ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi këtoi ditë lajmin se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të përfundojë fizikisht ndërtimin më 31 dhjetor 2024.
Ky është një afat i rëndësishëm i mbajtur. Nga janari 2025 e deri në mars e prill 2025, Aeroporti ka fazën e çertifikimit për fluturimet ndërkombëtare të tij. Në vitin e parë të veprimtarisë së tij, që është pikërisht viti i ardhshëm, Aeroporti i Vlorës do të ketë pasagjerë të paktën tre herë më shumë, nga sa ishte parashikuar në studimin e tij të leverdisshmërisë.
Eksperti Feliks Baçi në intervistë për CMG
Me ritmin e rritjes së turizmit në Shqipëri dhe rekordet që po thyen Rinasi në numër pasagjerësh dhe linjash fluturimi, me 250 avionë që ngrihen çdo ditë, është e sigurtë që Aeroporti i Vlorës do të arrijë të presë për vitin 2025 më shumë se 1 milion pasagjerë.
Aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore, duke u marrë masa që të mos krijohen probleme me reflektimet e paneleve, gjatë uljes e ngritjes së avionëve në aeroport. Panelet do të prodhojnë 5.2 megavat energji të rinovueshme, e cila do të shkojë e gjitha për nevojat e aeroportit, duke ulur ndjeshem kostot e operimit te tij dhe tarifat portuale.
Pista e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të jetë e gjatë 3.2 km, me gjerësi 60 metra. Aeroporti është i kategorisë 4E, një nga kategoritë më të larta në Ballkan, i aftë të përpunojë edhe avionë transoqeanikë. Për shembul, nga SHBA për në Vlorë dhe anasjelltas.
Prania e këtyre kompanive ajrore të fluturimeve me kosto të ulët edhe në Vlorë është mëse e sigurt dhe kjo garanton bileta të përballueshme dhe me oferta tërheqëse edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Aeroporti ndodhet i vendosur në Akërni, në një zonë strategjike ajrore, shumë të përshtatshme, e cila lejon fluturime nga të gjitha anët e horizontit. Akernia ndodhet në një terren të ulët bregdetar, 2 metra nën nivelin e detit. Prandaj dhe është bërë një punë e madhe inxhinierike nga kompanitë ndërtuese, me ngritje dherash, duke e ngritur pistën dhe aeroportin mbi nivelin e detit.
Pista për uljen dhe ngritjen e avionëve po ndërtohet 2.6 metra më e lartë se niveli i detit dhe aeroporti 4 metra më i lartë, ndërsa rruga perimetrale 6 km(rrotull pistës) është që sot e gatshme për asfaltim. Të gjitha këto vepra përfundojnë brenda kësaj vere. Në fillim të këtij viti nisi ndërtimi i rrjetit të furnizimit me ujë. Edhe ky rrjet mbaron po brenda kësaj vere.
Ndërsa në janar 2025, fillon çertifikimi ndërkombëtar i Aeroportit të Vlorës. Krahas punishtes së mirëmbajtjes së avionëve, Aeroporti do të ketë edhe Akademinë e Pilotëve Shqiptarë të Aviacionit Civil. Eksperti i aviacionit Feliks Baçi trajton këtë temë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës
CMG: Sipas qeverisë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të mbarojë së ndërtuari fizikisht më 31 dhjetor 2024, ndërsa muajt e parë të vitit 2025 do të shërbejnë për çertifikimin ndërkombëtar të tij. Sa me rëndësi për ekonominë e vendit, sidomos të Jugut të Shqipërisë, do të paraqitet ky Aeroport i parë i Jugut?
Feliks Baçi: Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, duke përfshirë edhe vonesa të vogla të papreventivuara, është parashikuar të realizojë afatet e ndërtimit fizik të tij, deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Planimetria e Aeroportit të Vlorës (Foto albanian Cosnstruction Portal)
Dhe pas dorëzimit fizik nga ndërtuesit e aeroportit, fillon procesi i çertifikimit të aeroportit, se nuk është e thënë që do të fillojnë menjëherë fluturimet. Duhen çertifikuar të gjitha shërbimet që do t’u ofrojë ky aeroport kompanive ajore që parashikohen të fluturojnë në këtë aeroport.
Deri tani është një histori suksesi, që daton nga koha kur u realizua tenderi për herë të parë, që nga viti 2020. Ndërtimi vazhdon me ritme të mira, ka kapërcyer vështirësitë e kohës, ngadalësitë që krijoi pandemia nga Covid-19 dhe jemi në afatet e realizueshme dhe të përcaktuara.
Aeroporti i Vlorës është vlerë e shtuar e sistemit të transportit ajror civil në Shqipëri. Kur themi aviacioni civil, këtu përfshihen aeroporte, kompani ajore, infrastruktura, terminale, etj.
Por kjo ka pak rëndësi për njerëzit dhe specialistët që punojmë në këtë fushë. Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të shërbejë për zhvillimin e zonës, pa krijuar konkurrencë me atë të Tiranës, të Rinasit.
