Familja më e pasur në Mbretërinë e Bashkuar dënohet për shfrytëzimin e shërbëtorëve
2024-06-24 11:49:59

Familja më e pasur në MB (Foto Express)

Katër anëtarë të familjes më të pasur të Britanisë së Madhe janë dënuar me burg për shfrytëzimin e stafit, të sjellë nga India për të punuar në vilën e tyre në Gjenevë, njofton RTSH.

Prakash dhe Kamal Hinduja, si dhe djali i tyre Ajay dhe gruaja e tij Namrata, u shpallën fajtorë për shfrytëzim dhe punësim të paligjshëm nga një gjykatë zvicerane dhe u dhanë dënime që varionin nga katër deri në katër vjet e gjysmë.

Ata u shpallën të pafajshëm për akuzën më të rëndë të trafikimit të qenieve njerëzore.

Tre punëtorë që u sollën nga India, pretenduan se familja i paguante vetëm 8 dollarë për të punuar 18 orë në ditë, më pak se një e dhjeta e shumës së kërkuar sipas ligjit zviceran, dhe ua konfiskuan pasaportat. Ata gjithashtu pretenduan se familja, pasuria e së cilës vlerësohet në rreth 37 miliardë paund, rrallë i lejoi ata të largoheshin nga shtëpia, e cila është në lagjen e pasur të Gjenevës.

Gjatë gjyqit, prokurorët pretenduan se familja shpenzoi më shumë për qenin e tyre sesa për shërbëtorët. Nuk është hera e parë që Gjeneva, një qendër për organizatat ndërkombëtare, si dhe për të pasurit e botës, ka qenë në qendër të vëmendjes për keqtrajtimin e supozuar të shërbëtorëve.

Vitin e kaluar, katër punëtorë shtëpiak nga Filipinet ngritën një çështje kundër një prej misioneve diplomatike të Gjenevës në Kombet e Bashkuara, duke pretenduar se nuk ishin paguar për vite me radhë.

Familja Hinduja zotëron Grupin Hinduja, një grup shumëkombësh me interesa në naftë, gaz dhe banka.(Fatosi)