Kina dhe SHBA nisin raundin e ri të bashkëpunimit për pandat
2024-06-28 11:40:50


Foto nga ChinaDaily

Të mërkurën në mbrëmje, pandat gjigante Yun Chuan dhe Xin Bao nisën udhëtimin e tyre për në Shtetet e Bashkuara, duke shënuar një raund të ri të bashkëpunimit Kinë-SHBA për ruajtjen e specieve të mbrojtura.

Një automjet që mbante arinjtë panda u nis nga baza Ya'an Bifengxia e Qendrës së Konservimit dhe Kërkimit të Kinës për Pandat Gjigante në provincën Sichuan, për në Aeroportin Ndërkombëtar Chengdu Shuangliu, për të fluturuar me çarter për në San Diego të Kalifornisë.

Pandat shoqërohen nga pesë kujdestarë me përvojë dhe ekspertë veterinarë nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e kafshëve gjatë fluturimit në distanca të gjata, ekspertët kinezë kishin marra masa me ushqime, të tilla si bambu të freskët, fidanë bambuje, fruta, perime dhe bukë të përgatitur posaçërisht për to, si dhe ujë të pijshëm.

Pasi Yun Chuan dhe Xin Bao të vendosen në kopshtin zoologjik të San Diegos, ekspertët kinezë do të qëndrojnë atje për rreth tre muaj për t'i parë ata gjatë periudhës së karantinës, duke i ndihmuar të përshtaten shpejt me mjedisin e tyre të ri të jetesës. Të apasionuarit pas pandave, si në Kinë ashtu edhe në SHBA, do të kenë mundësi të ndryshme për të mësuar rreth jetës së përditshme të çiftit dhe procesit të përshtatjes, sipas Administratës Kombëtare të Pyjeve dhe Kullotave.

Që nga vitet 1990, Kina ka bashkëpunuar për ruajtjen e pandave gjigante me 26 institucione në 20 vende, duke përfshirë SHBA-në, Spanjën, Japoninë dhe Francën.

Kopshti Zoologjik i San Diegos ishte një nga institucionet e para në SHBA që u angazhua në kërkime bashkëpunuese për pandat gjigante me Kinën. Për më shumë se 20 vjet, të dyja palët kanë bashkëpunuar dhe kanë zgjidhur një sërë sfidash teknike në fusha kyçe, si rritja e pandave në robëri, mbrojtja e habitatit dhe ushqimi shtesë i pandave, sipas qendrës Sichuan.

Foto nga ChinaDaily

Në të njëjtën ditë kur Yun Chuan dhe Xin Bao u nisën për në SHBA, Shoqata e Kinës për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Kopshti Zoologjik Schoenbrunn në Vjenë, Austri, nënshkruan një marrëveshje për një raund të ri bashkëpunimi ndërkombëtar për ruajtjen e pandave gjigante. Kjo do të thotë që një çift tjetër arinjsh panda do të zhvendoset në vendin europian, duke nisur një bashkëpunim ndërkombëtar 10-vjeçar për ruajtjen e pandave gjigante.

Pandat gjigante Yuan Yuan dhe Yang Yang,  të cilët aktualisht ndodhen në Austri, do të kthehen në Kinë pasi të skadojë marrëveshja e mëparshme e bashkëpunimit këtë vit. Austria do të rinovojë dhomën e pandave të kopshtit zoologjik të Vjenës dhe do të bëjë rregullime të tjera të nevojshme për të mirëpritur çiftin e ri në një mjedis jetese më të rehatshëm dhe më të sigurt.

Për të siguruar mirëqenien e pandave gjigante, ekspertët kinezë vizituan Austrinë në fillim të këtij viti dhe dhanë udhëzime teknike për përgatitjet e terrenit, duke specifikuar standardet për mjediset e rrethimit të pandave, menaxhimin e ushqimit, furnizimin me ushqim, kujdesin shëndetësor dhe kërkesa të tjera.

Shoqata e Kinës për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Kopshti Zoologjik Schoenbrunn, i cili njihet si një nga kopshtet zoologjike më të bukura në Europë, filluan fazën e parë të bashkëpunimit në vitin 2003, me vendosjen e pandave gjigante Yang Yang dhe Long Hui në kopshtin zoologjik. Dyshja vendosi një rekord europian duke u çiftuar natyrshëm dhe duke u shumuar katër herë për t'u bërë prindër të pesë këlyshëve.

Gjatë dy dekadave të fundit, të dyja palët kanë arritur rezultate të frytshme në ruajtjen, mbarështimin e pandave gjigante, kërkimin shkencor, shkëmbimet teknike, trajnimin e personelit dhe edukimin publik, sipas qendrës në  Sichuan.