Aplikimi në SEPA moment historik, ekspertët rendisin avantazhet
2024-06-26 11:32:11

Heqja e tarifave shtesë për transfertat kombëtare në euro përmes sistemit AIPS ka sjellë rritje të numrit të tyre me 14.4%, për shkak të përdorimit të gjerë nga individet dhe bizneset. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në prill të këtij viti kanë realizuar 26,612 transaksione, krahasuar me 23,255 transaksione të realizuara në muajin paraardhës. Vetëm për muajin prill regjistrohet një vlerë prej 454 mln eurosh. Në total në 4 muaj u transferuan 1.5 miliardë euro përmes sistemit AIPS. Në një intervistë për mediat Dritan Vakaj, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Agjencive te Këmbimit Valutor analizon tendencën në rritje të këtyre transaksioneve.

Banka e Shqipërisë(Foto Time Out Tirana)

Banka e Shqipërisë(Foto Time Out Tirana)

“Pa diskutim ekonomia shqiptare në tërësi ka njohur rritje të ndjeshme veçanërisht në vitet e fundit, por prezenca e euros llogaritet që është gati 50% e transaksioneve që  kryhen në monedhën euro, kështu që detyrimisht edhe këto lloj shifrash janë të pritshme, aq më tepër kur i afrohemi verës, që sjell më shumë transaksione në monedhën euro ndikuar edhe nga turizmi. Futja e sistemit AIPS nga Banka e Shqipërisë  ishte e ndjeshme në kryerjen e transaksioneve në euro kryesisht së brendshmi, pasi është një transaksion i mbyllur dhe pavarësisht se ne jemi një vend që nuk e kemi euron si monedhë kombëtare, vazhdojmë të kemi një prezencë shumë të madhe të monedhës euro në vend. Sikundër dhe kryerjes së transaksioneve pasi veçanërisht sektorë si ai i pasurive të paluajtshme importet apo turizmi kanë qenë për një kohë të gjatë dhe vijojnë të jenë në dominancë të përdorimit të euros.”- shprehet Vakaj.

Dritan Vakaj (Foto Linkedin)

Dritan Vakaj (Foto Linkedin)

Me aplikimin bërë, Shqipëria u bë vendi i parë në  Ballkanin Perëndimor, i cili synon  për t’u bërë pjesë e Sistemit Unik Europian të Pagesave (SEPA). Komisionet brenda në SEPA do të jenë disa herë më të ulëta dhe transaksionet më të shpejta, ndërsa  pagesat do të kryhen brenda pak sekondave online, ndërkohë që deri sot kërkonin edhe një javë. Eksperti e vlerëson këtë hap.

“Ky është një hap shumë pozitiv dhe aplikimi do të jetë i suksesshëm, pasi ne kemi një numër shumë të lartë të transfertave në numër, por edhe në volum. Nëse konsiderojmë një 3 apo 4 mujorësh diku tek 1.5 miliardë euro  atëherë do të thotë që ne kemi 6 apo 7 miliardë apo ndoshta dhe 10 miliardë euro të transaksioneve në monedhën euro, e cila përkon dhe me gati 50% të GDP-së. Përfshirja në sistemin SEPA me një volum kaq të lartë të transaksioneve do të ishte me një përfitim të lartë, për vetë institucionet financiare të cilat do të ishin të gatshme të ofronin produkte më të pëlqyeshme për konsumatorin, por dhe nga pikëpamja e kostove për konsumatorin dhe për ekonominë, për  dinamikën e kryerjes së transaksioneve do të ishte një hap shumë pozitiv. Sistemi SEPA në thelb mundëson kryerjen apo lejimin e transaksioneve në euro, por ka një anë të produktit kryesor që ky sistem ofron, që është shërbimi i kreditimit apo transfertat e zakonshme. Nga ana tjetër kemi Instant credit transfer, që do të thotë që një transaksion kryhet në hapësirën mes 10 deri në 20 sekonda.”

