Nga robotët humanoidë te automjetet pa drejtues, inovacioni dhe teknologjia e inteligjencës artificiale në Kinë po bëhen pjesë e jetës së përditëshme të qytetarëve dhe e zhvillimit të vendit.
Ditët e fundit u zhvillua në Pekin Konferenca Kombëtare e Çmimit të Shkencës dhe të Teknologjisë. Kreu i shtetit Xi Jinping vlerësoi me nderimet më të mëdha shkencore në vend, ekspertin e informacionit gjeohapësinor Li Deren dhe studiuesin e fizikës së lëndës së kondensuar Xue Qikun me Çmimin Shtetëror të Shkencës dhe të Teknologjisë të Kinës. Ndërkohë në vend janë prezantuar 17 konsorciume të reja për të nxitur inovacionin e teknologjisë shkencore. Ekspozita Botërore e Inteligjencës Artificiale u zhvillua në qytetin verior Tianjin të Kinës ku u përshfaqën projektet e sipërmarrjes për të nxitur më tej zhvillimin e inovacionit dhe teknologjisë. Sipas Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit, Kina ka ndërtuar 421 fabrika demonstrimi të nivelit kombëtar dhe mbi 10,000 të tjera në nivel provincial për prodhim inteligjent. Dr. Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ndan opinionet e saj për këtë
Dr. M. Musabelliu në intervistë për CMG
CMG: Kina ka prezantuar një vizion gjithëpërfshirës për të ardhmen e saj në shkencë dhe teknologji deri në vitin 2035. Cilat janë objektivat kryesore të këtij vizioni?
Dr. Marsela Musabelliu: Revolucioni teknologjik në të cilin po jetojmë nuk është më elitar, por shumë i demokratizuar. Praktikisht ajo që ne po shohim tani në botë është fakti se këto shpikje që deri dje na dukeshin futuriste, pas pak vitesh mund të shkojnë në çdo cep të botës. Kina në këtë drejtim është një promotore sa i përket patentave, investimeve në teknologji, por dhe planifikimit. Duhet të kemi parasysh se teknologjia nuk është një fushë e industrisë, ndaj kërkon shumë investime dhe planifikim, por dhe restrospektivë lidhur me çfarë ka funksionuar ose jo.
Në Kinë para disa ditësh u zhvillua një Konferencë Kombëtare Shkencore dhe jo shumë shpesh lideri kinez merr pjesë në konferenca të tilla, por kjo ishte e veçantë sepse kishte brenda saj dhe Konferencën Kombëtare të Çmimeve të Shkencës, Asamblenë e Përgjithëshme të Akademisë së Shkencave të Kinës dhe Inxhinierisë. Presidenti Xi mbajti një fjalim 45 minuta ku vlerësoi arritjet e dekadës së fundit dhe prezantoi planin qendror deri në vitin 2035 lidhur me vizionin e shkencës dhe teknologjisë. Vizioni i Kinës 2035 është që vendi të bëhet lider global në shkencë dhe teknologji, si dhe në kërkimin shkencor. Kjo do të thotë që do të fokusohet te përparimi, patentat, alokimi i fondeve të qeverisë qendrore dhe vendore, sidomos nëse kompani të ndryshme kanë ide inovative ato do të suportohen më tej nga qeveria. Kjo nuk do të thotë subvencion, por suport i një biznesi apo një ideje inovative.
foto nga VCG
Çdo vend është i interesuar në këtë drejtim në fushën e teknologjisë, por praktikisht vendet e vogla nuk mund ta bëjnë këtë sepse nuk kanë infrastrukturën, burimet apo ndihmën financiare. Vendet e mëdha si Kina bëhen lokomotiva e këtij treni që është një revolucion teknologjik
CMG: Në këtë konferencë që përmende pati vlerësime të dy shkencëtarëve kinezë, të cilët u nderuar nga kreu i shtetit, por u nderuar dhe shumë sipërmarrje të fushës së teknologjisë si dhe shkencëtarë të huaj. Nevoja për inovacion po bëhet një imperativ i kohës. Çfarë strategjish specifike do të përdorë Kina për të arritur objektivat e saj në këtë drejtim ?
Dr.Marsela Musabelliu: Dua ta nis nga modernizimi i stilit kinez dhe presidenti Xi në fjalën e tij në konferencë tha se “një komb lulëzon kur shkenca dhe teknologjia e tij lulëzojnë”. Modernizimi i stilit kinez e bën inovacionin një motor të rritjes së tij dhe në qendër të rritjes ekonomike me cilësi të lartë po vendoset inovacioni. Por kjo nuk bëhet më vete, por me alokimin e të gjitha forcave të tregut dhe industrive ekzistuese. Forcat e reja prodhuese janë përveçse vendimtare për alokimin e burimeve të tregut por dhe për të ardhmen e vizionit të Kinës për vitin 2035.
Ky vizion në fakt pason një vizion tjetër që është shpallur në vitin 2014, kohë kur unë kam qenë në Kinë dhe quhej China 2024 dhe ne atëherë e studionim. Praktikisht të gjitha pikat e atij vizioni si fotovoltaiket, makinat elektrike, inteligjenca artificiale e të tjerë i shohim sot të formëzuara. Tashmë ka një vizion tjetër sepse inteligjenca artificiale ka arritur nivele që nuk mendoheshin më parë dhe Kina po i suporton këto arritje.
CMG: Para disa ditësh kolegu i seksionit shqip në Grupin Mediatik të Kinës Jiang Lei, me emrin shqiptar Zamir ka publikuar në facebook një video për automjetet pa pilot, se si qarkullojnë në Pekin. Kjo po ndodh realisht në 2024 dhe kjo video ka patur shumë klikime, por nuk mund të mendohej si reale një makinë e tillë para 10 vjetësh, madje dukej si fantashkencë.
foto nga VCG
Dr. Marsela Musabelliu: E vërtetë
CMG: Kina ka theksuar rëndësinë e hapjes dhe bashkëpunimit global. Si planifikon Kina të balancojë vetë-mjaftueshmërinë me bashkëpunimin ndërkombëtar? Qeverisja globale e shkencës dhe teknologjisë dhe adresimi i çështjeve globale. Cili mund të jetë roli i Kinës në këtë qeverisje globale?
Dr.Marsela Musabelliu: Në Konferencën që përmenda një fjalë kyçe ishte vetëmjaftueshmëria. Kina po përballet me tarifa dhe pengesa tregtare dhe nga njera anë është e detyruar të jetë e vetëmjaftueshme, por nga ana tjetër e ka të nevojshëm tregun botëror, ashtu si ky treg e ka të nevojshme Kinën. Vetëmjaftueshmëria do të thotë që Kina synon t’ia dalë me forcat e veta, madje presidenti Xi në fjalën e tij në Konferencë theksoi se kjo nuk do të thotë se Kina do të mbyllë kufijtë e saj për inovacionin, por përkundrazi është e hapur të ndajë me botën në zhvillim gjetjet e saj të reja.
Gjithashtu kjo do të thotë dhe koordinim me partnerët dhe vendet e tjera për konsolidimin e shpikjeve teknologjike dhe shkencore dhe transferimin e tyre aty ku ka më shumë nevojë. Edhe tregu i Kinës është i hapur për kompani të huaja që duan të investojnë në teknologjinë e avancuar.
Intervistoi Eda Merepeza