Mezzo Sopranoja Olta Juba dhe projektet e afërta artistike
2024-06-30 16:28:53


Mezzo Sopranoja nga Durrësi Olta Juba  punon si trajnuese vokale pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës.  Ajo është diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë dega Kanto me rezultate të shkëlqyera. Ka interpretuar në opera, ka qenë për disa vite back vokaliste në Festivalin e Këngës në Rtsh dhe prej disa vitesh ka drejtuar disa festivale për fëmijë në Durrës, si dhe prej 11 vitesh është trajnuese vokale e fëmijëve, ku shumë prej këtyre talentëve me të cilët ajo ka punuar, kanë marrë pjesë në skenat ndërkombëtare. Në rrëfimin e saj përveç informacioneve për konkursin e zërave të rinj “Unë këndoj”, përmes intervistës me Radio Ejani Olta na tregon se së shpejti do të prezantojë  koncertin e saj recital, që do të jetë shumë i veçantë.

CMG: Sapo ka përfunduar konkursi “Unë këndoj” , të cilin e ke drejtuar. Na trego për këtë angazhim të fundit

Olta Juba: Jo më kot unë zgjodha që këtë intervistë ta zhvillonim në ambjetet e Qendrës Kulturore të Fëmijevë në Durrës, sepse këtu është vendi ku unë kam dalë si fëmijë nga këto klasa. Tashmë këto ambjente janë totalisht të reja dhe jam shumë e lumtur për fëmijët e këtij qyteti. Këtë vit u mbajt edicioni i 12-të i konkursit të zërave të rinj “Unë këndoj”, që e quaj personalisht ‘projekti i zemrës’, organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe “Zyra Arsimore” në Durrës. Kanë qenë pjesëmarrëse 20 shkolla shtetërore dhe private dhe në fazën e  parë janë paraqitur 107 fëmijë, të cilët u ndanë në tre kategori; fëmijët nga klasa e parë në të tretën, kategoria dytë nga klasa e katërt deri në të gjashtën, si dhe kategoria e tretë, nga klasa e shtatë deri në të  nëntën. Në këto 12 vite, ky është për mua edicioni i 9-të dhe jam shuëmë e  lidhur shpirtërisht me këtë konkurs për shkak se nuk është vetëm një konkurs. Fakti që unë e dua shumë këtë gjë është se është vetëm konkurs, i tillë mund të quhet deri në fazën gjysmëfinale, por nga faza gjysmëfinale e deri në fazën finale fëmijëve u ofrohet një trajnim intensiv falas, në mënyrë profesionale. Kjo gjë ka ardhur si rrjedhojë, se jo çdo fëmijë duhet të ketë mundësinë që të marrë leksione private, për të qenë gati në finalen e konkursit. Në finale këta fëmijë janë produkt i këtij konkursi dhe jo vetëm rezultat i një talenti.

CMG: Kjo është një mënyrë shumë e mirë për të zbuluar talente nga shkolla të ndryshme, fëmijë që ndoshta edhe vetë nuk e kanë ditur që kanë patur një talent brenda vetes. Përgëzime që ju  keni arritur t’i zbuloni nëpërmjet këtij konkursi

Olta Juba: Madje sipas formulës së fundit, nuk është lejuar asnjë fëmijë që ka konkuruar më parë apo që ka fituar një çmim në konkurse të ndryshme, sepse duam realisht që të jetë konkursi i zërave të rinj, e të jenë talente që nuk kanë pasur mundësinë asnjëherë që të ngjiten në një skenë. Konkursi në finale nuk konsiston vetëm me një diplomë dhe një kupë, por fëmijët që marrin çmime, për të disatin vit, u ofrohet pjesëmarrja në Festivalin e Fëmijëve të Durrësit, që organizohet në dhjetor, ku këta fëmijë si çmim marrin një këngë falas.

CMG: Përveç angazhimit në konkursin e zërave të rinj “Unë këndoj”, prej vitesh je angazhuar edhe me festivalin e këtij qyteti, ku për disa vite ke qenë edhe drejtoreshë artistike.

