nëpër zyra, spitale dhe kudo. Kam marrë tani disa libra me poezi dhe prozë në italisht dhe mundohem t’i përkthej me google translate. Mendoj ta mësoj gjuhën italiane që dhe të përkthej. Mundohem që të kaloj kohën duke lexuar dhe krijuar diçka. Pastaj kam dhe dy mbesa të vogla që më lumturojnë kur dalim tek parku. Edhe atje krijoj ndonjë gjë.
Urim Mezini gjate nje takimi me shoket e klases pas 38 viteve (Foto personale)
Urim Mezini gjate nje promovimi ne Durres (Foto personale)
CMG: Kur ka lindur te ju pasioni për poezinë?
Urim Mezini: Kur mbarova shkollën e mesme dhe vëllezërit e motra ime që ishin më të vegjël shpesh më kërkonin krijime për temën që ju kishte dhënë mësuesja. Pra që atëhere më hyri pasioni për letërsinë. Kur erdhi demokracia ne emigruam në Greqi, por duke qenë se ishim pa dokumenta ishim të detyruar të qëndronim mbylluar. Kështu që shfrytëzoja kohën duke krijuar vargje. Kam bërë atëhere 87 poezi, por për fat të keq ato poezi dhe gati 64 libra u dëmtuan nga shembja e një pjese të shtëpisë time. Kështu që i kam peng dhe pse mundohem t’i riprodhoj, por nuk i bëj dot ashtu si ishin.
CMG: Ku i keni botuar poezitë tuaja?
Urim Mezini: Disa nga krijimet e mia letrare janë botuar te revista Mesdheu, që ka botuar afërsisht 40 poezi të miat, por dhe shumë faqe të tjera kanë botuar krijimet e mia. Unë kam shkruar afërsisht 650 poezi, që janë të publikuara. Gjithashtu kam mjaft poezi në proçes të shkruari.
CMG: Si janë pritur poezitë tuaja nga kritika letrare dhe lexuesit?
Urim Mezini: Kam marrë shumë komente pozitive dhe në sajë të tyre jam përkushtuar më shumë për të shkruar, sepse disa komentues thonin se kishin gjetur vetveten në poezitë e mia. Poezitë kanë të gjitha mesazh dhe janë të fokusuara kryesisht te temat sociale. Pothuajse 90 për qind e poezive të mia kanë mesazhe të fuqishme dhe njerëzit gjejnë veten aty.
CMG: Këtë numër të konsiderurshëm poezish që keni shkruar nuk keni arritur t’i botoni në një libër?
Urim Mezin: Aktualisht kam bërë gati 91 poezi, që janë mjaftueshëm për të bërë një libër me rreth 200 faqe. Besoj se në muajin gusht do ta botoj, sepse dhe mësuesit e mi që i lexojnë më thonë që t’i botoj në një libër. Këta njerëz më kanë dhënë një shtysë dhe mendoj që tani në gusht të bëj një libër.
CMG: Keni dëshirë ta promovoni librin e parë në Shqipëri?
Urim Mezini: Besoj se po, sepse unë bashkëpunoj me poetin Agim Lika, i cili është nga vendlindja ime Ishëm dhe shkojmë mirë bashkë. Unë shkoj mirë me të gjithë poetët me të cilët komunikojmë shpesh. Madje tani ishte një promovim libri në Torino, ku dy poetë më ftuan që të shkoja, mirëpo unë kisha një problem familjar dhe nuk isha prezent. Kohët e fundit isha në promovimin e librit të poetit Agim Lika në qytetin e Durrësit.
CMG: Për çfarë ju merr malli më tepër kur jeni larg vendlindjes?
Urim Mezini: Unë kam shkruar rreth 40 poezi vetëm për vendlindjen time, Ishmin. Aty më duket se e di saktësisht ku perëndon dielli, ku i lëshon rrezet perëndimi dhe lindja, pra di me saktësi çdo gjë.
Intervistoi: Gazmend Agaj