Pjesëmarrja e dytë e Shqipërisë në kampionatin europian të futbollit ka qenë entuziaste, duke shënuar rekorde, si goli i Bajramit në sekondën e 23-të të të ndjeshjes me Italinë. Ndërkohë Gjasula u bë lojtari i parë në historinë e Europianeve që hyn nga stoli dhe shënon autogol edhe gol në 1 ndeshje. Ndeshjet e ekipit shqiptar janë shoqëruar nga tifozë të shumtë të ardhur enkas në Gjermani nga Shqipëria, të shqiptarëve që jetojnë në Gjermani dhe Europë, por dhe nga vende të tjera ku jetojnë shqiptarë. Me këngë, valle, brohoritje dhe ovacione tifozët shqiptarë kanë gjallëruar stadiumet dhe sheshet e qyteteve gjermane, ku janë zhvilluar ndeshjet. Performancat e tyre janë bërë virale dhe kanë fituar simpatinë e ndjekësve të mediave sociale. Si do të jetë gara e ditës së hënë midis Shqipërisë dhe Spanjës? A ka shanse që Shqipëria të kualifikohet? Gazetarja sportive Enkelejda Zeko në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton paraqitjen e ekipit shqiptar në këtë garë europiane të futbollit dhe pritshmëritë për ndeshjen me Spanjën.
Gazetarja sportive Enkelejda Zeko në intervistëë për CMG
CMG: Jemi në prag të ndeshjes së ekipit shqiptar me Spanjën. Si e komentoni prezantimin e deritanishëm të këtij ekipi në Europian?
Enkelejda Zeko: Ekipi shqiptar ka nisur një rrugëtim në këtë kampionat europian shumë dinjitoz, pavarësisht se pritshmëritë jo vetëm institucioni i futbollit dhe vetë skuadra përfaqësuese i pati të larta në vigjilje të këtij kampionati. Duhet thënë se pjesëmarrja jonë e dytë në këtë event madhor të futbollit europian duhet të jetë me këmbë në tokë. Ne e dinim që kishim një grup të vështirë ku ishte Italia, Spanja dhe Kroacia, tre skuadra të nivelit të lartë europian dhe botëror dhe me pretendime serioze në këtë kampionat europian. Ndërkohë ne jemi një skuadër e vogël pa shumë eksperiencë në arenën europiane ndoshta kërkuam shumë nga vetja duke thënë se mund të kalojmë fazën e grupeve, mund të vazhdojmë më tej, madje u arrit deri aty sa u tha se mund të fitonim dhe Kampionatin Europian.
CMG: Ambicja është një motivim
Enkelejda Zeko: Patjetër, por ndoshta kjo ndonjëherë bën që tifozët të zhgënjehen nga disa rezultate apo performanca të skuadrës. Ne deri tani kemi bërë një paraqitje të mirë. Me Italinë edhe pse nuk ishte një ndeshje e mirë përsëri ne kemi mbetur të kënaqur sepse shënuam një rekord me një gol të Bajramit ishte vërtet një kënaqësi. Të shënosh me Italinë, ta çorientosh atë nuk është gjë e vogël, sepse është kampione e Europës në fuqi. Por vetëm kaq kemi mundur të bëjmë në atë ndeshje sepse ne e dimë forcën e atyre skuadrave, që kanë eksperiencë, një mentalitet ndryshe, veprojnë në shumë drejtime dhe kanë trajnerë të kualifikuar dhe të përgatitur për ndryshimet që vijnë gjatë lojës. Kështu i ndodhi Italisë dhe ne nuk bëmë dot më tepër se kaq.
Ndërsa në ndeshjen me Kroacinë ndoshta ishim një skuadër më kokulur, më modestë dhe pa pritshmëri shumë të mëdha dhe arritëm të merrnim më shumë. Ndoshta duke qenë më modest mund të shkojmë më larg, ndoshta duke mos patur shumë pretendime nuk vihemi në presion nga kundërshtarët. Në fund të fundit nuk kemi asgjë për të humbur dhe për ne pjesëmarrja është sukses në këtë Kampionat Europian. Me Kroacinë ne demonstruam forcë karakteri, bashkim të skuadrës, harmoni mes lojtarëve, përgatitje fizike më të freskët, mentalitet pozitiv edhe pse u bënë të tjera gabime sepse pësuam 2 gola, njeri prej të cilëve autogol. Deri në minutën e 70-të skuadra jonë kombëtare u shpreh shumë dinjitoze përballë Kroacisë. Barazimi 2 me 2 është një sukses i jashtëzakonshëm sepse Kroacia është e treta në botë dhe është një skuadër që vërtet është në fazën e rinovimit, të ndryshimit të brezave, por është një skuadër me dinjitet dhe lojtarë të mëdhenj, që luajnë në skuadra të rëndësishme europiane.
CFP
Përpara ndeshjes me Spanjën ne kemi bërë një rrugëtim pozitiv. Tani moralin dhe atmosferën e kemi ndaj të marrim maksimumin në ndeshjen me Spanjën sido që të shkojë. Rëndësi ka për ne që të bëjmë një ndeshje dinjitoze pavarësisht rezultatit që do të marrim. Kur të përfundojë kjo ndeshje tifozët të jenë të mbushur dhe ta kenë konsideruar si një mision të përmbushur pjesëmarrjen e Shqipërisë në kampionat.