Olta Juba: Është e vërtetë, por konkretisht në katër vitet e fundit, puna ime është që të merrem totalisht me këngëtarët. Fakti që ne lidhemi kaq shumë shpirtërisht si staf me këto dy aktivitete të fëmijëve është se, së bashku me drejtorin aktual të festivalit dhe organizatorin, koreografin e nderuar Arian Plaku, i cili është në krye të të gjitha aktiviteteve, nuk bëhet thjesht puna në letra dhe japim produktin, por këtu punohet konkretisht me produktin. Produkti del nga ky institucion dhe kjo është më e bukura. Nuk është qëllimi që të kemi vetëm një festival kualitativ, por qëllimi është që ai fëmijë me vete të marrë edhe një eksperiencë. Ky festival së bashku me konkursin e  zërave të rinj, për hir të së vërtetës ka nxjerrë emra.

CMG: Është e vërtetë që puna jote ka dhënë rezultat, pasi dy vajza të cilat kanë dalë nga këto konkurse, kanë arritur që të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion, ku e fundit është Viola.

Olta Juba: Vitin e parë të them të drejtën mendova se ishte ‘fat’, por herën e  dytë, mendoj se është punë . Kanë qenë Kejtlin Gjata që mori pjesë në Junior Eurovision 2022 në Armeni dhe Viola Gjyzeli që mori pjesë në Junior Eurovision 2023 në Francë. Të dyja vajzat nga dalë nga ky institucion dhe të dyja kanë qenë pjesë e klasës time. Ato kanë fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme që organizohen përgjatë gjithë vitit, të dyja vajzat kanë fituar Junior Fest në Tiranë e si rrjedhojë më pas kanë përfaqësuar Shqipërinë në kompeticionin evropian të këngës për fëmijë. Dhe pa modesti, dua të them se kanë qenë dy nga përfaqësimet më dinjitoze të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Eurovizion, duke parë edhe rezultatet,e  duke u vlerësuar aty nga juritë profesioniste.

CMG: Olta, ke qenë një studente ekselente në Universitetin e  Arteve në Tiranë, cili ishte mendimi yt i parë pas diplomimit?

Olta Juba: Unë jam pafund falenderuese të gjithë personave që kanë besuar tek unë. Rrugëtimi im ka qenë me njerëz që më kanë mbështetur fort dhe kanë besuar tek mua dhe unë nuk mund të isha kjo që jam sot pa mbështjetjen e çdo personi që më ka ndihmuar për të arritur këtu. Unë kam mbaruar shkollën e mesme “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe kam punuar me profesoreshën e nderuar të ndjerën  Hamide Stringa, kam patur fatin që të jem një nga studentet e fundit të saj. Ka qenë personi që më ka bërë ta dashuroj atë që bëj. Unë kam dashur të konkuroj për aktrim, por profesoresha më bëri që ta doja kaq shumë veten kur këndoja, saqë besova vërtetë se kjo ishte rruga që duhej të ndiqja.

Më pas përfundova studimet e larta me profesoreshën e  nderuar Suzana Frashëri, që ka qenë fati im i madh që të punoja në klasën e saj. Përkrah prof. Frashëri, kam patur dhe profesor Zef Çobën, Nikolin Gurakuqi, Dritan Lumshin, të cilët nuk do i harroj sa të kem jetën, që për çdo aktivitet ata i binin telefonit dhe më ftonin që të merrja pjesë. Duke qenë se unë nuk rrjedh nga familje muzikatësh, disa rrugë nuk mund t’i njihja, prandaj këta janë personat që më kanë dhënë dorën e më  kanë çuar aty ku duhej të isha. Kam punuar vërtetë fort, por nuk e kam ndjerë si një punë, pasi ka qenë një gjë që e kam dashur. Ishte shumë e bukur pyetja; si u ndjeva ditën që përfundova studimet? Atë ditë isha në mes të një udhëkryqi, një studente e sapo diplomuar, ku në çantë kisha shumë ëndrra, por nuk dija si t’i drejtoja.