Monedha euro (Foto Euro news albania)

Monedha euro (Foto Euro news albania)

Të 27 shtetet anëtare te Bashkimit Evropian kanë një sistem të tyre unik, të quajtur “Zona e Vetme Europiane e Pagesave (në anglisht, Single European Payment Area, ose SEPA)”. Ky sistem ka nisur funksionimin në vitin 2008 dhe është plotësuar në vitin 2016. SEPA do të thotë Zonë e Vetme e Pagesave në Euro. SEPA ka 36 vende anëtare. Të 27 vendet anëtare të BE-së janë në SEPA. Qytetarët me një llogari SEPA mund të bëjnë transferta në euro në të 36 vendet anëtare. Integrimi i pagesave, i realizuar nga SEPA, ka kontribuar në efiçiencën e pagesave të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe ka përmirësuar konkurrencën e ekonomisë evropiane në tërësi.

“Aksesi në SEPA na mundëson kryerjen e transaksioneve në euro të paktën nga situata që jemi sot dhe më shpejt se të atyre në lekë. Sikundër edhe nga ana tjetër përfshirja në sistemin SEPA është garancia për transaksionet për vetë institucionet bankare, pasi duke lidhur dhe iniciativat si ajo e Open banking edhe ajo e sistemit SEPA, ofron më shumë garanci edhe për institucionet financiare, por nga ana tjetër edhe për vetë klientët, sepse kjo mundëson edhe identifikimin apo verifikimin e të dhënave ndërmjet bankave, në kohë reale. “- shtoi Vakaj.

Puna disavjeçare e Bankës së Shqipërisë për integrimin në SEPA pritet të finalizohet me implementimin e një sistemi të shpejtë pagesash (në anglisht, “Instant payments”), që do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve dhe sipërmarrësve të transferojnë para në kohë reale. Për Abc News, Vakaj thotë se “SEPA” do të thotë garanci më e madhe.

“Kjo do ndikonte sepse flasim për kohë më të shpejtë, kosto më të ulët dhe garanci më të lartë. Përfshirja, mundësimi nga ana e Bankës së Shqipërisë e klerimit të transaksioneve në euro brenda vendit ishte një hap pozitiv, por nga ana tjetër për shkak se ky sistem që ne kemi sot është i mbyllur brenda vendit, ne fluksin kryesor të të hyrave në euro e kemi nga jashtë. Kjo do e ndikonte në mënyrë të ndjeshme dhe rritjen e formalizimit. “

SEPA (Foto World First)

SEPA (Foto World First)

Në tëresi nga ky integrim në SEPA pritet të përfitojnë të gjithë sektorët e ekonomisë.

“Do të thoja që në tërësi përfiton ekonomia, flasim për një industri financiare sot, ku kanë rëndësi minutat dhe jo më dita. Ne vërtetë kemi sot sistemin e brendshëm të klerimit, por nëse ti kryen një transaksion pas orës 12.00 ai do të klerohet të nesërmen në një moment shpresohet në mëngjes, por ndoshta mund të shkojë dhe deri në drekë. Ndërkohë që ekonomia funksionon 24 orë në nivel global. Shqipëria tanimë po hyn në tregjet ndërkombëtare, po bëhet kompetitor në disa sektorë, kështu që detyrimisht përparimi i sistemit financiar dhe shpejtësia e kryerjes së transaksioneve është një domosdoshmëri. Ndikohet turizmi, importuesi, eksportuesit, ndikohen edhe qytetarët e thjeshtë në mënyrë të drejtpërdrejtë.”

Banka e Shqipërisë e sheh SEPA-n si katalizator për të forcuar integrimin financiar me vendet e BE-së. Nga këndvështrimi i një banke qendrore, një sistem pagesash bashkëkohor, konkurrues dhe i besueshëm kontribuon në arritjen e një tregu të pagesave më efektiv dhe më produktiv, duke sjellë përfitime për të gjithë popullatën. Në arritjen e kësaj faze,  Shqipëria nuk do të ketë asnjë ndryshim me sistemet moderne të pagesave që përdor, në krahasim me vendet evropiane anëtare të Bashkimit Evropian.