Teknologjia kineze nxit zhvillimin e përbashkët në Afrikë dhe Lindjen e Mesme
2024-06-24 16:19:59

Vitet e fundit, nëpërmjet bashkëpunimit shumëpalësh, Kina është bërë një forcë e rëndësishme në nxitjen e zhvillimit të vendeve të Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Teknologjia kineze po jep edhe kontribute në realizimin e angazhimeve të Kinës për lulëzimin e përbashkët të njerëzimit.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Bashkëpunimi bujqësor midis Kinës dhe Afrikës ka lulëzuar brenda kornizave si Forumi për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë dhe nisma "Një brez, një rrugë". Nga fushat vendore në platformat globale të tregtisë elektronike, përpjekjet e Kinës kanë rritur ndjeshëm produktivitetin e modernizimin e bujqësisë afrikane nëpërmjet ndihmës teknike, zhvillimit të zinxhirit industrial e hyrjes në treg.

Në Qendrën e Demonstrimit të Teknologjisë Bujqësore të Nigerisë afër Abuxhës, kryeqytet i këtij vendi të Afrikës Perëndimore, ekspertët bujqësorë kinezë kanë një rutinë të përditshme të kontrollit të orizit të sapokorrur.

Si rezultat i viteve të punës së përkushtuar, ekspertët nga kompania kineze "Green Agriculture West Africa" (GAWAL) kanë zhvilluar një farë orizi me rendiment të lartë që u përshtatet kushteve vendore, me një prodhim që i tejkalon varietetet vendase me mbi 20 %. Kjo farë, e miratuar nga autoritetet bujqësore nigeriane, tani mbillet në dy të tretat e shteteve të vendit.

Lawal Musa, një fermer nga shteti Jigawa, e ka kultivuar këtë oriz prej disa vitesh. Sipas tij, orizi është një ushqim jetik në Nigeri dhe çdo familje e konsumon atë. "Nëpërmjet bashkëpunimit me Kinën, Nigeria është në rrugën e realizimit të vetëplotësimit të kërkesave ushqimore," tha ai, duke vlerësuar orizin për produktivitetin e lartë e aftësinë për t'u bërë ballë sëmundjeve e thatësirës.

GAWAL, një kompani farërash udhëheqëse në Nigeri, kontribuoi në programin e furnizimit me farëra të qeverisë, duke shpërndarë mbi 30 000 tonë farëra në më shumë se 30 shtete të vendit. Përpjekjet e saj kanë rritur ndjeshëm prodhimin e orizit në këtë vend me më shumë se 2 milionë tonë.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Përgjatë dekadës së fundit, Qendra e Demonstrimit të Teknologjisë Bujqësore e Nigerisë ka spikatur ndërmjet gjithsej 24 qendrave të krijuara nga Kina në të gjithë Afrikën. Këto qendra janë me një rëndësi thelbësore për sa i përket përparimit të teknologjisë bujqësore, duke transferuar me sukses më shumë se 300 teknologji të sofistikuara bujqësore te fermerët vendas. Në të njëjtën kohë, janë rritur rendimentet e të korrave me 30 %, nga të cilat kanë përfituar mbi 1 milion fermerë të vegjël në të gjithë Afrikën.

Në të njëjtën kohë, me përpjekje të përbashkëta, specialistët kinezë të bujqësisë kanë përmirësuar ndjeshëm rendimentin dhe cilësinë e kulturave kryesore, si orizi, kasava dhe soja. Për më tepër, ata kanë futur një sërë varietetesh të reja frutash, perimesh dhe bishtajash. Këto kontribute jo vetëm që kanë pasuruar strukturën ushqimore në Afrikë, por edhe kanë krijuar rrugë të reja për përparimin bujqësor të rajonit.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Kenia, një eksportuese e madhe globale e luleve të freskëta, dikur përballej me sfida për hyrjen në tregjet e reja, për shkak të tarifave të larta dhe rregulloreve komplekse.

Megjithatë, "kanali i gjelbër" i Kinës për produktet bujqësore afrikane ka përshpejtuar proceset e inspektimit e karantinës dhe ka zgjeruar përjashtimet tarifore, duke sjellë përfitime për industrinë e luleve në Kenia dhe produktet e tjera bujqësore afrikane, si avokadoja, agrumet, ananasi e kafeja.

Siç mësohet, që nga qershori 2023, 16 produkte bujqësore nga 11 vende afrikane kanë hyrë në Kinë nëpërmjet "kanalit të gjelbër", duke ofruar më shumë mallra të specializuara afrikane në tregun kinez.

Edhe partneriteti i Kinës me botën arabe ka dhënë tashmë mbi 200 projekte të mëdha, duke ndikuar pozitivisht në jetën e afro 2 miliardë banorëve. Pasi të dy palët e forcuan këtë partneritet me marrëveshje bashkëpunimi historik në majin e sivjetshëm, përparimet teknologjike të fundit janë gati ta çojnë bashkëpunimin Kinë-Arab në lartësi edhe më të mëdha në vitet e ardhshme.

Foto:CGTN

Foto:CGTN

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Kina propozoi "pesë kornizat e bashkëpunimit" për të forcuar ndërtimin e një bashkësie kino-arabe me një të ardhme të përbashkët në muajin maj. Pala kineze është zotuar të ndërtojë me palën arabe një qendër të përbashkët vëzhgimi të mbeturinave hapësinore, një aplikacion "BeiDou" dhe një qendër bashkëpunimi e zhvillimi, si edhe të rrisë bashkëpunimin në misionet hapësinore me astronautë dhe aeroplanët e udhëtarëve, në përpjekje për të nxitur bashkëpunimin në fushën e krijimit të risive.

Kina dhe Arabia Saudite nënshkruan një memorandum mirëkuptimi më 16 mars 2017, duke shkëmbyer të dhëna shkencore për bashkëpunimin hapësinor. Të dyja vendet më pas publikuan së bashku tre imazhe hënore të marra me anë të bashkëpunimit në misionin satelitor stafetë për sondën hënore "Chang'e-4", sipas Administratës Kombëtare të Hapësirës të Kinës.

Në vitin 2018, Qendra Kino-Arabe BDS/GNSS, qendra e parë jashtë Kinës për sistemin e saj satelitor të navigimit "BeiDou", u përurua në Tunizi. Bashkëpunimi lidhur me BDS u zgjerua në më shumë shtete arabe në vitin 2021, pasi ato ranë dakord të zbatonin më shumë projekte pilot.

Foto:Xinhua

Foto:Xinhua

Lindja e Mesme ka shkallën më të lartë të ekspozimit ndaj dritës së diellit në botë, me Arabinë Saudite që është baza më e madhe fotovoltaike e erës në botë. Sipas Ministrisë së Jashtme kineze, tregtia mes të dyja palëve arriti në 87.31 miliardë dollarë në vitin 2021, me një rritje prej 30.1 për qind në krahasim me vitin 2020.

Me mbështetjen e Kinës, Katari ndërtoi 15 rezervuarë super të mëdhenj në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë e ujit gjatë Kupës së Botës. E ndërtuar nga një kompani kineze, termocentrali 800 megavat i Katarit "Al Kharsaah" është një nga më të mëdhenjtë në Lindjen e Mesme, duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme në përzierjen e energjisë të Katarit dhe duke kontribuuar në një "Kupë Bote të gjelbër".