Të huajt kanë vijuar të shfaqin interes për Shqipërinë turistike me një tendencë edhe më të theksuar në prill.Të dhënat e strukturave akomoduese të publikuara nga INSTAT tregojnë se numri i vizitorëve është rritur me 62,0%, në krahasim me muajin prill 2023. Netëqëndrimet në hotele u rritën në prill më shumë se 74.5 për qind. “Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit si numri i vizitorëve rezidentë që është rritur me 19,4%; numri i vizitorëve jo-rezidentë është rritur me 91,9%” thuhet në publikim. Ndërkohë numri i netëqëndrimeve është rritur me 56,3%, në krahasim me muajin prill 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit, numri i netëqëndrimeve nga rezident është rritur me 17,9% ; numri i netëqëndrimeve nga jo-rezidentë është rritur me 80,3%.
Agroturizem N'Kanu (Foto Facebook)
“Gjatë muajit prill 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 62,0%, krahasuar me muajin prill 2023. Numri i vizitorëve jo-rezidentë të cilët janë akomoduar në rajonin Qendër ka shënuar rritje me 2.1 herë. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 85,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jo-rezidentë në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 85.6%” thuhet në publikimin e INSTAT.
Interes të lartë ka edhe për njesitë e Agroturizmit, ku sipas ekspertëve, kapacitetet janë ezauruar thuajse tërësisht nga prenotimet.
Në një intervistë për Radio Ejani, Fabjola Arapi, eksperte e zhvillimit rural dhe Agroturizmit thotë se turistët kanë interes për natyrën, kulinarin, traditën etj.
“Në këtë sezon, duke filluar nga periudha e prillit e deri në fillim të shtatorit të gjitha sipërmarrjet turistike kanë mbyllur pothuajse të gjitha rezervimet booking, për shkak të kërkesave të larta të turistëve të huaj. Interesi është jo vetëm për të fjetur, por ndryshe nga vitet e tjera kërkojnë edhe angazhim në sipërmarrje, kërkojnë të jenë pjesë e një turi edukues në kulinari, apo të bëjnë hiking, të marrin pjesë në procese bujqësore, blegtorale dhe kjo është vënë re dukshëm nga këto sipërmarrës. Mendoj që ka nisur shumë mirë dhe deri nga shtatori do fillojë e njëjta situatë e pastaj tetori, nëntori ofrojnë aspekte të ndryshme dhe turistët gjithashtu janë fokusuar tek verërat“- shprehet Arapi.
Cilat janë njësitë më të kërkuara të agroturizmit ?
Agroturizmi Gjepali (Foto Facebook)
“Më i kërkuar vazhdon mbetet veriu, për shkak se jugu i Shqipërisë është më tepër pjesë e detit. Duke iu larguar detit turistët kërkojnë atraksione që kanë të bëjnë kryesisht me pjesën e Alpeve, që janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me pjesën e agroturizmit, ku vërehet që ata kërkojnë hiking, ushqime të shëndetshme, ndaj më tepër është i kërkuar veriu i Shqipërisë. Ne nga kontakti që kemi patur me anëtarët e shoqatës mësojmë se ka pasur një bum rezervimesh. Kërkesa mbetet shumë e lartë në krahasim me ofertën sepse dihet që njësitë agroturistike nuk kanë kapacitete akomoduese të mjaftueshme për të pritur këtë numër turistësh, kështu që ata përpiqen të shkëmbejnë tek njëri-tjetri, sugjerojnë fjetjen në hotelet e qytetit pastaj rikthimi në fshat edhe angazhimi në fermë, apo duke konsumuar produkte tipike të zonës. Në fakt oferta shumë më e lartë se çfarë ofron gjithë sektori”, thotë ekspertja.
Një pjesë e madhe e sipërmarrjeve në fushën e agroturizmit tashmë janë të certifikuara, por ka ende shumë të tjera që nuk e kanë kaluar një proces të tillë.
“Aktualisht të certifikuar kemi 27, të pa certifikuar kemi 32 dhe potencialet janë shumë më të mëdha. Vërehet dukshëm rritja e tyre dhe po të shikosh janë 290 njësi agroturistike të formalizuara dhe jo të formalizuara. Kështu që shikohet shumë interesi sidomos nga të rinjtë që duan të rikthehen në Shqipëri të bëjnë investime, por edhe të rinjtë që aktualisht punojnë këtu në sektorë të tjerë. Realisht është krijuar një lloj fryme që është për t’u vlerësuar, sepse agroturizmi përveç se rivitalizon zonat rurale është e lidhur ngushtësisht dhe me bujqësinë. Me vreshtat, me kultivaret e ndryshëm të frutave apo qoftë dhe me pjesën blegtorale, kështu që patjetër shikohet me optimizëm rritja e këtyre njësive”
Qeveria ka deklaruar se për këtë sektor do të ketë lehtësi fiskale dhe se agroturizmi është kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
“Nëpërmjet lehtësive fiskale dhe procedurave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vijojë mbështetjen për këtë sektor, duke promovuar ruajtjen e traditave dhe kulturës lokale, nxitjen e ekonomisë rurale dhe krijimin e mundësive të reja për komunitetet lokale”, ka deklaruar ministrja e Bujqësisë Denaj.
“Ne presim edhe nga diskutimet që kemi pasur me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Turizmit të kemi një fazë tjetër të lehtësimit të procedurave për të certifikuar si sipërmarrje agroturistike, por që po ecim me ritme të ngadalta sepse realisht sektori po ecën shumë, pjesa e formalizimit është shumë mbrapa. Kështu që lehtësimet do të jenë për dokumentacionet, sepse dihet që pjesa më e madhe e sipërmarrjeve agroturistike kanë probleme me titujt e pronësisë, që sjell dhe mungesa në dokumentacion për t’u certifikuar. Ne jemi në pritje të këtyre procedurave, që të ketë sa më shumë formalizime të sipërmarrjeve në këtë sektor. “- u shpreh ekspertja Arapi.
Fabjola Arapi (Foto Lead Albania)
Ekspertët thonë se çdo nismë e tillë është e mirëpritur dhe ndihmon sipërmarrësit që drejtojnë këto aktivitete apo që synojnë të hapin të tilla biznese.
“Sigurisht që ju vjen në ndihmë lehtësimi i gjithë kësaj procedure sepse ata përfitojnë nga lehtësirat fiskale, nga tatim fitimi, nga TVSH. Këto sipërmarrje do të fillojnë të certifikohen dhe të ketë lehtësira.”
Vizitorët që frekuentojnë këto subjekte turistike janë nga vende të ndryshme të botës. Ata mbeten të mahnitur nga mikpritja, kulinaria e pasur, vlerat kulturore dhe historike të Shqipërisë.