Ameis Demiraj; Shpresoj që një ditë të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion
2024-06-23 17:37:07

Ameis Demiraj  është një vajzë e talentuar, e cila studion në shkollën “Fan Noli”, në klasën e 7-të. Ajo prej katër vitesh merret në mënyrë profesionale me muzikën, ku ka marrë pjesë edhe në konkurse të ndryshme si “Tirana Talent”, “Pop Talent”, “Shoku ynë Tili”, si dhe rrugëtime të ndryshme me muzikën ku ajo ka qenë edhe pjesë e  një muzikali “Dream Team” të organizuar në Top Channel.  Së fundi ajo korri mjaft sukses me prezantimin e saj në Festivalin e 62-të të Festivalin Mbarëkombëtarë të Fëmijëve që mbahet në Shkodër, ku u vlerësua me çmimin e parë, në kategorinë e fëmijëve të moshës 10-14 vjeç, me këngën “Sytë e saj”, një bashkëpunim nga Eriona Rushitaj dhe Enis Mullaj. Në intervistën për Radio Ejani, ajo tregon për këtë rrugëtim të suksesshëm artistik, por edhe për planet dhe dëshiraj e saj për të ardhmen. 

CMG: Sapo ka përfunduar  festivali i 62-të i Festivalit Mbarëkombëtar në Shkodër, ku  u ndave me çmimin e parë në kategorinë e fëmijëve më të rritur 10-14 vjeç. Si u ndjeve pasi dëgjove emrin tënd se ishe  fituesja?

Ameis Demiraj: Çmimi i parë në Festivalin e Shkodrës, ishte një arritje shumë e madhe për mua.

CMG: A e prisje  këtë fitore?

Ameis Demiraj: Jo, unë nuk e prisja këtë fitore pasi e kisha marrë një çmim tjetër gjatë asaj mbrëmjeje si “Interepretuesja më e mirë” dhe po prisja që çmimin e parë ta fitonte ndonjë nga shoqet apo shokët mi. Dhe në momentin që u dha çmimi i parë dhe u përmend titulli i këngës time, unë fillova të qaja sepse isha aq e gëzuar, aq e emocionuar, aq më shumë kur shihja edhe motrën që kërcente  e gëzonte në skenë, ishte një nga emocionet më të bukura që kam përjetuar në jetën time.

CMG: Na trego për këtë këngë, si erdhi bashkëpunimi me autorët e mirënjohur Eriona dhe Enisi?

Ameis Demiraj: Kënga ime është një nga ato këngë që të rëngjethin, të japin emocion që kur dëgjon vargjet e para. Unë jam shumë mirënjohëse që kam punuar me Enisin dhe Erionën, pasi jo vetëm se janë shumë profesonistë në punën që ata bëjnë, por janë edhe shumë të sjellshëm dhe mua më kanë bërë që të ndjehem shumë mirë gjatë realizimit të këngës.

CMG: Kujt ja dedikon këtë fitore?

Ameis Demiraj: Fitoren ia uroj gjyshes time, mamit, babit, motrës, tezes, gjyshes dhe gjyshit , si dhe të gjithë ata që më kanë suportuar dhe më kanë ndihmuar në këtë drejtim.

CMG: Cili ka qenë urimi më i bukur që ke marrë pas fitores?

Ameis Demiraj: Urimi më i bukur për mua pas fitores nuk ishte me fjalë, por ishte një përqafim i ngrohtë nga gjyshja ime, e cila ishte përlotur dhe kishte bërë tifo për mua në momentin që unë u shpalla si fituese

CMG: E sheh veten të aftë për të konkuruar edhe në kompeticione ndërkombëtare në vazhdim?

Ameis Demiraj: Po, pasi unë kam një dëshirë shumë të madhe për tu bërë një këngëtare e suksesshme, si dhe për të zhvilluar koncerte nëpër botë.

CMG: Sa kohë ke që merresh me muzikë?

Ameis Demiraj: Këtë vit unë bëj pesë vjet që marr pjesë nëpër muzikal, nëpër koncerte dhe konkurse, por gjithashtu bëj vitin e katërt që unë punoj me mësuesen time Alma Strazimirin, të cilën e përshëndes.

CMG: Mendon se muzika do jetë bashkëudhëtarja jote në të ardhmen?

Ameis Demiraj: Mendoj se po, pasi e gjithë puna ime, i gjithë mundi im, do të shpërblehen një ditë.

CMG: Ke një këngëtar/e të preferuar dhe cili është?

Ameis Demiraj: Nuk kam një këngëtar apo këngëtare të preferuar, por nëse do duhet të zgjidhja një këngëtare shqiptare, do të thoja Elvana Gjata është e preferuara ime.

CMG: Cili është zhanri yt i preferuar muzikor që dëgjon më shumë, por edhe që i shkon më tepër vokalit tënd?

Ameis Demiraj: Unë punoj me të gjitha zhanret muzikore për ta stërvitur zërin tim, por zhanri që unë mendoj se i shkon më shumë vokalin tim është muzika pop.

CMG: Ameis, cili është synimi yt për në vazhdimCili do të jetë projekti yt i rradhës në muzikë?

Ameis Demiraj: Si fillim dua të shijoj pak këtë fitore. Më pas do të vijoj të marr pjesë nëpër konkurse, festivale dhe shpresoj që një ditë të marr pjesë edhe në Eurovizion për të përfaqësuar Shqipërinë.

Intervistoi: Sava Lena