Presidenti francez: Fitorja për të majtën ose të djathtën ekstreme do të ndezë luftë civile
2024-06-26 18:40:02

foto nga CFP

foto nga CFP

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se partia e ekstremit të djathtë, Rally National (RN), dhe koalicioni i majtë, Fronti i Ri Popullor, që të dy kryesues në zgjedhjet parlamentare, rrezikojnë të sjellin luftë civile në Francë, përcjell “RTSH”.

“Mendoj se zgjidhjet e dhëna nga e djathta ekstreme janë jashtë diskutimit, sepse ajo po i kategorizon njerëzit në aspektin e fesë ose origjinës së tyre dhe kjo është arsyeja pse ajo çon në ndarje dhe në luftë civile”,- tha ai.

Macron bëri të njëjtën kritikë ndaj partisë së majtë ekstreme, LFI, e cila është pjesë e koalicionit të Frontit të Ri Popullor.

“Por edhe kjo mund të çojë në luftë civile, sepse ju po i kategorizoni njerëzit vetëm në aspektin e këndvështrimit të tyre fetar ose komunitetit të cilit i përkasin, që në një farë mënyre është një mjet për të justifikuar izolimin e tyre nga komuniteti më i gjerë kombëtar, dhe në këtë rast, do të kishit një luftë civile me ata që nuk ndajnë të njëjtat vlera”,- tha Macron.

I pyetur për t'iu përgjigjur komenteve të presidentit Macron, kreu i RN-së, Jordan Bardella, kryeministër i mundshëm nëse partia fiton më shumë vota në zgjedhje, u përgjigj: “Një kryetar shteti nuk duhet ta thotë këtë”.

Udhëheqësi i “France Unbowed”, Jean-Luc Melenchon, dënoi gjithashtu komentet e presidentit Macron, duke thënë se ishin politikat e vetë presidentit ato që po shkaktonin trazira civile. (Elona)