Pak ditë më parë kryeministri Rama ka theksuar se në muajin korrik paga mesatare do të rritet në 900 euro. Lajmi është mirëpritur nga të gjithë punonjësit e administratës dhe jo vetëm. Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë e vlerëson si mjaft pozitive këtë nismë.
Administrata (Foto Hashtag.al)
“Pritshmëria është që të kemi këtë rritje të pagës në sektorin publik ku ndër të tjera do përfitojnë dhe trupa e administratës publike, lokale që punon në 61 bashkitë e Shqipërisë dhe në 12 qarqet dhe një pjesë e ndërmarrjeve shërbyese të sektorit publik sikundër dhe një pjesë e administratorëve po themi politik. Një shpërndarje e tillë është shumë e mirë në atë kuptim t; përgjithshëm pastaj mund ta analizojmë në detaje hap pas hapi.”
Eksperti ngre pikëpyetje se sa ky nivel do të shërbejë për të siguruar një jetë normale, duke marrë në konsideratë inflacionin.
“Është pyetja 1 milionë dollarësh dhe këtu duhet të fillonte analiza: Pse po e rrisin, çfarë ka munguar, si ka qenë performanca dhe produktiviteti i kësaj administrate? Kollaj është të thuash do ta rris 900, për t’u përmirësuar, por unë them pse mos ta rrisin 2 mijë? Pse mos ta bëjnë 1500? Analiza e një shteti të mirëkonsoliduar me institucione të mira financiare lokale dhe qendrore, bën këto argumentet pse jemi këtu sepse në një moment unë them për 900 mirë është, por të mos harrojmë që në këtë rritje prej 900 nëse marrim një diferencë që është propozuar të paktën aq sa qarkullojnë shifrat se vendimi nuk ka dalë akoma, rritja shkon nga specialisti deri tek niveli më i lartë, mund të rritet nga 10 mijë lekë të reja deri në 170 mijë lekë të reja. Pra çdo rritje është e mirë, por ritheksoj se kush më thotë që kjo rritje krijon komoditetin tonë të jetesës për një standard normal. Marr në konsideratë dhe inflacionin”
Haxhimali ndalet edhe tek eficenca e administratës.
“Ndonjëherë më duket se bëhet sikur kompenson inflacionin, por ndonjëherë mendojmë se nga ana tjetër nuk është ndonjë gjë e rëndësishme. Por dhe në vendet e zhvilluara analiza bëhet tek eficenca dhe tek produktiviteti. Ja po e rrisim, por çështja është sa do kthehet dhe do përkthehet në shërbime, në cilësi për qytetarët dhe lidhet me kohën e veprimeve administrative, me uljen e ankimimeve në nivele të ndryshme me mënyrën sesi reagon ndaj qytetarëve administrata lokale. “
Agron Haxhimali (Foto Linkedin )
Janë shumë çeshtje që shpesh sipas Haxhimalit zvarriten nga administrata dhe kjo krijon vonesa për qytetarët, dhe kjo performancë e stafit sipas tij duhet parë.
“Unë po ju them vetëm një fakt, për sa kohë kjo administratë lokale sot me këtë performancë ushqen gjykatat me ankimime administrative, mua nuk më lë shije të mirë që ka një performancë më të mirë sepse nëse problemi zgjidhet aty, zgjidhen mbi baza ligjore çështjet qytetaret nuk shkojnë në ato kalvare, edhe për çështje të tjera të shërbimeve publike nëse marrin zgjidhje në njësinë administrative apo në bashki në kohën e duhur jepen lejet, licencat paguhen taksat, shmang hapësirën e ankimimeve, ndër të tjera apo ju shërben me ujë 24 orë, me cilësinë e ujit, me ndriçimin me shërbimin, atëherë mendoj është mirë të rritet dhe bën shumë mirë, pra në këto aspekte duhet parë kjo lloj rritje. Unë uroj që të ndodhë “
Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë bën edhe një përmbledhje të shifrave në bashkitë e vendit.
“Trupa që punon sot në administratën e 61 bashkive të Shqipërisë është rreth 37 mijë punonjës, ndër të cilët pak a shumë 1 mijë janë pjesa publike, pjesa politike, pjesa tjetër janë punëtorë, nga specialistët, nga shërbyesit e sektorëve të ndryshëm, deri tek shefat e zyrave, shefat e sektorëve, deri tek departamentet. Nga të dhënat që ka prezantuar ministri për pushtetin vendor, rezulton që kjo trupë në qeverisjen vendore do jetë më pak se 10 mijë punonjës, kryesisht do të jenë punonjësit që janë me statusin e nëpunësit civil, që mund të jenë diku tek 7 mijë në të 61 bashkitë e Shqipërisë dhe 12 qarqet dhe pjesa tjetër është pjesa politike ku përfshihen 61 kryetarët, e bashkive, 12 kryetarët e qarqeve, sekretarët e përgjithshëm, trupa e kabinetit apo këshilltarët politikë, kryetarëve të bashkive apo kryetarëve të qarqeve dhe administratorët që janë rreth 340 administratorë që emërohen politikisht. Kjo është pak a shumë ajo masa për të cilën do të jenë përfitues të rritjes së pagës duke filluar nga një korriku por i referohemi, të paktën çfarë është thënë, por do shikojmë nëse do kalojë akti apo vendimi i Këshillit të Ministrave për këtë rritje page. “
Paga (Foto Realiteti post)
Në intervistën për RTSH-në, Haxhimali thotë se lajmi për paga më të larta në administratë do të nxisë edhe të rinjtë të punojnë në këto shërbime.
“E vërteta duhet ta përsëris në fakt që plotëson një vakuum të munguar të të ardhurave të kësaj kategorie të kësaj shtrese që për hir të së vërtetës arma më e fuqishme që kanë në mendjen e tyre, aftësitë, kapacitetet e tyre dhe duhet të mbështetet dhe mirë. Këtu nuk është fjala vetëm përse duhet të sqarojmë dhe detaje të tjera se rritja ka disa kategori, por për mendimin tim në bashkitë e vogla dhe të mesme, kryesisht të larta dhe periferike për ato që punojnë dhe për studentët, të rinjtë që mbarojnë shkollën është një motivues më i mirë për t’i rikthyer të kontribuojnë për vendin e tyre, pa pagën e lartë do kemi pengesa të mëdha në administratën publike. Të gjithë orientohen nga dy rrugë ose tek tregu privat dhe sigurisht pagat janë shumë konkurruese dhe shumë më të mira. “- u shpreh Haxhimali.
Konkretisht qeveria ka premtuar që nga korriku e në vijim paga mesatare e disa kategorive, ndër më kryesorët, mjekë, infermierë dhe mësues të arrijë në 900 euro. Konkretisht mësuesit në 104 mijë e 800 lekë nga më pak se 72 mijë lekë aktualisht mjekët e përgjithshëm në 194 mijë lekë ndërsa paga mesatare bruto e një infermieri do të rritej në 80 mijë e180 lekë.