Gaza (Foto RTSH)
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka bërë të ditur se po kryhen hetime mbi krimet e mundshme të luftës të ushtrisë izraelite në Gazë.
“Ata kanë një numër hetimesh të hapura për krimet e mundshme të luftës. Nuk dua të gjykoj se si janë kryer ato hetime derisa të kenë përfunduar dhe ka një numër prej tyre që janë në vazhdim. Të ndara dhe përveç asaj që po bën Izraeli, Shtetet e Bashkuara po bëjnë rishikimet e veta”,- shtoi ai.
Qëndrimet e DASH-it vijnë pasi organizata bamirëse mjekësore “Mjekët pa Kufij” (MSF) bëri të ditur se një anëtar i gjashtë i stafit është vrarë që nga shpërthimi i luftës aktuale në tetor, bën të ditur “RTSH”.
Fadi Al-Wadiya, 33 vjeç, u vra ndërsa po udhëtonte me biçikletë për të punuar në qytetin e Gazës në një sulm që vrau pesë të tjerë, përfshirë tre fëmijë, sipas OJQ-së ndërkombëtare të shëndetësisë.
“Vrasja e një punonjësi të kujdesit shëndetësor ndërsa ishte në rrugën e tij për të ofruar kujdes jetik mjekësor për viktimat e plagosura të masakrave të pafundme nëpër Gaza është përtej tronditjes; është cinike dhe e neveritshme”,- tha në një deklaratë Caroline Seguin, menaxhere e operacioneve të organizatës për Palestinën.
Miller nuk e komentoi sulmin por tha: “Ne vajtojmë për humbjen e çdo jete civile”.
Lufta gati nëntëmujore e Izraelit në Rripin e rrethuar të Gazës e ka lënë territorin bregdetar në gërmadha me sipërfaqe të gjera të kthyera në rrënoja.
Më shumë se 37.600 palestinezë janë vrarë, shumica dërrmuese e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas të dhënave të ofruara nga autoritetet shëndetësore në Gaza. (Elona)