“Albania Guitar Festival” në edicionin e tij të 8-të në Shqipëri
2024-06-28 10:38:38

Pamje nga festivali (Foto Klan tv)

Momente gjate koncertit (Foto personale)

U mbajt në Shqipëri gjatë muajit qershor edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës “Albania Guitar Festival”. Kjo ngjarje e shumëpritur nga artdashësit shqiptarë nisi më 3 qershor  me pjesëmarrjen e disa prej kitaristëve  më të mire europianë. Festivalin e hapi kitaristi virtuoz Roberto Tascini, i njohur për teknikat e tij të jashtëzakonshme dhe interpretimet e veçanta që kanë mahnitur audienca anembanë globit. Ai performoi në sallën Tonin Harapi në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, me një repertor të larmishëm e ndërthurur me kompozitorë nga Italia dhe Spanja. Individualiteti dhe interpretimi virtuoz qe kitaristi nga Italia kishte, e bëri për vete audiencën shqiptare. Koncerti u zhvillua në kuadër të Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri. Koncerti i dytë i festivalit ngjiti në skenë duon e kitaristëve Hosp & Palier, që përcollën një harmoni të rrallë dhe ndjeshmëri të thellë për muzikën klasike dhe moderne. Florian Palier përfundoi studimet në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese në Vjenë, ku aktualisht jep mësim, si edhe në Johann-Joseph-Fux-Konservatorium Graz po në Vjenë. Ndërsa Melanie Hosp konsiderohet si një artiste premtuese në skenën së kitarës. Albumi i parë solo "Cómo el Agua", është  publikuar në 2015.  Melanie lëviz mes botës së muzikës klasike, latino-amerikane dhe xhazit. Që nga viti 2013 ajo jep mësim në Shkollën e Muzikës në Linz.  Më 8 qershor  dueti Duo Hosp & Palier performoi në kishën e Shëlbuemit në Rubik, një objekt kulti me vlera të mëdha fetare dhe kulturore.

Ndërsa më 13 qershor  u ngjit në skenë një tjetër emër i madh, kitaristi i famshëm rus Anton Baranov, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe një nga interpretuesit më të kërkuar të momentit. Anton Baranov është fitues i konkursit të “Guitar Foundation of America” 2013 si dhe i më shumë se 20 konkurseve prestigjioze anembanë globit. Ai është cilësuar si një kitaristët me virtuozitet dhe muzikalitet të madh. Përveç aktivitetit të tij në këtë koncert, Anton Baranov jep master-klasa në Universitetin McGill në Montreal, Konservatorin e Vietnamit në Ho Chi Minh City, Akademinë Estoneze të Muzikës dhe Teatrit në Talin.

Më 15 qershor  u mbajt një koncert tjetër  i veçantë në Muzeun “Onufri” të Beratit. Kitaristi shqiptar Denis Bizhga performoi një duo me flautisten holandeze, Corien Woestenburg, duke sjellë një bashkëpunim të veçantë që ndërthur kultura dhe stile të ndryshme muzikore. Tingujt e bukur të kitarës dhe flautit u shkrinë me magjinë e ikonave që muzeu mbart si thesar i paçmuar i trashëgimisë sonë kombëtare.

Kitaristi Denis Bizhga dhe artistja holandeze Corien Woestenburg   (Foto personale)

Dr. Denis Bizhga në festival(Foto personale)

Në këtë edicion të 8-të Spanja u përfaqësua nga kitaristi andaluzian Eduardo Inestal, i cili  solli më 20 qershor në Tiranë tingujt dhe emocionet e muzikës tradicionale spanjolle. Artisti Eduardo Inestal ka studiuar kitarë në Conservatorio Superior de Música de Castilla y León dhe Robert Schumann Hochschule në Düsseldorf nën drejtimin e Marcos Martín, Hugo Geller, si dhe Joaquín Clerch, ku ka përfunduar studimet në të dy institucionet me nderime dhe “Premio de Honor”. Ai është vlerësuar me 23 çmime në konkurse ndërkombëtare, duke përfshirë José TomásVilla de Petrer, Norba Caesarina, Nizhny Novgorod, Guitar Perm-Silver, Alexander Matyaev, Villa de Aranda, César Aira, Villa de L’Olleria, Nevv Generation, Olive Branch dhe Luys Milan. Ai ka qenë i ftuar gjithashtu në festivale të shumta muzikore, si Festivali Ndërkombëtar i Kitarës i Havanës (Kubë), Niederrhein-Musikfestival (Gjermani), Festivali i Kitarës në Düsseldorf (Gjermani), “La Guitarra en los Jardines de Falla” (Granada )etj. Ai ka shfaqur premierë vepra të shumta kushtuar atij nga kompozitorë të rëndësishëm, duke përfshirë Joaquín Clerch, David del Puerto, José María Gallardo del Rey. Eduardo Inestal jep mësim në Universitetin Robert Schumann dhe në Clara Schumann Konservatori, të dy të vendosur në Düsseldorf, Gjermani. Ai ka qënë si anëtar jurie në konkurse të shumta ndërkombëtare. Për edicionin e 8-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës flet për Radio Ejani kitaristi i mirënjohur, njëkohësisht Drejtor Artistik  i këtij festivali Dr. Denis Bizhga

