Ekonomia e Shqipërisë ka patur tregues të mbarë gjatë vitit 2023 dhe kjo gjendje po vijon edhe në pesemujorin e parë të këtij viti. Ndjesia ekonomike, perceptimi i biznesit dhe konsumatorit, kanë arritur nivele të larta.
Të ardhurat totale në Buxhetin e Shtetit për periudhën janar-maj 2024 u realizuan në masën 287 miliardë lekë ose 2.9 miliardë euro, 3.4 përqind më shumë se plani i së njëjtës periudhë, ose 11.2 përqind më shumë se periudha janar-maj 2023.
Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat u rritën me 28.9 miliardë lekë ose 289 milionë euro. Tregues të tjerë të konsumit dhe të investimeve dëshmojnë për një rritje të përshpejtuar ekonomike.
Banka Botërore (Foto Lapsi.al)
Një tregues themelor për shëndetin e ekonomisë së Shqipërisë është niveli i inflacionit. Gjatë gjithë vitit të kaluar dhe po kështu edhe në pesëmujorin janar-maj të këtij viti, inflacioni ka qenë më i ulët se në vendet e rajonit apo nga mesatarja e Bashkimit Europian. Në muajin maj 2024, ai zbriti në 2.2 përqind, në një nivel tërësisht të kontrollueshëm nga banka qendrore dhe të shëndetshëm për ekonominë.
Në vitin 2023, ekonomia jonë shënoi për herë të parë një sufiçit(kur të ardhurat i kalojnë shpenzimet) të llogarisë korente. Pritshmëritë janë për një përmirësim të konsiderueshëm edhe për këtë vit, krahasuar me dhjetra vite 2008-2022, kur kemi patur defiçit të ndjeshëm.
Sufiçiti erdhi nga rritja e jashtëzakonshme e turizmit, si dhe nga shtimi i ndjeshën i investimeve të huaja direkte. Konsolidimi, qendrueshmëria fiskale rregjistroi një tjetër moment pozitiv.
Vlerësimet e vazhdueshme në rritje të marra këto muaj nga Shqipëria prej agjencive ndërkombëtare të renditjes së aftësisë borxhshlyese dhe të shëndetit të ekonomisë në tërësi të një vendi, si “Standard&Poor’s” dhe “Moody’s”, çertifikojnë momentin e mirë ekonomik të vendit, ndikojnë në imazhin e tij dhe në aksesin në tregjet ndërkombëtare, si dhe në koston më të ulur të kreditimit jashtë dhe në tregun e brendshëm.
Banka e Shqipërisë (Foto Syri tv)
Borxhi publik, një tregues kyç i qëndrueshmërisë së financave publike, ra poshtë nivelit 60 perqind të prodhimit kombetar, niveli më i ulët që nga viti 2010.
Ky përmirësim, përveçse ul koston e huamarrjes, rrit sigurinë e vendit për përballimin e goditjeve të mundshme në ekonomi, në të ardhmen.
Përmirësim të ndjeshëm shënoi edhe skema e pensioneve, ku të ardhurat e kontribuesve në vitin 2023 arritën në 134 miliardë lekë, ose 1.29 miliardë euro, sa dyfishi i nivelit nga fillimi i reformës në vitin 2015. Defiçiti i skemës së pensioneve është ulur në 0.8 përqind të prodhimit kombetar (GDP-së) në vitin 2023, ose niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë, nga gati 2 përqind të prodhimit kombëtar, që ishte në vitin 2015, kur nisi reforma e pensioneve.
Përmes Aktit Normativ të marsit 2024, qeveria rishikoi në rritje të ardhurat buxhetore për vitin 2024, duke arritur në 28.2 përqind të prodhimit kombëtar, gjë që përbën nivelin më të lartë historik të të ardhurave publike, mbi prodhimin kombëtar.
Pjesë e rëndësishme e këtij Akti Normativ është mbështetja përmes Instrumentit të Garancisë Shtetërore, në vlerë prej 4 miliardë lekë ose 40 milionë euro, për bizneset e sektorit të industrisë përpunuese fason, një nga sektorët kryesorë të eksportit të mallrave të Shqipërisë.
Fondi monetar ndërkombëtar (Foto katrori.info)
Në korrik të këtij viti, qeveria përgatitet të anoncojë një program tjetër të Garancisë Shtetërore në bujqësi, për fermerët që përpunojnë dhe shtojnë prodhimin për eksport, si dhe për bujtinat dhe strukturat e tjera të agro-turizmit.
Qeveria është e angazhuar të rrisë sërisht pagat në shtet në korrik 2024, duke bërë të mundur që brenda ketij viti të realizohet objektivi i saj, për një nivel page mesatare në administratën shtetërore, prej 900 euro në muaj.
Ky nivel mesatar i pagave në administratën shtetërore e rendit Shqipërinë në treshen e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përsa i përket pagës mesatare në shtet.
Rritja e pagave në administratën shtetërore në korrik 2024, do të jetë shtysë edhe për sektorin privat në Shqipëri, që edhe ky sektor të shtojë në vijimësi nivelin e pagave për punonjësit e tij.
Në tetor 2024, qeveria do të realizoje indeksimin e pensioneve, sipas indeksit të dedikuar të çmimeve të shportës së mallrave dhe shërbimeve jetësore, si dhe do të shpërndajë bonusin e fundvitit për mbi 707 mijë pensionistë, sipas të dhënave të INSTAT.
Nga ana tjetër, sektorët e arsimit dhe shëndetësisë publike do të vijojnë të financohen në nivelin mbi 3 përqind të prodhimit kombetar.
Ekonomia e vendit po bën mirë edhe në nivel të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Shqipëri, që janë në shifra rekord dhe për këtë vit dhe parashikohen të kalojnë rekordin e vitit të kaluar, prej 1.5 miliardë euro. Në mars të vitit të ardhshëm parashikohet të përfundojë dhe bëhet operativ Aeroporti i Vlorës, aeroporti i dytë ndërkombëtar më i rëndësishëm i Shqipërisë, i cili do t’i japë një hov të ri turizmit në Jug të vendit.
Për qeverinë është sfidë kryesore, që këtë moment të mirë ekonomik ta përkthejë në një mbështetje të shtuar për sektorët më prodhues të vendit, si dhe në një mbështetje më efektive për shtresa të caktuara të popullsisë, me te ardhura modeste ose nën nivelin e varfërisë, me logjikën e një rritjeje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse.
Parashikimi për rritjen ekonomike (Foto Revissta Monitor)
Qeveria po synon që, së bashku me Bankën e Shqipërisë, të dalë me një plan të përbashkët për nxitjen e kreditimit, me qëllim që bashkërisht qeveri, bankë qendrore dhe sektor bankar, të marrin masa për nxitjen e kreditimit në ekonomi.
Sektori bankar pritet të realizojë për këtë vit programin “Open Banking”, çka do t’i japë mundësi qytetarit klient të bankave të zgjedhë opsionin më të mirë në treg për transaksionet e tij të parave, të ofruara nga bankat apo nga sipërmarrjet FinTech.
Të gjithë këta tregues, kombinuar edhe me shifrat pozitive dhe në rritje të turizmit në vend, japin besimin që ky moment pozitiv dhe ky konsolidim i financave publike të Shqipërisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen e afërt dhe afatmesme.