Analiza do të bëhet në fund dhe të gjithë ekspertët, gazetarët dhe opinioni do të bëjë një bilanc të këtij udhëtimi nëse ishte i suksesshëm apo jo. Të mos harrojmë që në Euro 2016 Shqipëria ka përfunduar grupin me 3 pikë, me një performancë shumë të mirë dhe atëherë ka patur shumë tifozë që kanë ndjekur kombëtaren, por këtë herë ka qenë ndryshe. Grupi ka qenë më i vështirë, tifozeria ka qenë më e madhe dhe Shqipëria ka përfituar më shumë.
CMG: Në të dyja ndeshjet Shqipëria ka shënuar e para dhe më pas është përmbysur rezultati. A duhet të pajtohemi që kundërshtarët ishin shumë të fortë dhe të kënaqemi me 1 pikë, apo mund të bënim më mirë ?
Enkelejda Zeko: Mund të bënim edhe më mirë. Duhet të kuptojmë që në momente të caktuara vendimet janë shumë të rëndësishme. Trajneri e përgatit ndeshjen përpara, ka një skemë dhe një ide se si do të luhet kjo ndeshje, por kundërshtarët bëjnë surpriza, ndonjëherë dhe vetë ti bën surpriza. E kishte menduar ndonjëherë trajneri i kombëtares shqiptare që mund të shënonte Nedim Bajrami në sekondën e 23-të ? Kjo e gjeti të papërgatitur. Trajneri vendimet që mori më pas ishin të duhurat sepse u gjend i papërgatitur nga kjo situatë. Ai është një trajner i ri që nuk ka eksperiencë në të tilla nivele të futbollit europian dhe natyrisht që edhe gabime bëhen.
Është shumë e rëndësishme që loja të lexohet në mënyrën e duhur dhe të merren vendimet e duhura si dhe të vendosen lojtarët në pozicionet e duhura për të dhënë maksimumin, por dhe për të patur harmoni mes tyre në kërkim të rezultatit. Ne nuk kemi reaguar pozitivisht pasi kemi shënuar, sepse kemi shënuar dhe më pas kemi pësuar. Megjithatë kemi ndryshuar diçkaa që ka qenë një sëmundje e vjetër e kombëtares, që pësonim gol në minutat e fundit, ndërsa këtë herë kemi shënuar gol në minutat e fundit. Kështu që skuadra kombëtare po rritet, po fiton eksperiencë. Na pëlqen të jemi në avantazh dhe të jemi superiorë, por për të patur të gjitha anët pozitive kërkohet eksperiencë, por dhe kualifikimi që është shumë i rëndësishëm.
CFP
Ndërkohë lojtarët tanë kanë deficenca të ndryshme sepse nuk aktivizohen shumë në kampionatet e tyre dhe kjo bën që freskia fizike të mos jetë në maksimum.
CMG: Mendon se Shqipëria ka shanse për një rezultat pozitiv ndaj Spanjës, duke u bazuar tek paraqitja në dy ndeshjet e para ?
Enkelejda Zeko: Fitorja duhet të jetë në mendjen tonë. Nëse nuk e mendojmë që ne e kryer misionin tonë atëhere asgjë nuk do të jetë e mundur sepse po të krahasosh Spanjën me Shqipërinë disniveli është shumë i madh. Por dhe po të krahasoje Shqipërinë me Kroacinë disniveli ishte shumë i madh por arritëm të merrnim barazimin sepse besuam te kjo gjë. Nëse ne besojmë që mund t’i marrim maksimumin gjithçkaje gjithë rrugëtimi ynë në Kampionatin Europian mund të ndodhë.
Fitorja e Spanjës me Italinë na ka rritur optimizmin, por nuk duhet të zhgënjehemi nga kjo. Fakti që Spanja e ka siguruar kalimin e grupit nuk do të thotë që do të ndalet këtu në këtë Europian, por ajo do të tregojë veten dhe nuk mendoj se ekipi spanjoll do të aktivizojë lojtarë të cilët do të jenë poshtë nivelit të Shqipërisë. Nuk ka në ekipin e De la Fuentes lojtarë të nivelit të ulët që ne ta kemi lehtësisht të kalueshme ndeshjen dhe ne e dimë se Spanja është një skuadër që është rritur shumë vitin e fundit. De la Fuente zëvendësoi trajnerin Enrique dhe kërkoi të bënte një revolucion në skuadër, duke marrë lojtarë të rinj shumë premtues, që mund të shënojnë nga çdo pozicion. Spanja është një nga skuadrat më potente të Kampionatit Europian.
Kombëtarja shqiptare e futbollit në Gjermani (Foto ATSH)
Edhe pse me Italinë nuk arriti dot të shënonte, Spanja ishte superiore dhe dominoi ndeshjen. Me ne është një ndeshje krejt tjetër sepse Shqipëria do ta ketë të vështirë të përballojë furinë spanjolle dhe do të vendosë vendimi i trajnerit se si do të luajnë në këtë ndeshje.