CMG: Kthehemi pas në kohë dhe sjellim për publikun ato ëndrra që kishe pasi u diplomove

Olta Juba: Ka pasur një kontrast mes meje dhe shoqërisë që më rrethonte. Në vitin e fundit dëgjoja shokë e shoqe që ishin të zhgënjyer që kishin zgjedhur të studionin Universitetin e  Arteve, ku konkurenca është shumë e madhe, por tregu është shumë i vogël. Por unë gjithmonë kam qenë shumë e vetëdijshme se kjo është ajo që duhej të bëja dhe se njeriu nëse do dhe e kërkon, e gjen rrugën e tij. Patjetër që kam pasur dilema, pasi unë kam ëndërruar që të jem në opera gjithë jetën. Në kontaktin tim të parë me fëmijët, nuk e kam për turp ta them, unë kam qarë, mendova se po dështoja. Herën e parë kur bëra rrugën nga Durrësi për në Tiranë për të dhënë mësim në një shkollë, unë kam qarë. Patjetër që doja të bëhesha këngëtare, ëndërrat i kam ende, kam sërish shumë gjëra që dua t’i realizoj. Nëse nuk kam ëndrra, nuk ka arsye pse të zgjohem në mëngjes. Gjatë periudhës së Martesterit unë i kisha vënë në vijë disa punë, disa produksione, kisha marrë një eksperiencë, por për asnjë moment nuk kam dashur të heq dorë nga kjo gjë.

CMG:  Çfarë kujton nga veprat që ke luajtur në skena të ndryshme, si edhe në atë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe a e ke vënë në skenë veprën dhe rolin tënd të preferuar?

Olta Juba: Kanë qenë disa produksione të cilat i kam vënë që në Durrës si fillim, ku kam interpretuar në operan “Mrika” të Prenk Jakovës, kam interpretuar në Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, më pas në “Flautin Magjik”e  Mozart, dhe produksioni i tretë ka qenë “West Side Story” e Leonard Bernstein në rolin  e Anitës, rol të cilin e kam dashuruar shumë, dukej sikur ishte qepur për mua ai rol, i shkonte shumë vokalit tim. Ndërsa pas studimeve kam interpretuar në mënyrë profesionale në TKOB-së, ka qenë prof. Nikolin Gurakuqi që na mori si studentë e na ngjiti në opera në projektin “Opera për të rinjtë”. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, por edhe që më ka rritur shumë profesionalisht, me një orkestër profesionte e me një staf profesional.

Më pas ka patur disa eksperiencë të tjera. Një nga ato ka qenë “Carmen” me regji të Gëzim Myshketës. Mbaj mend që opera në atë kohë ka qenë në rikonstruksion dhe ajo opera është shfaqur te Pallati i  Kongreseve. Sa i takon rolit të preferuar është patjetër roli i Anitës, ndërsa ajo që dua të interpretoj është “Carmen” dhe mendoj se mund ta bëj shumë mirë. Në tjetër projekt ka qenë “Suor Angelica” nga triptiku i Giacomo Puccinit, një rol që e kam ëndërruar që ta bëj, por me rritje kam kuptuar se është një rol që nuk më qëndron në zë, por është një rol që mund ta bëj në një moshë të caktuar.

CMG: Ti ke studiuar për kanto, por ke interpretuar madje je vlerësuar edhe me çmime në zhanret  të tjera muzikore. A është e lehtë apo e vështirë për një mezzo-soprano që të interpretojë në muzikën e lehtë apo në muzikën popullore qytetare?

Olta Juba: Unë kam disa ekperinca në muzikën e lehtë, por nuk ka qenë diçka që e kam marrë shumë seriozisht. Kam patur ftesa dhe  i kam pranuar, pasi nuk jam një natyrë që mund të them “jo”.  Një ekperiencë e suksesshme ka qenë në “Zambaku i Prizrenit”, ku u vlerësova me çmimin e dytë , ndërsa një vit më vonë fitova çmimin e parë në Festivalin “Luleborë” në Shkodër, në një duet me soprano Erinda Agolli, me një këngë shumë të ndjerë të prof. Zef Çobës, ku ishte një eksperiencë shumë e bukur.

Më pas eksperienca të tjera në muzikën e lehtë kanë qenë të vazhdueshme, herë si back vokaliste e herë si soliste. Por a është e vështirë? Mendoj se është një specifikë më vete, jo çdo këngëtar lirik mund të këndojë muzikë të lehtë, por edhe një këngëtar i muzikës së lehtë nuk mund të këndojë muzikë lirike, nëse nuk është profilizuar në të, por nëse është një profesinist, e gjen formën dhe mënyrën se si mund ta qasi veten në muzikën e lehtë, sidomos edhe në atë qytetaren.

CMG: Sot, cilin zhanër muzikor ke më shumë përzemër muzikën e lehtë dhe qytetare, apo muzikën lirike?