CMG: Për virtuozët e kitarës, por jo vetëm  mbahet këtë vit edicioni i  8-të i Festivalit të Kitarës “Albania Guitar Festival”. Tashmë ky festival ka krijuar identitetin e vet prej tetë vitesh, por si do e përkufizoni këtë festival dhe interesin e publikut për të ?

Dr.Denis Bizhga: Mendoj që në këtë edicion kemi bërë një përzgjedhje shumë të mirë të artistëve pjesëmarrës sepse kemi një gjithëpërfshirje nga disa shtete të Europës. Disa nga kitaristët dhe profesorët më të mirë u bënë pjesë e këtij edicioni të Festivalit të kitarës. Interesi i publikut ka ardhur në rritje nga viti në vit, duke tejkaluar pritshmëritë dhe këtë përshtypje e marrim nga pjesëmarrja e tyre gjatë muajit qershor.

CMG: Ju bëni bashkë artistë nga vende të ndryshme të botës, shumë prej të cilëve janë profesorë dhe artistë që kanë dhënë koncerte në vende të ndryshme. Si janë ndjerë ata në Shqipëri dhe çfarë ju kanë thënë për këtë festival?

Dr.Denis Bizhga: Artistët që morën pjesë në këtë festival janë profesorë dhe solistë të mirënjohur. Festivali tashmë ka krijuar reputacionin e tij në rajon, por dhe në Europë dhe artistët vijnë me kënaqësi të performojnë në skenat shqiptare. Padyshim që mikpritja që na karakterizon është ambasadori më i mirë i reputacionit tonë, por dhe ambienti professional i ka bërë ata të shprehen shumë pozitivisht për festivalin, duke shprehur dhe dëshirën e rikthimit.

CMG: Gjëja më e bukur është suksesi i realizimit të këtij festivali, por vështirësia më e madhe për ta mbajtur këtë festival cila ka qenë për ju?

Dr.Denis Bizhga: Ky festival realizohet me shumë pasion dhe përkushtim, duke shprehur mirënjohje për të gjithë mbështetësit dhe bashkëpuntorët. Pavarësisht që vështirësitë në organizim janë të përvitshme, mendojmë që tradita dhe vazhdimësia e këtij aktiviteti kulturor vjen dhe si një detyrim karshi publikut shqiptar.  Festivalet muzikore janë ngjarje kulturore që tregojnë emancipimin e një shoqërie. Janë institucione kulturore ku qëllimi është zhvillimi i audiencave ku fokusi është tek brezi i ri.

Kitaristi italian Roberto Tascini (Foto   personale)

CMG: Çfarë të veçante kishte këtë vit ky festival ?

Dr.Denis Bizhga: Do të thoja që çdo edicion është i veçantë sepse artistët sjellin stile unike. Këtë vit kemi patur artist që kanë performuar solo, në duo kitarë dhe duo flaut dhe kitarë. Vendodhjet kanë qënë një pikë e rëndësishme e këtij edicioni. Kemi patur mundësinë të luajmë në kishën e bukur të Shëlbuemit, në Rubik. Një koncert i bukur ishte ai për flaut dhe kitarë në sallën e ikonave të Muzeut Onufri në Berat, si dhe duo kitarë në Muzeun “Oso Kuka” të Shkodrës. Mendojmë se realizimi i aktiviteteve muzikore në objekte historike të trashëgimisë sonë kulturore rrit ndjeshmërinë ndaj këtyre destinacioneve, për mbrojtje dhe konservim, duke krijuar një respekt të ndërsjellë.