CMG: -Cili është lojtari që të ka zhgënjyer dhe kush të ka surprizuar në 2 ndeshjet e para ?
Enkelejda Zeko: Pika e fortë e skuadrës sonë kombëtare është grupi dhe është e vështirë të veçosh dikë nga ky grup lojtarësh sepse në harmoni me njeri-tjetrin kanë arritur suksesin duke arritur deri në Kampionatin Europian. Do të veçoja si një lojtar tek i cili besoj që është jo vetëm profesionalisht lart, por është dhe një njeri që i jep frymë skuadrës, që është kapiteni Gjimshiti. Mbrojtja ka qenë një nga pikat e forta sepse Gjimshiti ka qenë stoik gjithmonë dhe bëri një performancë shumë të mirë në këto dy ndeshje të kombëtares sonë.
Notën më të lartë ia jap atij për frymën pozitive, sigurinë që i jep skuadrës, por edhe për performancën në këto ndeshje. Ndërsa si lojtar më të dobët nuk do të veçoja asnjë. Ndoshta disa gabime u bënë dhe disa lojtarë nuk dhanë maksimumin, por nuk është vetëm faji i tyre.
CMG: Tifozeria shqiptare ka qenë në qendër të rrjeteve sociale, të mediave sportive për mbështetjen e saj të zjarrtë ndaj ekipit. Mendon se ka ndikuar entuziasmi i tyre në realizimet e ekipit?
Enkelejda Zeko: Tifozeria është jo vetëm nota 10, por ndoshta nota 12, siç është dhe lojtari 12 i këtij aktiviteti. Pjesëmarrja në ndeshjen e parë me Italinë në Dortmund ishte e jashtëzakonshme, me një parakalim siç kanë dhe skuadra që kanë një popullsi më të madhe, por dhe mundësi të tjera më të mëdha se ne. Tifozët tanë kanë shkuar me sakrifica në Gjermani, sepse disa tifozë kanë shpenzuar shumë dhe më vjen keq për këtë sepse biletat më të shtrenjta kanë qenë të Shqipërisë.
Shqiptarët gjithmonë kanë qenë gati të paguajnë çfarëdolloj shifre duke ndjekur ndeshjet bashkë me familjet dhe shpenzimet kanë qenë të mëdha. Në njëfarë mënyre kemi mbushur xhepat e UEFA-s dhe të shtetit gjerman duke u treguar dorëlëshuar për të ndjekur kombëtaren. Tifozët duhen mbajtur afër që të jenë dhe ata me këmbë në tokë sepse reagimet e tyre ishin të ndryshme. U tha që do të fitojmë me Italinë dhe u krijua eufori që tifozët vërtet prisnin një rezultat pozitiv dhe kur panë ndeshjen ku performanca nuk ishte e mirë u zhgënjyen.
Kishin ardhur tifozë shqiptarë nga SHBA, nga Australia për të ndjekur ndeshjet dhe nuk janë kursyer për kombëtaren, por edhe ndjeshmëria me të cilën këta tifozë duhet t’i konsiderojmë si pjesë të skuadrës. Me pjesëmarrjen në këto evente skuadra jonë do të krijojë forcën por edhe eksperiencën që në të ardhmen mund të kemi pretendime të tjera, të përkrahur nga fati.
Tifozeria jonë është e jashtëzakonshme, nuk ka krijuar asnjë lloj problemi, duke bërë një udhëtim bashkë me tifozët kundërshtarë dhe kjo ishte një shenjë fairplay e tyre, duke treguar që një popull i vogël me shumë probleme mund të jetë kaq i dashur dhe mendjehapur.
CMG: Parashikimi për ekipin që pritet të fitojë Europianin ?
Enkelejda Zeko: Eshtë e vështirë, por unë pas Shqipërisë jam tifoze e skuadrës italiane. Do të më pëlqente shumë që Italia ta vazhdonte rrugëtimin pas fazës së grupeve edhe pse situata është komplikuar pas humbjes me Spanjën. Përfundimi i ndeshjeve të dyta do të ketë një pasqyrë më të qartë dhe ide më të qartë për skuadrat. Pamë Danimarkën që nuk u paraqit mirë, Anglia ka shumë pritshmëri, Franca nuk u paraqit mirë në ndeshjen e saj të parë, Gjermania që kaloi e para grupin dhe është vendi organizator që ka një pobabilitet të lartë për ta fituar këtë Kampionat Europian dhe janë shumë faktorë që ndikojnë, por dhe surprizat janë në mes.
Do të përplasen skuadrat e mëdha me njera-tjetrën dhe kjo do të sjellë eleminime të paparashikueshme. Uroj që Italia ta kalojë grupin dhe besoj rruga për të do të jetë më e qetë dhe ta fitojë këtë event, nëse nuk e fiton Shqipëria. Nëse ka mundësi ta fitojë Shqipëria ajo lloj lumturie nuk do të krahasohet me asgjë.
Intervistoi Eda Merepeza