Sidorela Zeqaj është këngëtare e muzikés popullore, kryesisht e trevës së jugut. Ajo ka nisur të këndojë qëkur ishte e vogël në aktivitetet shkollore dhe është rritur në një ambient familjar me tradita muzikore. Sidorela ka realizuar disa kolazhe këngësh popullore të përpunuara si dhe mjaft këngë solistike. Kënga ka qenë pasioni i saj i hershëm, një ëndërr e bërë realitet falë talentit dhe përkushtumit të saj gjatë këtij rrugëtimi të bukur. Sidorela Zeqaj në planet e saj të ardhme pret të realizojë të tjera produksione muzikore, duke bashkëpunuar me emra të njohur muzikantësh Në një itervistë për Radio Ejani ajo tregon për fillimet e saj në muzikën popullore, aktivitetet dhe projektet në vazhdim.
CMG: Si lindi pasioni për muzikën popullore?
Sidorela Zeqaj: Pasioni për muzikën ka lindur që nga fëmijëria, ku thoja gjatë gjithë kohës se do bëhem këngëtare kur të rritesha, ëndërroja pafund për të ardhmen. Falë Zotit është një ëndërr e bërë realitet.
CMG: Kur ka qenë dalja e parë në skenë dhe si je pritur nga publiku?
Sidorela Zeqaj: Në fëmijëri me aktivitetet e shkollës këndoja gjithmonë muzikë popullore, por dalja ime e parë ka qenë në vitin e dytë të gjimnazit, ku kam kënduar një këngë popullore dhe janë mahnitur të gjithë nga talenti im. Ajo ishte dalja ime e parë që mbahet mend.
CMG: Këngën e ke të trashëguar nga ndonjë pjestar i familjes?
Sidorela Zeqaj: Po, babai im ka qenë muzikant, ku ka punuar me def dropullit që nga mosha 17 vjeçare, pastaj vijoi si këngëtar. Unë jam rritur me kulturën e këngës. Babai im studionte këngët dhe unë dëgjoja muzikë dhe më thoshte këtë këngë do ta këndosh kur të rritesh. Gjithashtu studioja dhe më futej në gjak ky lloj pasioni.
CMG: Babai është krenar tani për suksesin tënd ne muzikë?
Sidorela Zeqaj: Shumë krenar dhe kur unë isha kundra dhe thoja se nuk bëhem këngëtare, ai më thoshte se do bëhesh patjetër.
CMG: Ka disa prindër artistë që nuk duan t’i shtyjnë fëmijët e tyre në rrugën e artit.
Sidorela Zeqaj: Kjo është e vërtetë dhe unë njoh shumë djem dhe vajza që janë të talentuar, por nuk kanë patur mbështetjen e familjes. Unë jam shumë krenare dhe jam kjo që jam sot sepse kam pasur prindër që më mbështesnin. Ata më thoshin që gjithë botën le ta kesh kundër, na ke ne të dyve dhe vazhdo drejtimin tënd, sepse ti ke lindur për këtë gjë. Dua t’i falenderoj pafund prindërit e mi.
CMG: Sa këngë ke publikuar deri tani dhe si janë pritur nga artdashësit?
Sidorela Zeqaj: Kam realizuar disa kolazhe popullore, këngë të dëgjuara të popullit. Gjithashtu kam dhe pesë këngë të tjera solo. Sigurisht që rruga është shumë e gjatë dhe do kemi pafund projekte muzikore. Këngët janë pritur mirë si në fillimet e mia, se normalisht çdo këngëtar do kalojë disa etapa për të arritur ku duhet, por janë pritur shumë mirë nga artdashësit e muzikës popullore.
CMG: Me kë ke bashkëpunuar për realizimin e produksioneve muzikore?
Sidorela Zeqaj: Deri tani kam bashkëpunuar me producentë dhe tekstshkrues të ndryshëm. Kam bashkëpunuar me Mario Bregun, Vani Rushiti dhe Adrian Hila. Ata na servirin një krijim të bukur dhe ne e përqafojmë atë këngë për ta kënduar para publikut.
CMG: Ke bërë bashkëpunime në duet me këngëtarë të tjerë të muzikës pooullore?
Sidorela Zeqaj: Bashkëpunimet më pëlqejnë shumë, por si fillim duhet të zgjedhim personat e duhur, sepse jo të gjithë janë me qëllime të mira apo të pastra kundrejt njëri-tjetrit. Kam bërë një bashkëpunim dhe do të vazhdoj të bëj të tjera bashkëpunime me këngëtarë me emër apo jo të njohur. Nëse diçka më pëlqen unë e realizoj.
CMG: E ndjen konkurencën në tregun muzikor?
Sidorela Zeqaj: Absolutisht që tregu muzikor është shumë i vështirë, por në moment që ke besim në vetvete ja del gjithmonë mbanë. Mendoj qe secili ka fatin e vet dhe punë ka plot.
CMG: E ke veshur ndonjëherë kostumin popullor?
