Foto nga VCG
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, se Shkupi zyrtar po shkel Marrëveshjen e Prespës, të bëra gjatë takimit të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Në njoftimin e qeverisë maqedonase thuhet se shteti vazhdon të respektojë detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Prespës në të gjitha aspektet, përfshirë edhe përdorimin e emrit “Maqedoni”, por edhe të emrin “Maqedoni e Veriut” në formatet dhe ngjarjet që përcaktohen në Marrëveshje dhe në Kushtetutën e shtetit, shkruan “RTSH”.
Qeveria maqedonase bëri të ditur se marrëveshja për ndryshimin e emrit të shtetit, që u arrit mes dy vendeve, ka detyrime për të dyja palët dhe Greqia fqinje nuk ka përmbushur të gjitha aspektet e saj.
“Po ashtu, ne duam të theksojmë se procesi i integrimit europian vazhdon të jetë prioritet i rëndësishëm i yni. Ne jemi të bindur se përparimi ynë dhe kontributi në stabilitetin rajonal dhe sigurinë, por edhe në përkushtimin për reforma, do të vlerësohen si duhet nga Bashkimi Europian”,- thuhet në reagimin e qeverisë maqedonase.
Ky njoftim vjen edhe pas një reagimi nga Ministria e Jashtme e Greqisë, sipas të cilit qeveria maqedonase i është kthyer veprimeve të së kaluarë.
Greqia është zemëruar pasi gjatë një fjalimi para Kuvendit maqedonas, para se të zgjidhej kryeministër, Hristijan Mickoski, përdori emrin e vjetër të shtetit.
Greqia dhe Bashkimi Europian reaguan po ashtu muajin e kaluar, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, pasi gjatë betimit si presidente, përdori emrin Maqedoni, e jo emrin zyrtar të shtetit.
Përveç kryeministrit grek, edhe kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Dimitar Glavçev, gjatë samitit të BE-së ngriti temën se a po respekton Maqedonia e Veriut detyrimet e saj në mënyrë që të anëtarësohet në bllok. (Irma)