Presidenti Xi Jinping zhvillon bisedime me Presidenten e Perusë Boruarte
2024-06-29 15:16:25

Foto nga Xinhua

Pasditen e 28 qershorit, Presidenti Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pekin, në Sallën e Madhe të Popullit, me Presidenten e Perusë Dina Boluarte, e cila ndodhet në Kinë për një vizitë shtetërore.

Xi Jinping vuri në dukje se Kina dhe Peruja janë dy vende me qytetërime të lashta. Lidhja mes tyre ka një histori të gjatë dhe miqësia mes dy popujve është rrënjosur thellë në zemrat e njerëzve.

Peruja ishte një nga vendet e para të Amerikës Latine, e cila vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Ndërkohe ajo ishte një nga vendet e para, që vendosi marrëdhënie partneriteti strategjik gjithëpërfshirës me Kinën. Ishte gjithashtu vendi i parë i Amerikës Latine, që nënshkroi një paketë marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Kinën.

Vitet e fundit, falë përpjekjeve të përbashkëta të palëve, bashkëpunimi Kinë-Peru në fusha të ndryshme, ka arritur rezultate të frytshme. Projektet e mëdha të bashkëpunimit të kompanive kineze në Peru, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve.

Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve Kinë-Peru. Ajo është e gatshme të punojë me Perunë për të konsoliduar besimin e ndërsjellë politik, për të thelluar bashkëpunimin praktik, për të promovuar mësimin reciprok midis qytetërimeve, për të forcuar bashkëpunimin shumëpalësh dhe për të nxitur marrëdhëniet e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës Kinë-Peru në fazën e re.

Xi Jinping theksoi se respektimi i ndërsjelltë dhe trajtimi i barabartë është mënyra e Kinës, njëkohësisht dhe arsyeja themelore, pse marrëdhëniet e partneritetit strategjik gjithëpërfshirës Kinë-Peru kanë ruajtur gjithmonë një zhvillim të nivelit të lartë. Kina mbështet Perunë në rrugën drejt zhvillimit, që i përshtatet kushteve të saj kombëtare. Ajo është e gatshme të mbështesë fort Perunë dhe të promovojë në mënyrë të palëkundur bashkëpunimin miqësor Kinë-Peru.

Palët duhet t'i japin lojë të plotë, rolit të mekanizmit të dialogut strategjik për bashkëpunimin ekonomik midis dy qeverive. Palët duhet të lidhin 8 projekte të nismës “Një brez, një rrugë” me nevojat e zhvillimit të Perusë. Ato duhet të koordinojnë promovimin e bashkëpunimit në fushat minerale, energjitike, të industrisë së prodhimit, bujqësisë etj. Gjithashtu duhet të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha në zhvillim si energjia e re, ekonomia dixhitale, inteligjenca artificiale dhe shëndeti dixhital.

Kina mirëpret më shumë produkte peruane me cilësi të lartë, të hyjnë në tregun kinez. Gjithashtu shpreson që Peruja do të sigurojë një mjedis të mirë ligjor dhe politik për kompanitë kineze, për të investuar në bashkëpunime afatgjata.

Nga ana e saj, Dina Boluarte u shpreh se ndjehej e nderuar të drejtonte ministra të rëndësishëm të kabinetit dhe përfaqësues të ekonomisë, në vizitën e tyre në Kinë.

Peruja edhe Kina janë dy qytetërime të lashta në botë. Kinezët kanë dhënë historikisht një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Perusë. Vitet e fundit, shkëmbimet dhe bashkëpunimet mes dy vendeve në politikë, ekonomi, tregti apo kulturë, kanë arritur rezultate të frytshme.  Veçanërisht, bashkëpunimi investues i kompanive kineze në Peru, jo vetëm që ka krijuar një numër të madh vendesh pune, por ka sjellë teknologji dhe përvojë të avancuar.

Përgjatë këtyre dy ditëve vizitash në Shenzhen, Shangai, Suzhou, kemi përjetuar personalisht zhvillimin e shpejtë dhe përparimin teknologjik të Kinës. Kemi eksploruar shumë fusha ku mund të zgjerojmë bashkëpunimin në të ardhmen.

Peruja admiron sinqerisht arritjet e mëdha të Kinës. Ajo shpreson të mësojë nga përvoja e suksesshme e Kinës dhe të ndihmojë Perunë të arrijë sa më mirë zhvillimin e saj, nëpërmjet zgjerimit të bashkëpunimit midis dy vendeve. Ne mirëpresim më shumë kompani kineze për të investuar në Peru dhe për të forcuar bashkëpunimin në infrastrukturë, zhvillimin e gjelbër, energjinë e pastër etj. Peruja është e gatshme të sigurojë një mjedis të mirë biznesi për kompanitë kineze, u shpreh ajo.

Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në vitin 1971, qeveria peruviane i është përmbajtur gjithmonë politikës së një Kine. Peruja do të vazhdojë t'i përmbahet me vendosmëri parimit një Kinë. Ajo mbështet serinë e nismave globale të propozuara nga Presidenti Xi Jinping. Gjithashtu është e gatshme të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kinën, brenda kornizave shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara dhe Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor, për të mbrojtur bashkërisht multilateralizmin dhe për të promovuar një ekonomi të hapur botërore.

Pas bisedimeve, krerët e dy vendeve dëshmuan bashkërisht nënshkrimin e "Planit të Përbashkët të Veprimit ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Qeverisë së Republikës së Perusë nga viti 2024 deri në vitin 2029", si dhe një sërë dokumentesh bashkëpunimi dypalësh në fushat ekonomike dhe tregtare, të ekonomisë dixhitale, të inovacionit teknologjik, të inspektimit të karantinës, të mediave, të lajmeve. Të dy palët njoftuan se kanë përfunduar në parim negociatat për të përmirësuar marrëveshjen e tregtisë së lirë. (Çang Çuo)