Sidorela Zeqaj: Kam patur një projekt që kam veshur një kostum popullor, por nuk ishte i zonës së Mallakastrës. Ishte një ndërthurje shumë e bukur e traditës shqiptare, gjë që jemi shumë të pasur për këtë gjë. Kur e kam veshur atë kostum ka qenë një emocion shumë i veçantë dhe nuri im ndryshoi komplet. Pavarësisht se mund të veshim fustane nga më të bukurat, por kostumi popullor për mua ishte një emocion shumë i veçantë dhe e mbaj mend gjatë.
CMG: Ke ruajtur traditën në interpretime. Mendon se të gjithë këngëtarët e rinj duhet të bëjnë të njëjtën gjë?
Sidorela Zeqaj: Sigurisht që po, sepse ne jemi një popull me shumë pasuri fokkorike dhe duhet t’i ruajmë dhe t’i përcjellim brez pas brezi. Është kënaqësi t’i këndosh këngët popullore pa i deformuar, por është bërë pak trend tani që të gjitha tekstet e këngëve labe i marrin dhe i përpunojnë, por pa dalë jashtë natyrës që ato kanë.
CMG: Ke kënduar ndonjëherë këngë polifonike?
Sidorela Zeqaj: Unë i dua këngët polifonike pafund dhe më rastësis të këndoj polifoni jo shumë shpesh, pasi jam te muzika popullore, dasmat dhe koncertet, por këngët polifonike janë tradita jonë dhe ne duhet t’i ruajmë sepse është vlerë.
CMG: Ke marrë pjesë në koncerte jashtë Shqipërisë?
Sidorela Zeqaj: Përveç Shqipërisë shkoj kryesisht në Greqi dhe Itali, por Greqia është vendi im i preferuar. Unë shkoj kudo me koncerte nëpër ishuj, ku na presin shqiptarë që kanë shumë mall për vendin e vet, dhe ne u servirim muzikën e bukur dhe traditat shqiptare. Ata mbushen me emocion dhe jetë sepse kurbeti dhemb dhe është një plagë që e vuajnë të gjithë. Pavarësisht se mund të jenë mirë me punë dhe mund të kenë çdo gjë, por dashuria për vendlindjen është tjetër gjë.
CMG: Këndojnë bashkë me ju kur jeni në koncerte atje?
Sidorela Zeqaj: Sigurisht që po.
CMG: Sipas jush brezi i ri sot e do këngën popullore?
Sidorela Zeqaj: Nuk mund të them se mund të jemi në shijet e të gjithë njerëzve, sepse ata preferojnë rryma të ndryshme muzikore, por pjesa më e madhe e njerëzve preferojnë muzikën popullore. Kudo që shkoj nëpër dasma e koncerte fëmijët e dashurojnë muzikën popullore, dhe më ndodh shpesh që ti pyes vajza ose djem, por kryesisht vajzat e vogla kur i pyes se çfarë do të bëhen kur të rriten dhe ato thonë këngëtare. Pra unë shoh dëshirën e tyre për muzikën popullore dhe këndojnë bashkë me mua sepse i dinë tekstet dhe çdo gjë në folklorin shqiptar.
CMG: Ke ndonjë këngëtar apo këngëtare idhull në muzikën popullore?
Sidorela Zeqaj: Unë jam rritur me këngët e Eli Farës. Normalisht që kam dhe këngëtarë të tjerë të preferuar, por Eli Fara është këngëtarja ime e preferuar dhe e zemrës. E ndiqja gjithmonë me shumë kënaqësi, mënyra sesi vishej, interpretonte dhe buzëqeshte në skenë. Ajo është idhulli im.
CMG: E ke takuar ndonjëherë?
Sidorela Zeqaj: E kam takuar vjet në maratonën e këngës, ku kam bërë foto dhe ishte kënaqësi e madhe.
CMG: Ke dëshirë të bësh ndonjë bashkëpunim me Elin?
Sidorela Zeqaj: Ndoshta, nuk i dihet në të ardhmen.
CMG: Përveç muzikës ke pasione të tjera në jetë?
Sidorela Zeqaj: Me thënë të drejtën më duket ndonjëherë vetja sikur kam lindur për muzikë, dhe mbetem këtu sepse e bëj me shumë dëshirë dhe pasion. Nuk jetoj dot pa këngën, dhe shpresoj që në të ardhmen mos të kem kurrë probleme me zërin.
CMG: Si do të jetë sezoni i koncerteve dhe gëzimeve familjare këtë verë?
Sidorela Zeqaj: Sezoni veror është plot me aktivitete, njerëzit martohen, gëzojnë e kënaqen. Do të jem gjatë gjithë verës me punë këtu dhe jashtë vendit, por kryesisht vera është në Shqipëri.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore?
Sidorela Zeqaj: Para pak ditësh kam xhiruar një këngë të re dhe besoj se deri në fund të këtij muajit do të publikohet. Është një këngë turbo. Unë preferoj këngët ritmike, pavarësisht se duhet të bëjmë ndonjë pogonishte të bukur, por preferoj riëm sepse vera e don ritmin.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Sidorela Zeqaj: I përshëndes të gjithë, duke ju uruar shëndet dhe gezime në familje.
Intervistoi: Gazmend Agaj