Olta Juba:  Çfarë do dëshiroja është që të  ngjitem në opera,  por më e lehtë është muzika e lehtë dhe ajo qytetare.

CMG: Cila është ajo skenë që do doje të ngjiteshe  një ditë?

Olta Juba: Patjetër që e kam një skenë të preferuar, të cilën e kam pasur ëndërr gjithmonë, ajo është opera e Vjenës.

CMG: Përveç gjithë këtyre eksperiencave,  për shumë vite ke qenë back vokaliste e disa aktiviteteve në Tiranë, por edhe në Festivalin e Këngës në RTsh. Si është të jesh zëri mbështetës i gjithë këngëtarëve që dalin në skenë?

Olta Juba: Është bukur të jesh back-vokaliste, ka ndjesi tjetër  të jesh vokali mbështetës i solistëve, pasi nuk je vetëm tre minuta në skenë, por je gjatë gjithë shfaqjes, pra nuk është e lehtë. Duhet të mësosh mirë çdo këngë, pasi për një moment mund t’a hedhësh këngën në tokë dhe i prish punë këngëtarit, nëse nuk je si duhet, aty ku duhet dhe aq sa duhet. Të jesh back-vokalist nuk duhet të dish vetëm këngën, por të dish linjat e këngës, të thellohesh në analizën e këngës, që ta bësh ashtu siç duhet. Eksperiencat e para kanë qenë me këta njerëzit që na duan fort dhe na mbështesin. Eksperiencën e parë e kam patur kur kam qenë ende studente. Ka qenë prof. Alfred Kaçinari, i cili më bëri ftesën që të isha pjesë e Festivalit të RTSH-së. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, profesionale, një mësim për korrektësinë, nga prof. Fredi që është mjeshtër për korrektësinë. Gjithashtu kam vazhduar edhe me projekte private me Bashkinë e Tiranës, ku kam qenë pjesë për shumë vite, sidomos në “Albania Pop Rock”, i cili vjen çdo vit me një fytyrë të re, projekt i producentes Kozeta Kurti, e cila është një nga ata njerëzit që nuk më harron asnjëherë. Janë eksperienca që na rrisin, si dhe janë eksperienca që na sjellin eksperienca të reja, por ka qenë edhe si një shkollë më vete.

CMG: Përveç punës me fëmijët, a ka diçka të re nga ana profesionale që si artiste pret të realizosh?

Olta Juba: Prej një viti jam punonjëse e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” dhe përveç orëve të gjata të punës që ka aty, kam patur mundësi shumë të mirë që të kem kontakte me profesorë të mi dhe artistë që kisha kohë pa i takuar. Kjo ka hapur dyer dhe kontakte që mund të ishin harruar, më ka sjellë me një punë intensive. Dua të tregoj një moment shumë emocional, kur sapo fillova punën, ajo ishte shumë intensive, orët ishin të pafundme dhe ishte një moment dileme që i thashë vetes: A mund ta bëj dhe a duhet ta bëj këtë gjë? U futa brenda në sallë, aty nga karriget dhe kisha skenën përballë, për një moment pata atë ndjesinë e fortë që e doja dhe ishte ai moment që i thashë vetes; “kjo punë do ma hajë zemrën”. Projekti im personal është një koncert recital që e kam menduar që vjet.

CMG: Do jetë një gërshetim mes  muzikës lirike dhe asaj qytetare?

Olta Juba: Do të jetë një gërshetim i të gjitha eksperiencave të mia. Nuk do të jetë një koncert recital i zakonshëm, por do ketë të ftuar të gjithë miqtë e mi, të cilët kanë besuar fort tek unë, jo për të parë, por të ftuar në skenë. Do të jetë një mbrëmje ku do të këndojmë të gjithë bashkë. Nuk do të jetë një publik që të shohë Oltën, por do jetë një publik, si një familje e madhe. Kjo është dëshira ime dhe koncepti im, pra njerëzit të mos ulen thjeshtë për të më duartrokitur, por për të kaluar një orë të këndshme, si një mbrëmje krejt e natyrshme, ku secili zgjedh këngën e preferuar me atë gotën e verës përpara dhe  që t’a shijojë. Këtë ndjesi dua që të sjell me këtë koncert.

Intervistoi: Sava Lena