Feride Istogu Gillesberg, jeta artistike
2024-06-22 16:46:36

Muzika për mua është një gjuhë shpirtërore. Një gjuhë nga zemra e njeriut. Nëpërmjet muzikës tregon një histori, me një gjuhë universale dhe kur i shton tekstin apo vjershat tregon një histori të plotësuar. Po për mua muzika është një lidhje shpirtërore nëpërmjet Zotit apo Krijuesit dhe njeriut. Muzika e prek njeriun dhe prandaj mendoj që ajo është një urë e domosdoshme midis shteteve, midis kulturave të ndryshme. Pra për mua muzika është një gjuhë shpirtërore.

Unë fillova shumë vonë që të meresha me muzikë klasike, por kur isha 19 vjeç u takova me një shoqatë që quhet Schiller. Kjo shoqatë është shumë e veçantë pasi merret me shkencë, me kulturë, me ekonomi dhe kulturë të muzikës klasike pasi luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e karakterit të një populli. Unë në fillim mendova kjo është pak e tepruar dhe nuk e kuptova të tërësi, por pas një farë kohe ndjeva një fuqi të madhe sepse këngët të hyjnë në shpirt edhe kur këndon ti jep diçka, nuk je e rrezikshme për dikë tjetër. Kur isha 32-33 vjeç fillova të merja mësime private me kompozitorin dhe profesorin Matti Borg, bashkëshorti i sopranos Gitta-Maria Sjöberg. Në fillim mora shpesh mësime dhe më pas vazhdova të punoja vetë. E kështu nisa nga frymëzimi i mësuesve të mi dhe puna individuale ka qenë diçka që më ka mbajtur. Matti Borg atëhere më ka thënë: “shiko Feride ti ke material shumë të bukur por ke nevojë të njohësh edhe instrumentin dhe ta përdorësh siç duhet.”

 

Fillova të marr përsipër këndimin, por në një periudhë kur kisha probleme shëndetësore dhe më vonë probleme më serioze me shëndetin muzika më erdhi në ndihmë, që të mos isha pesimiste, por të ushqehesha shpirtërisht. Nëpërmjet muzikës mbaja veten të qartë për situatën që po kaloja.

Herë pas here kam një vjershë që ia them vetes. Është një vjershë e Friedrich Schiller me titull “Die hoffnung” që do të thotë “Shpresë”. Më pëlqen shumë sepse Schubert bëri një kompozicion të saj. Për mua muzika është edhe dialog midis kulturave sepse në shoqatën Schiller ne kemi zhvilluar shumë seminare dhe punojmë shumë për të dialoguar me shtetet, por edhe të kuptojmë njëri- tjetrin sepse bota ka ardhur në një kohë ku ne duhet të jemi multipolarë. Kemi boll sfida për të zgjidhur, nëse bashkëpunojmë. Nuk jemi armiq si shtete, jemi të gjithë një dhe nëse fillojmë të kuptojmë njëi tjetrin shpirtërsht, ku muzika luan një rol shumë të veçantë, ta shohim njëri -tjetrin si njerëz. Muzika dhe kultura ta jep këtë mjet, të jep lirinë për të kënduar, për të bashkëpunuar me muzikën e artin. Edhe ne që jemi në perëndim, unë që jetoj në Danimarkë e kam këtë liri dhe gjithmonë mendoj që çfarë mund të bëj më shumë.

Tani kemi Lola Aleksi Gjoka si shoqatë në Danimarkë për të lidhur Shqipërinë me Danimarkën, për të promovuar muzikën klasike, e cila është në nivel të lartë, por dhe me dialog për njohjen reciproke të  muzikës apo thesareve më të bukura nga njëri- tjetri. Me Institutin Shciller kemi bërë një mobilizim ndërkombëtar në dialog mes kulturave, me muzikën dhe shumicën e kohës investojmë në këtë drejtim. Me projektin e Lola Aleksi Gjokës jam shumë e kënaqur sepse do mundem të lidh danezët dhe shqiptarët për diçka konkrete. Në Danimarkë jetoj, por shpirtin dhe mendjen e kam këndej pasi nuk mundem të vij në Shqipëri apo Kosovë vetëm për të pushuar se nuk më rrihet dhe mendoj se çfarë mund të bëj. Jam rritur jashtë dhe kam një jetë shumë të favorshme, por kam një borxh sepse rrënjët i kam ende këtu dhe kam një borxh që të bëj muzikën shqiptare të njohur jo vetëm në Danimarkë,  por anembanë botës.

Nëse do të dija kaq shumë sa di tani do të doja të bëhesha këngëtare operistike si Ermonela Jaho apo artistët e tjerë të njohur. Të isha një artiste që i dedikohet vetes, 100 përqind artit, por unë nuk i kisha rrethanat as nuk kemi pasur fare muzikë në shtëpinë tone. Dedikimi i artit kërkon mund dhe çfarë do të kisha mundësi të bëja dhe se çfarë bëj duhet të përputhet. Nëse sheh që deri tani nuk kam bërë çfarë kam dashur në jetën time, fillova të ndryshoj drejtimin. Edhe nëse është vështirë, edhe nëse nuk është e mundur fillo se jeta është e shkurtër. Të gjithë kemi për të vdekur, ky është fakt. Kur të vdesim a do të vdesim me një buzëqeshje, duke thënë që i kam dhënë të gjitha çfarë kam mundur. Unë i kam dhënë. Kam bërë një ndryshim për të mirën. Nuk duhet të vdesësh me një ankth, nuk nuk mund të ikësh pasi nuk ke kontribuar diçka apo nuk ke dhënë diçka. Kjo është e rëndësishme, ndaj gjithmonë duhet  të kemi parasysh që ne do të ikim.

Përgatiti Jerida Sakaj