Endrit Syla është një artist i ri, i cili jeton prej pesë vitesh në Vjenë të Austrisë. Ai ka qenë i pasionur pas muzikës që në fëmijëri dhe ka realizur disa krijime muzikore dhe mjaft remikse. Integrimi për Endritin në kryeqytetin austriak ka qenë i lehtë, pasi më përpara ai ka jetuar në Gjermani dhe është mësuar me jetën larg vendlindjes. Njohja me shoqen e tij të jetës në Austri e ka bërë më të lehtë integrimin, përshtatjen dhe punësimin e shpejtë. Edhe pse në emigrim, ai nuk është shkëputur nga pasioni për muzikën, por vazhdon të krijojë melodi dhe të luajë muzikë në klubet e natës në Vjenë. Në një interistë për Radio Ejani Endrit Syla tregon për jetën në emigrim, pasionin për muzikën dhe projektet.
CMG: Prej sa vitesh jeton në Austri si ka qenë integrimi juaj?
Endrit Syla: Kam rreth pesë vite që jetoj në Austri dhe integrimi këtu ishte i lehtë për mua, ngaqë kam jetuar dhe më përpara jashtë vendit, ku së fundi kam jetuar në Berlin. Mendoj se pak a shumë është njësoj.
CMG: Ka qenë e vështirë përshtatja dhe gjetja e një pune?
Endrit Syla: Nuk ka qenë e vështirë, por për vizë ka qenë e vështirë. Për të bërë dokumentat ishte shumë e vështirë, por me ndihmën e të dashurës sime dhe familjes së saj arrita të bëj dokumentat.
CMG: Tani je stabilizuar mirë dhe je i kënaqur me jetën aty?
Endrit Syla: Jam stabilizuar mirë me punë e gjithçka.
CMG: Pse zgjodhët Austrinë si vend për të punuar e jetuar?
Endrit Syla: Vjena ka qenë një nga ëndrrat e mia të fëmijërisë për ta vizituar, por duke u rritur mendova që të jetoja këtu. Fillimisht erdha për ta vizituar Vjenën, dhe më pas më pëlqeu shumë si qytet dhe kërkova punë. Pastaj fillova punë, bëra dokumentat dhe qëndrova këtu.
CMG: Çfarë të ka pëlqyer më shumë nga kryeqyteti austriak?
Endrit Syla: Mua më pëlqen jashtëzakonisht shumë si qytet, sepse Vjena ka shumë qetësi duke e krahasuar me kryeqytetet e tjera, ka qetësi dhe siguri të lartë. Natyrën dhe gjithçka tjetër i ka fantastike.
Endrit Syla ne Vjene (Foto personale)
Endrit Syla duke bere ski ne Austri (Foto personale)
CMG: Në Shqipëri je marrë me muzikë, ke realizuar disa produksione muzikore. Flasim për lidhjen tuaj me muzikën
Endrit Syla: Muzikën e kam pasion. Unë kam realizuar disa këngë remikse, kam bërë rreth 20 të tilla, por këngë të miat që i kam publikuar janë pesë. Ndërkohë që kam filluar dhe këtu të merrem me muzikë, por nuk i kam gati akoma.
CMG: Ke pasur bashkëpunime në fushën e muzikës gjatë këtyre viteve që jeton në Vjenë?
Endrit Syla: Kam pasur mundësi për të luajtur DJ në klube të ndryshme në Vjenë.
CMG: Si bëhet jeta e natës në Vjenë?
Endrit Syla: Këtu bëhet shumë jetë nate, sidomos gjatë verës. Jeta e natës është një mrekulli e vërtetë, njerëzit kërcejnë dhe argëtohen. Gjithashtu ju pëlqen dhe muzika shqiptare, që unë e luaj shpesh këtu.
CMG: Në Vjenë jeton një komunitet i vogël shqiptarësh. Ti ke kontakte me shqiptarë të tjerë aty?
Endrit Syla: Kam miqësi me shqiptarë të tjerë që jetojnë këtu, sidomos nga Kosova kam shumë miq.
CMG: Jeni organizuar bashkë në raste të festave kombëtare?
Endrit Syla: Patjetër që organizohemi, mblidhemi bashkë dhe bëjmë festa të ndryshme, këndojmë e kërcejmë të gjithë së bashku. Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin flasim për Shqipërinë, dhe nganjëherë qajmë dhe hallet bashkë.
CMG: Këto pesë vite ke ardhur rregullisht në Shqipëri?
Endrit Syla: Unë vij shumë shpesh në Shqipëri.
CMG: Për çfarë të merr më shumë malli për vendlindjen?
Endrit Syla: Më merr malli për familjen, të afërmit dhe shoqërinë. Pothuajse më merr malli për gjithçka në vendin tim.
CMG: Komunikon shpesh me familjarët dhe miqtë në Shqipëri?
Endrit Syla: Me familjen flas çdo natë, por dhe me të afërmit e shokët flasim çdo javë, bëjmë batuta, bisedojmë sesi kemi qenë më përpara dhe tani u larguam nga njëri-tjetri.
CMG: Ku do t’i kalosh pushimet këtë verë?
Endrit Syla: Do të vij në Shqipëri këtë verë, do qëndroj rreth një muaj me pushime atje.
Endrit Syla me te dashuen (Foto personale)
CMG: Ja ke rekomanduar miqve austriakë për ta vizituar Shqipërinë?
Endrit Syla: Patjetër që po. Këtë verë do vij me të dashurën time, dy shoqet e saj bashkë me bashkëshortët. Unë ju kam folur shumë për Shqipërinë dhe kanë një dëshirë shumë të madhe për të ardhur në Shqipëri. Mjaft austriakë e kanë vizituar Shqipërinë, sidomos vitin e kaluar kanë qenë shumë austriakë. Të gjithë kanë një përshtypje fantastike për Shqipërinë, shprehen se është vend shumë i bukur, sidomos bregdeti shqiptar ju ka lënë shumë mbresa.
CMG: Si ndjehet e dashura austriake përkrah teje?
Endrit Syla: Ajo ndjehet shumë mirë, familja e saj po ashtu më respekton jashtëzakonisht shumë. Me familjen e të dashurës ishim vitin e kaluar në Shqipëri, ju ka pëlqyer shumë vendi ynë. Ka filluar të komunikojë pak shqip, merr prindërit e mi në tel dhe flet shqip me ta.
CMG: Ke pasione të tjera në jetë përveç muzikës?
Endrit Syla: Mua më pëlqejnë shumë sportet, sidomos sporti i skive. Këtu në Austri ka shumë pista për ski dhe shkojmë shumë shpesh. Gjithashtu më pëlqen të notoj dhe vrapoj.
CMG: Cilat janë projektet tuaja në fushën e muzikës ?
Endrit Syla: Kam shumë projekte muzikore të nisura, por i kam lënë pak pas dore. Kam disa këngë të miat, por dhe disa remikse të reja muzikore që duhet t’i mbaroj. Besoj se këtë verë do vij me një projekt të ri muzikor.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Endrit Syla: Përshëndes dëgjuesit e Radio Ejani, duke ju uruar gjithë të mirat. Gjithashtu përshëndes familjen time, të afërmit dhe gjithë shokët. Kalofshi sa më bukur dhe mirë u takofshim kur të vij në Shqipëri.
Intervistoi: Gazmend Agaj