Lin Festival (Foto Instagram)
Posteri i Lin Festival (Foto Instagram)
Roli i te rinjve ne trashëgiminë e vlerave kulturore, roli i festivaleve të organizuara pranë siteve arkeologjike është një mundësi për njohjen e trashëgimisë kulturore , duke i dhënë hov zhvillimit turistik të vendit. Eventi "Rijetojmë trashëgiminë tonë" do të organizohet në datat 22-24 gusht, pranë Mozaikut Paleokristian te fshatit Prehistorik Lin në Pogradec.
Edicioni i dyte i “Lin Festival” premton këtë herë më shumë surpriza për të gjithë artdashësit. Altin Tila, ideatori pasionant na ka rrëfyer të gjitha sekretet e këtij edicioni si dhe organizimet paraprake deri ne finalizimin e festivalit.
CMG: Si nisi ideja për projektin "Rijetojmë trashëgiminë tonë"?
Altin Tila: Unë jam marrë prej vitesh me etnokulturën dhe ky event këtë qëllim kishte, që të bënte bashkë disa komponentë dhe që i japin ze etnokulturës shqiptare. Gjithçka që përfshin traditën. Në vazhdim, deri në ditët e festivalit, do ketë disa evente te tjera në Tiranë, Kosovë dhe pranë një universiteti.
CMG: Pse ka qenë në fokusin tuaj zona e juglindjes?
Altin Tila: Lini më pëlqen shumë edhe me zbulimet e fundit bëjnë që ta kthesh vëmendjen. Ajo zonë më intrigon pasi jo më kot e quajnë “liqeni i dritës”. Më ka tërhequr kjo pjesë sepse ka edhe njerëz të butë dhe të thjeshtë. Pavarësisht që unë jam marrë me çdo gjë që ka të bëjë edhe me kontemporanen, sërish dashuroj të thjeshtën.
Kuratori i festivalit Altin Tila (Foto Youtube)
CMG: Këtë event e sollët edhe vitin e kaluar, çfarë prisni në këtë edicion?
Altin Tila: Vitin e kaluar ne e vendosëm gurin e themelit dhe fatmirësisht ishte një edicion shumë i sukseshëm. Ka patur pritje shumë të mirë dhe njerëz që janë sensibël ndaj zhvillimeve në Shqipëri kanë treguar mirënjohje. Fokusi në edicionin e pare ishte muzika e vjetër për ta rijetuar në çdo brez qe vjen... Në fakt edhe në albumet që kam publikuar jam mbështetur te rrënjët tona folkloristiko - polifonike e i kam risjellë në stile të ndryshme muzikore. Edhe zona e Linit ka fokus të bukur dhe të bën të dëshirosh t'i promovosh këto vlera.
CMG:A bëhen bashkë njerëzit për të rijetuar kulturën?
Altin Tila: Është tepër e vështirë për të promovuar gjëra që ecin ngadalë dhe nuk ka audiencë të shpejtë. Vetë këto evente duhet të jenë dinjitoze në thelb. por të marrin shumë kohë sepse duhet të bëhen bashkë artiste, të cilët kanë të njëjtin qëllim. Ne bëmë bashkë një sinergji të të gjithë aktorëve, të cilët kanë të njëjtin qëndrim. Eventet paraprake janë sensibilizuese për të kthyer vëmendjen tek ditët më të rëndësishme të festivalit. Këtë vit jemi më të përgatitur me artiste, të cilët do të këndojnë premierë shqip në karrierën e tyre, krahas artistëve me origjinë shqiptare nga Diaspora.
Fshati Lin Pogradec (Foto Gazeta Tema)
CMG:Si të presin banorët e zonës?
Altin Tila: Vetëm para pak kohe isha për të xhiruar dokumentarin dhe takuam njerëz shumë të interesuar të asaj zone dhe na pyesnin për edicionin e këtij viti dhe e kuptojne rëndësinë e impaktin që do kontribuojë ky festival në turizmin e asaj zone. Qëllimi kryesor është të përcjellë vlera kombëtare dhe muzikë të vërtetë. Çdo gjë e bukur do kohë! Një peme e madhe do kohën e saj të rritet...
CMG: Si mund të mbrojmë trashëgiminë?
Altin Tila: Duke evidentuar përmes eventeve të ndryshme edhe pranë siteve arkeologjike si në rastin e "Lin Festival" na takon ne artistëve që t’i mbrojmë me fanatizëm këto vlera e t’i përcjellim tek brezat që vijnë dhe sa më tepër mbështetje nga instancat apo bashkitë lokale në këtë mision, pra të gjithë ne bashkë...
Intervistoi: Megi Latifi