Foto nga CFP
Hong-Kongu u ngjit me dy vende, duke u renditur i pesti në "Vjetarin për Konkurrencën Botërore 2024" të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar për Menaxhimin e Zhvillimit me seli në Zvicër, tha të martën qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kong-ut.
Nga katër faktorët e konkurrueshmërisë që vlerëson raporti, renditja e Hong-Kongut në "efektshmërinë e biznesit" dhe "infrastrukturë" u rrit dukshëm në dhjetë vendet e para globale. Hong-Kongu renditet ndër tre të parët për sa i përket "efektshmërisë së qeverisjes", ndërsa vendi i tij në "paraqitjen ekonomike" pati një ngritje të ndjeshme, duke treguar rimëkëmbjen ekonomike të rajonit në vitin 2023.
Sa u përket nënfaktorëve, Hong-Kongu zë vendin e parë në botë në "tregtinë ndërkombëtare" e "legjislacionin e biznesit", teksa renditet ndër pesë të parët për "politikën tatimore", "investimet ndërkombëtare", "infrastrukturën themelore", "financat" e "arsimin".
Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut ka marrë një sërë masash për forcimin e besimit në treg dhe për promovimin e turizmit e të konsumit, për të forcuar prirjen e rimëkëmbjes ekonomike. Hong-Kongu nxit gjithashtu zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë nëpërmjet tërheqjes së sipërmarrjeve, kapitaleve e talenteve nga gjithë bota, duke përgatitur forcat e reja prodhuese cilësore. (Fani)