Dëgjova ZvKryeministren dhe Ministren e Infrastruktures, Belinda Balluku, në një intervistë gjatë vizitës për vlerësimin e punës në aeroportin e Vlorës, lidhur me numrin e pasagjerëve në vitin e parë të operimit. Kompania që ka bërë studimin e fizibilitetit kishte parashikuar diku tek 300 mijë ose 500 mijë, ZvKryeministrja tha 1 milionë pasagjerë.
Unë, për veten time, që jam marrë me shifrat, me parashikimet e pasagjerëve, them me intuitë që do e kalojë këtë shifër të 1 milionë pasagjerëve. Aeroporti i Vlorës është aeroport i ri, dhe nuk mund ta krahasojmë me atë të Gjirokastrës, etj.Në mënyrë idiomatike, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një vlerë për vendin, por sidomos për zonën ku ky Aeroport do të operojë.
Duhet të jenë të gjithë faktorët, që të kontribojnë që ky aeroport të jetë i sukseshëm . Në këtë aeroport duhet të ketë shumë kontributorë, duhet përpjekje të të gjithëve, të Bashkisë së Vlorës, të dhomave të tregtisë, strukturave të zonave të lira ekonomike, etj.. Unë e shikoj gotën plot, Aeroporti do të sjellë zhvillim për ekonominë.
CMG: A mund të shërbejë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës për të shkarkuar një pjesë të trafikut ajror të Rinasit?
Feliks Baçi: Kjo është e drejtë. Vetë Aeroporti i Vlorës është ndërkombëtar, i dizenjuar si i tillë, me infrastrukturën e pistës, terminalet, shërbimet që do të kryhen aty, si ato të mjekësisë, sigurisë, doganës, etj.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të marrë nga ai i Rinasit trafikun që vjen për turizëm. P.sh. polakët shkojnë në Vlorë apo në Jug më thellë, dhe fluturimet do të kryhen direkt nga Polonia në Vlorë. Por kjo nuk mjafton për të mbuluar kostot e operimit të një aeroporti. Pra, vetëm me fluturimet sezonale.
Parashikoj se ky aeroport mund të marrë 20 përqind të trafikut ekzistues të udhëtarëve që shkojnë në Rinas, por që banojnë në këto zona, në Jug. Kjo, ngaqë do të jetë më oportune për ta ta përdorin. Në tërësi, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të gjenerojë trafik të ri. Do të zhvillojë bashkëpunimin me zonat në Jugun e Italisë, me ishujt e Greqisë, etj.
Do të jenë kompanite ajrore, që bëjnë parashikimet e trafikut, që do t’i drejtohen Vlorës. Aeroporti i përshtatet asaj çfarë bën kompania ajore. Sepse kompania ajrore është ajo që i bën studimet dhe parashikimet.
Për shembull për çmimet e biletave. Kur një udhetar shkon për të prerë një bilëte nga destinacioni “A” në “B”, është kompania ajore që kontaktohet dhe kjo lidhet me aeroportin, përsa i takon incentivave.
Projekti i Aeroportit të Vlorës (Foto Balkanweb)
CMG: Aeroporti i Rinasit me atë të Vlorës janë relativisht afër. Do ta konkurrojnë ata njeri-tjetrin?
Feliks Baçi: Teorikisht, në studimet akademike, në raportet e njërit aeroport me tjetrin, distanca mes tyre mbi 150 km, konsiderohet e mjaftueshme që të mos ndikojnë tek njeri-tjetri.
Megjithatë, sot është kërkesë-oferta që e vendos këtë gje. Kuptohet që vendi ynë ka nevojë edhe për një aeroport të dytë, pastaj të tretë apo të katërt.
Dhe për këtë natyrë të një trafiku ndërkombëtar, sigurisht ka nevojë. Shqipëria po ecën me hapa galopante në përshtatjen e infrastrukturës me tregun.
CMG: A do t’i shërbejë mirë Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës dimensioni cargo, pra i transportit të mallrave?
Feliks Baçi: Në fakt, nuk kam qenë specialist i cargo-s, por kur fillova të jap mësim, e studiova aktivitetin cargo në aeroport, strukturën, llojin e malllit që do të transportojë, etj.
Sigurisht, cargo është komponent që rrit të ardhurat, si tek aeroportet, ashtu edhe tek kompanitë ajrore.
CMG: Si e shikoni të ardhmen e vëllimit të punës së Aeroportit të Vlorës për 4-5 vitet e ardhshëm?
Feliks Baçi: Nuk është se kam rezerva në këtë pikë. Kompanitë ajore janë ato që duhet të bëjnë studimet e tregut. Një aeroport nuk është qëllim në vetevete, por jane një sërë shërbimesh, që, përmes tij, i ofrohen zonës, qytetit, etj.
Nëse numri i pasagjerëve do të jetë në rritje ekspotenciale, patjetër që duhen studiuar kapacitetetet pritese, fjetese, hotelet me yje, etj. Duhen kryer studimet e tregut.
Kjo është dinamike sot për sot dhe vështirë të thuash. Por shpresojmë se do te ecë mbarë, por duhet planifikim, seriozitet dhe bashkëpunim nga të gjithë komponentet, nga organet e qeverisjes vendore, nga dhomat e biznesit, etj. Që të gjithë duhet që te kontribojnë në suksesin e Aeroportit.
Intervistoi Fatos Çoçoli