-Edicioni 8-të i Festivali Ndërkombëtar të Kitarës “Albania Guitar Festival” u mbyll me sukses më 27 qershor, me koncertin e artistit që erdhi nga Gjermania, profesorit të nderuar Gerhard Reichenbach, i cili është i njohur për përvojën dhe aftësitë e tij të jashtëzakonshme pedagogjike dhe interpretative. Gerhard Reichenbach është një nga muzikantët koncertist gjermanë më të njohur ndërkombëtarisht dhe konsiderohet si një nga kitaristët më interesantë të gjeneratës së tij. Gjatë 40 viteve të performancës së recitaleve (recital debutues në Dyseldorf në 1980, debutime ndërkombëtar në Festivalin e Guitar në Volos, Greqi 1990) ai luajti recitale solo dhe koncerte me orkestër në shumë nga festivalet më të mëdha ndërkombëtare të kitarës. Në vitin 2003 ai u ftua në debutimin e tij në koncert me Filarmoninë e Berlinit. Mësimdhënia dhe ndarja e përvojës së tij muzikore është thelbësore për Gerhardin. Në moshën 29 vjeçare ai u bë profesor në Akademinë e Muzikës Franz Liszt në VVeimar (Gjermani). Në vitin 2000 u transferua në Selanik (Greqi) ku ngriti departamentin e ri të kitarës klasike të Konservatorit Shtetëror të Selanikut. Që nga viti 2009 e deri më tani ai mban pozicionin e profesorit në Universitetin e Muzikës në Këln.  

Sipas drejtorit artistik të festivalit, Denis Bizhga, qëllimi është se koncertet e festivalit u menduan që të mbaheshin në katër qytete të ndryshme, duke përfshirë Tiranën, Beratin, Shkodrën dhe Rubikun. Një mënyrë e mirë kjo për të promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare, duke u zhvilluar këto koncerte të festivalit në vende historike dhe me rëndësi kulturore. Një prej pikave kulmore ka qenë dhe performanca në Kishën e Shelbuemit në Rubik, një objekt kulti me vlera të mëdha fetare dhe kulturor, po ashtu  koncerti  në Muzeun Onufri në Berat, një vend me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore shqiptare. Këto vende  pritet që t'i japin një dimension të ri dhe të veçantë përvojës muzikore, duke sjellë një lidhje të fortë mes muzikës dhe historisë. Ky fokus në objekte të trashëgimisë kulturore është një përpjekje për të promovuar dhe mbrojtur këto thesare të çmuara të historisë dhe kulturës sonë. Përmes muzikës, ky festival synon të sjellë një ndërgjegjësim më të madh për rëndësinë e këtyre monumenteve dhe të ofrojë një përvojë të pasur kulturore për të gjithë pjesëmarrësit. Ky Festival Ndërkombëtar i Kitarës në Shqipëri është një ngjarje e cila jo vetëm që promovon muzikën dhe kulturën shqiptare, por gjithashtu sjell në vendin tonë ndikime dhe frymëzime nga e gjithë bota. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë dashamirësit e muzikës të cilët i ndjekin nga afër performancat e disa prej kitaristëve më të njohur dhe të talentuar të kohës sonë, ndërsa nëpërmjet këtij festivali njëkohësisht eksplorojnë dhe vlerësojnë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

-Një aspekt tjetër mjaft i veçantë i këtij edicioni, është edhe angazhimi për edukimin e brezit të ri të muzikantëve, duke i dhënë një hapësirë dhe vend të rëndësishëm talenteve të reja. Artistët e ftuar kanë dhënë master-klase falas për nxënësit e shkollës "Jordan Misja" në Tiranë. Këto master-klase kanë ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për nxënësit e talentuar të cilët kanë arritur të mësojnë drejtpërdrejtë nga disa prej kitaristëve më të mirë të botës. Kjo iniciativë u finalizua me koncertin "Albania Young Talents", ku të rinjtë patën mundësinë të shfaqnin aftësitë e tyre përpara një publiku të gjerë. Ky koncert është një mundësi e shkëlqyer për artistët e rinj që të shpalosin talentet e tyre dhe të inspirohen nga artistët e mëdhenj që marrin pjesë në këtë festival.

Intervistoi: Sava Lena